Konflikti i Leonard Bombajt me 15- vjecaren si e perjetoi bashkeshortja

Konflikti i Leonard Bombajt me 15- vjeçaren, si e perjetoi bashkeshortja
Ai ka vendosur të heshtë, duke ndjekur procedurën ligjore, edhe pse për ditë të tëra faqet e gazetave janë mbushur me lajme nga më të ndryshmet, ku si në një telenovelë shkruhet për konfliktin e tij me reperin e njohur me emrin artistik, Stresi. Shkak i këtij konflikti është bërë 15- vjeçarja, aktorja e re që studionte në “Sirea film”, një shkollë arti për fëmijët e krijuar nga Leonard Bombaj disa vite më parë. Por, të gjithë do të ishin kuriozë të dinin se çfarë ndodhi në familjen e regjisorit të njohur Leonard Bombaj gjatë kësaj periudhe tensioni, ku Bombaj akuzohej për marrëdhënie seksuale me një të mitur pa dëshirën e saj. A u trondit martesa e tyre në këtë periudhë 1-vjeçare të konfliktit, edhe pse historia u bë publike vetëm tani?!

Të kontaktuar me telefon nga gazeta “Panorama”, as Leonard Bombaj, as bashkëshotja e tij dhe bashkëpunëtorja në stafin e “Sirea Film”, Esmeralda Blaceri nuk kanë pranuar të japin asnjë koment në lidhje me këtë histori, duke pohuar vetëm se çështja për momentin po shqyrtohet në Prokurori. Por, në shtëpinë e tyre nuk kanë rreshtur telefonatat dhe vizitat e miqve të tyre artistë, të cilët, të shokuar nga shkrimet e përditshme që kanë pushtuar ballinat e gazetave, i kanë qëndruar çiftit afër, duke besuar në pafajësinë e Leonardit. Disa prej tyre kanë pohuar në konfidencialitet se kjo histori nuk e ka tronditur aspak lidhjen 15-vjeçare të Leonardit me bashkëshorten Esmeralda, një martesë e kurorëzuar me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë të vogël 8-muajshe, që quhet Sirea, pra mban emrin e kompanisë së tyre artistike “Sirea film”.

Ata vazhdojnë jetën normalisht, ndërsa Leonardi është parë të kalojë shumë kohë me vajzën e tij 8-muajshe në ambiente të ndryshme argëtimi në Tiranë. Ndërkohë që bashkëshortja Esmeralda, e cila është me profesionin ekonomiste dhe punon në një bankë, po ashtu dhe në pozicionin e Departamentit Ekonomik në “Sirea Film”,  ka qenë një mbështjetje e vërtetë për Leonardin, pasi ka ndenjur gjithnjë afër artistëve të vegjël dhe po ashtu shumë e afërt me vajzën 15-vjeçare, e cila u bë shkak i kësaj historie që ka tronditur edhe opinionin publik. Sipas punonjësve të stafit të “Sirea film”, kjo zhurmë e madhe dhe ky konflikt nuk i ka ndryshuar aspak marrdhëniet e saj me Leonardin, përveçse ajo ka provuar një zhgënjim të madh ndaj vajzës së përfolur, për faktin se e kishte mbajtur shumë afër dhe e njihte mirë, qëkur ajo kishte qenë vetëm një fëmijë 8 vjeç e kishte filluar të angazhohej në “Sirea film” dhe “Kripmjaltëzat”. Por ç’po ndodh me “Sirea film” tashmë? Sipas stafit, shkolla vazhdon normalisht dhe kjo ndodhi nuk ka ndikuar në prishjen e biznesit apo largimin e fëmijëve të tjerë nga shkolla, për faktin se ata prej një viti kanë qenë në dijeni të kësaj historie. Sipas tyre, vajza futi në konflikt Stresin dhe shokë të tij, vetëm pasi u përjashtua nga shkolla për thyerje të rregullores.

Konflikti me 15- vjeçaren, si nisi një vit më parë

Vajza 15-vjeçare ishte zbuluar si një talent që në moshën 8-vjeçare dhe për vite të tëra ajo ishte imazhi i «Sirea film”. Sipas burimeve tona në “Sirea Film”, para se vajza të përjashtohej nga shkolla prej një viti kishte hequr dorë në një farë mënyre nga pasioni i saj për artin, nuk ishte korrekte me provat dhe kishte filluar të rebelohej. Kjo e shtyu Leonardin që të merrte masa ndaj saj dhe këtu nisën konfliktet, që për disa dëshmitarë të afërt, është komentuar si një hakmarrje më e vonë nga ana e vajzës. Gjithsesi, e vërteta i është lënë në dorë ligjit, por ajo që mund të thuhet është se vajza si një person shumë i afërt me familjen Bombaj,  ishte rritur pranë tyre. Kjo histori akuzash e kundërakuzash, pavarësisht se u bë publike, tani ka më se një vit që ka nisur fillimisht në formë fjalësh e thashethemesh që kanë qarkulluar në një rreth shumë të ngushtë njerëzish. Pikërisht një vit më parë u vendos që vajza të përjashtohej nga shkolla, ndërsa ishte imazhi i «Sirea film» dhe paguhej për këtë. Sipas punonjësve të «Sirea film», arsyeja e përjashtimit ishte  fakti që ajo ishte tjetërsuar si tip, me sjellje nga më të çuditshmet, që u komentuan si dalje nga kontrolli, me mosparaqitje në shkollë. Ajo ndryshoi menjëherë stil që tashmë ishte si ai i repistave, pasi shoqërohej me reperin Stresi dhe shokë të tij. Pas këtij momenti përjashtimi thuhet se ajo ka filluar me shantazhe nga Leonard Bombaj, duke bërë për vete fëmijët e tjerë të shkollës “Sirea film”.

