Aktiviteti i radhës në nderim të 200-vjetorit të lindjes së poetit arbëresh, Jeronim de Rada u realizua dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Bëhet fjalë për konkursin nga ku u përzgjodh edhe fituesi i “Logos së 200-vjetorit të De Radës”. “Logoja për 200-vjetorin e lindjes së poetit”, do të përfaqësojë figurën e publicistit, folkloristit, filologut, mësuesit dhe themeluesit të letërsisë së kulturës arbëreshe, në të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në vazhdim, në nderim të tij. “Kam kënaqësinë që në emër të jurisë të shpall fitues Elsi Kongon. Në gjykimin tonë punimi i tij artistik, simbolizon edhe prezanton gjurmët e pashlyeshme, që ka lënë poeti në letrat dhe kulturën shqiptare, duke e përcjellë atë në shekujt e historisë sonë. Vlera monetare që vlerësohet ky punim është 1 milion e 800 mijë lekë”, u shpreh Artan Shabani, drejtori i GKA-së. “De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare dhe është i pari që krijoi vepra me frymë kombëtare. Ai njihet si figura më e kulluar e letërsisë dhe e botës arbëreshe”, tha drejtori i GKA-së. Koha e realizimit të konkursit ishte nga data 10, deri në datën 30 tetor. Numri i personave që morën pjesë dhe që punuan për këtë kurs është 20 veta.
Ndër të cilët 19 janë artistë, ose studentë të “Grafikës”, ndërsa një prej tyre ka një studio grafike në Tiranë. Sipas Shabanit, ndonjëherë artisti do që të dijë se ku ka jetuar personi për të cilin po punon, në mënyrë që të prezantojë diçka ndryshe nga e zakonshmja. “Ne këtë e trashëgojmë si kolektiv dhe gjithsecili prej nesh ndihet i pasigurt që të veprojë me gjest. Kjo kërkon kurajo, por edhe lirinë e gjestit artistik. Më vjen shumë mirë që në raste të tilla, ndihet një tension pozitiv i artistëve dhe studentëve që punojnë nëpër studiot grafike apo nëpër shkolla, por kush nuk fiton nuk humbet, sepse ai ka mundësi që të jetë pranë këtyre aktiviteteve”, vazhdon më tej Shabani. Sipas tij, për prezantimin e “Logos së De Radës” është zgjedhur ky moment sepse në këtë periudhë në Tiranë kulmojnë aktivitetet kulturore. “Në Tiranë, pse jo edhe në Shqipëri aktivitetet e kulturës, ekspozitat, teatrot, operat etj., kanë shumë lëvizje dhe po arrijnë majën e tyre. Gjatë gjithë vitit e pamë të arsyeshme se ky ishte momenti më i favorshëm për të prezantuar logon. Mund të prezantohej në çfarëdolloj momenti, por nuk është kaq me rëndësi kjo pjesë, sepse ky vit i kushtohet tërësisht De Radës. Nëse do t’i dedikohej një ekspozitë unë do të thoja se ka të njëjtën vlerë si tani edhe gjatë verës.
Më vjen keq, që njerëzit ankohen se nuk ka aktivitete kulturore. Ata duhet të informohen se ka shumë aktivitete dhe me cilësi të mirë artistike”, vazhdon Shabani. Artisti fitues shprehu falënderimet e tij për çmimin dhe tregoi procesin e realizimit të logos, për të cilën tha se ka punuar vetëm një javë. “Çështja është që të rizbulojmë vlerat nëpërmjet simboleve që kemi. Në këtë kuptim kam tentuar, që të mos merresha me simbolikën e njohur të De Radës, që të mos sillja një imazh të konsumuar. Por nëpërmjet kësaj logoje të vijë ideja e gjurmës së penës edhe ideja e rizbulimit të figurës. Nëse është arritur kjo, unë do të isha shumë i lumtur për simbolikën”, shprehet ai. Studiuesja e artit, Suzana Varvarica mendon se këto punë kanë një shenjë tjetër. “Shumica e punëve ngjasonin me imazhin që ka realizuar më parë Odhise Paskali, ndërsa procesi që është bërë sot, është një shenjë plus, është një imazh ndryshe. Është një krijim krejt i veçantë, që do të thotë një imazh i dytë për De Radën. Pra nuk kemi më një imazh nga Paskali, por kemi një imazh grafik shumë të mirë nga artisti, Kongo”, tha Varvarica. Juria përbëhej nga: Shaban Sinani (studiues), Krenar Zejno( drejtues i një galerie), Elvis Hoxha (kurator dhe filozof), Gentian Çoçoli, drejtor në Drejtorinë e Librit në MK, si edhe përfaqësues nga GKA. Juria u ballafaqua me prurje të larmishme në këtë konkurs. Nga 20 veprat pjesëmarrëse u përzgjodhën 5 më të mirat.
Procesi i punës
Unë dikur kam punuar te gazeta “Shekulli”. Në gazetë disa gjëra mësohen me shumë efektivitet. Një prej tyre është se, cili është lajmi më i rëndësishëm. Këtë kam bërë edhe për simbolikën e logos, sepse ishin shumë pak elemente dhe duhet që të vendosja, në mënyrë që të fokusohesha te më i rëndësishmi. Në rastin e De Radës elementi më i rëndësishëm është fjala. Si në teknikën gazetareske që duhet të presësh figurën në mënyrë që të shikosh diçka më të sigurt, siç mund të jenë sytë, në këtë rast më evidente është goja. Shtresa e dytë e informacionit ishte shpluhuroja e imazhit, sepse ne kemi parë të njëjtin imazh për De Radën tërë kohës. Kjo ishte rruga artistike. Ndërsa pjesa tjetër janë teknikat e dizajnit dhe të grafikës, që vënë në dukje pjesën tjetër, në mënyrë që logoja të dalë sa më mirë, pavarësisht çmimit.