- Me pjesëmarrjen e trupave zgjedhore të rajonit -
TIRANË, 22 Tetor/ATSH/.- Konferenca "Procesi Elektoral në Kosovë", që u mbajt në Prishtinë bëri bashkë trupat zgjedhore të rajonit, përfaqësues të partive politike, të shoqërisë civile, si dhe organizatave vendase e ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve.
E pranishme në këtë konferencë, kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi, prezantoi eksperiencën shqiptare lidhur me rolin e partive politike në procesin zgjedhor, jo vetëm si hartues të Kodit Zgjedhor, por dhe si zbatues të tij në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Konferenca, që synonte ofrimin e mundësive për partitë politike dhe organet zgjedhore në shkëmbimin e eksperiencave të tyre, prezantoi një përmbledhje të raporteve vëzhguese të zgjedhjeve të fundit, ndërsa diskutimet e të pranishmëve u fokusuan dhe në rolin e partive në zgjedhje, si dhe dialogun politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në përfundim të punimeve, konferenca doli me rekomandime për procesin e ardhshëm zgjedhor në Kosovë./a.s/ /a.g/