Pas pushimit të akuzës ndaj Bombajt, çështja në Prokurori

Tashmë çështja e shumë- diskutuar është pushuar ndaj Bombajt dhe po shqyrtohet nga Prokuroria. Po si nisi konflikti i përfolur mes regjisorit Leonard Bombaj dhe këngëtarit Stresi (Arkimed Lushaj) dhe të njohurve të tij? Historia ka nisur në shtator 2010, pak ditë pasi regjisori Bombaj kishte përjashtuar nga instituti i tij artistik vajzën në fjalë, e cila studionte aktrim. Më pas, Bombaj është konfliktuar me babanë e vajzës, të cilin e ka denoncuar për kërcënim në Komisariatin e Policisë Nr.1 në Tiranë. Një ditë më pas, vajza 15-vjeçare denoncoi regjisorin, duke e akuzuar për marrëdhënie seksuale. Dy paditë e bëra nga regjisori dhe nga vajza u përcollën në Prokurori, e cila hetoi në të dyja pistat.

Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, mes regjisorit, Stresit e miqve të tij ndodhën edhe disa episode të tjera. Vajza i tregon Stresit se ishte përdhunuar nga Leonard Bombaj. Në bazë të akt-ekspertimit mjeko-ligjor nr.946, datë 06.09.2010 mbi ekzaminimin e shtetases B.D., ka rezultuar se kjo shtetase është e defloruar e vjetër  (zhvirgjëruar) dhe se ka arritur pjekurinë seksuale. Ndërkohë, regjisori Leonard Bombaj ka mohuar akuzat e bëra ndaj tij dhe ka shpjeguar se, më datë 22.07.2010, vajza e shoqëruar nga disa të njohur të saj ka shkuar në banesën e tij, ku këta persona i kanë kërkuar shtetasit Leonard që të paguante një shumë prej 20 mijë eurosh në formë dëmshpërblimi për marrëdhënien seksuale që ka kryer ai me shtetasen B.D. Leonard Bombaj pretendon se, i detyruar nga personat që shoqëroheshin me shtetasen B.D., po atë ditë kanë shkuar në një bankomat të bankës “Intesa San Paolo” bank, ku shtetasi Leonard ka tërhequr një shumë prej 50 mijë lekësh, nga numri i llogarisë së tij. Pasi e kanë lënë shtetasin Leonard aty, ata janë larguar duke i rrëmbyer dhe automjetin e tij.

Leonardi dhe Esmeralda, lidhja 15-vjeçare që lindi nga skenat erotike në një film

Edhe atëherë kur Leonard Bombaj, një regjisor, aktor, skenarist dhe këngëtar, thyente tabu me artin e tij pas viteve ’90-të, ka ndodhur të denoncohej ndërsa xhironte filmin “Tingujt e harresës” në vitin 1996.  Kjo, për faktin se në periudhë xhirimesh filluan të qarkullonin fjalët se ai po realizonte një film pornografik, ndërkohë që ishte viti 1996 dhe skenat e përfolura në realizimin e “Tingujt e harresës” ishin thjesht skena erotike, ende një tabu për kinemanë shqiptare të atyre viteve. Këto skena u panë që s’ishin aspak pornografike me shfaqjen e filmit në publik me titull “Tingujt e harresës”, një film shqiptar i vitit 1996 me regji nga Leonard Bombaj dhe skenarist Alfred Trebicka dhe që kishte për protagonistë katër aktorë: Esmeralda Blaceri, Leonard Bombaj, Kadri Roshi dhe Alfred Trebicka. Nëpërmjet dashurisë së dy të rinjve, filmi jepte mesazhin: “Të duash është mënyra për të shlyer sado- pak fatkeqësinë e komumikimit njerëzor”, një mesazh që i shkon për shtat çdo kohe.

Ishte pikërisht ky film që u bë shkak për njohjen e Leonardit me një vajzë shumë simpatike me kaçurrela të gjata që u pa në film dhe që quhej Esmeralda. Për ta pasur atë si protagoniste kryesore të filmit, regjisori Bombaj bëri disa audicione në gjimnazet e Tiranës dhe zgjodhi pikërisht atë, që më pas do të ishte bashkëshortja e tij. Edhe pse ajo nuk kishte pasur lidhje me aktorin, Leonardi e zgjodhi për natyrshmërinë dhe tipin e vajzës që i përshtatej personazhit në këtë film. Dhe, për hir të së vërtetës, ai theu çdo tabu në këtë rast. Jo me një aktore profesionte, por me një vajzë të re, arriti të realizonte skenat e para erotike në një film shqiptar. Bëri bujë në atë kohë historia e tyre e dashurisë që u zbulua më vonë. Si çift i dashuruar, ata vendosën të largohen për gjashtë vite në Kanada dhe për t’u riktheyr në Tiranë me një projekt të ri në mendje, që shumë shpejt do ta bënin realitet. Ishte pikërisht “Sirea film”, një shkollë e mirëfilltë arti për fëmijët, pjesë e së cilët ishte dhe vajza tashmë 15-vjeçare, që spikati që fëmijë për talentin e saj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama