Konfuzioni i te dhenave te Policise mister per personin e dyte ne makine

Konfuzioni i te dhenave te Policise, mister per personin e dyte ne makine

“Tiranë-Elbasan, makina bie në greminë plagosen dy persona”. Ky ka qenë informacioni rutinë që është përcjellë nga redaksitë e mediave televizive referuar të dhënave verbale të marra nga burimet e Policisë mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:50. Pa kaluar 20 minuta nga lajmi i dhënë për këtë ngjarje, qarkulloi informacioni se i përfshirë në aksident ishte deputeti demokrat Sokol Olldashi. Bashkë me të në makinë, u tha se ishte edhe një person tjetër që kishte mbetur i plagosur. Konfuzioni ishte i dukshëm që në momentet e para të ngjarjes, por të dhënat ishin të qarta te numri i personave: thuhej se ishin dy.

 

Referuar të dhënave që merreshin nga punonjës të Policisë, në mënyrë të fragmentarizuar u pretendua fillimisht se Sokol Olldashi ishte plagosur rëndë dhe ndodhej rrugës për në spital, në rrezik për jetën. Dalja në skenë e emrit të njohur të politikës, për disa orë la në hije personin e dytë për të cilin fillimisht ishte thënë se ishte plagosur e më pas dyshohej se kishte pasur të njëjtin fat si edhe drejtuesi i makinës “Mercedes-Benz” me targë AA 003 NH .

 

Më pas, kur logjikisht mendohet se shumica e trupave të policisë kishin mbërritur në vendin e ngjarjes, u dha informacioni se deputeti Olldashi ndodhej ende në makinë. Policia referoi se po ndeshte vështirësi në nxjerrjen e trupave. Gjatë gjithë kësaj kohe, për disa orë me radhë, do të flitej për dy persona në makinë, për dy të plagosur e më pas për dy të vdekur. Nga ora 23:00 deri në mesnatë, mediat, disa në mënyrë direkte dhe të tjera me kujdes në termat e përdorur sinjifikonin se deputeti demokrat Sokol Olldashi kishte gjetur vdekjen në aksident. Ecuria e deklaratave të deputetit të PD, Igli Cara, e bëri edhe më të paqartë ngjarjen e ndodhur. Cara ishte një nga personat e parë të njoftuar për aksidentin, i cili në fakt ka njoftuar edhe policinë në orën 21:18. Ai, në njoftimin që ka bërë ka theksuar se një aksident ka ndodhur në Kërrabë, dhe “një ndër personat e përfshirë ishte edhe deputeti Sokol Olldashi”.

 

Media e transmetoi këtë informacion në këtë formë në orën 22:50. Deputeti demokrat, që për disa orë u kthye në pikën e referimit të informacioneve që jepeshin, foli sërish për dy trupa gjatë një lidhjeje telefonike me “News 24”, rreth orës 23:22. “Po bëhet nxjerrja e trupave. Ka dalë trupi i parë, po nxirret trupi i Olldashit”, citohet të ketë thënë Igli Cara rreth 30 minuta para mesnatës së mërkurë. Pasi u konfirmua përfundimisht informacioni për humbjen e jetës së deputetit, vëmendja u përqendrua te “personi i dytë”. Informacioni që vinte nga policia për pak minuta nxori si të përfshirë në aksident e madje si të vdekur, një zyrtar të strukturave të rendit, pikërisht Shkëlzen Aliajn. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, fatmirësisht, ishte shëndosh e mirë dhe brenda pak minutave kontaktoi mediat duke korrektuar të dhënat e gabuara që ishin dhënë mes kaosit që pasoi ngjarjen. Mediat ishin dëshmitare të pasaktësisë së informacionit të dhënë kur Aliaj u shfaq publikisht mes shumë të afërmve e dashamirësve të Sokol Olldashit teksa priste në shi mbërritjen e trupit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

 

Deri në 01:45 pas mesnate, dhjetëra kamera televizive dhe reporterë pritën te morgu “viktimën e dytë”. Gazetarët verifikonin numrin e ambulancave dhe numrin e makinave mortore për të kuptuar numrin e viktimave të aksidentit. Në këtë kohë u tha se Ministria e Brendshme kishte shpërndarë për mediat me mesazhe në celular një njoftim ku thuhej se Sokol Olldashi kishte qenë vetëm në makinë dhe nuk kishte person të dytë. Ky ishte gjithsesi një mesazh që iu dërgua vetëm disa mediave dhe një informacion deklarativ, që nuk mundi të shteronte dyshimet për numrin e personave në automjet, për të cilët në një maratonë disaorëshe mediatike ishte thënë se ishin dy. Në këtë situatë u dha prej burimeve të Policisë informacioni se ngjarja kishte një të vdekur të dytë, një femër, që besohej se ishte bashkëpunëtore e Sokol Olldashit në kohën kur ai drejtoi Ministrinë e Transporteve.

 

Ky fakt nuk u përgënjeshtrua, por as u konfirmua nga policia, jo vetëm në orët e vona të natës së ngjarjes, por as gjatë paradites së djeshme. Kontradiktore ishin edhe pretendimet se kishte qenë vetë Olldashi që njoftoi për aksidentin, duke telefonuar shoferin e tij pas daljes së makinës nga rruga. Ekspertiza tregon se deputeti ka pasur vdekje të menjëhershme, çka e hedh poshtë këtë variant. Të dhënat e tjera nge hetimi tregojnë se i pari që ka mbërritur në vendngjarje ka qenë deputeti i PD-së, Igli Cara dhe shoferi i Olldashit. Policia ka shkuar aty rreth 25 minuta me vonesë, edhe pse në deklaratën zyrtare të dhënë dje në orën 14:20 (15 orë pas aksidentit) thuhet se uniformat blu u gjendën aty brenda tetë minutave nga njoftimi. Një deklaratë, e cila as pohon dhe as mohon në mënyrë shteruese praninë e një personi të dytë në makinën e deputetit, duke e lënë sërish të hapur këtë hipotezë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama