Kongoli Çdo here qe ndihem i lumtur ndihem fajtor

Kongoli: Çdo herë që ndihem i lumtur, ndihem fajtor

Diplomati amerikan John Withers me një botim në anglisht të romanit “I humburi” - një roman tronditës dhe i vështirë për t’u matur nga cilido që mendon se do të shkruajë një ditë letërsi - tha se kishte në dorë një vlerë që do ta mbante gjithnjë me gjërat që merr me vete. “Ju e krahasuat me Dostojevskin, kurse unë do të përmend gjithashtu Solzhenicinin”.

Në këto ujëra qëndroi edhe fjala e ambasadores franceze Maryse Daviet, në vendin e të cilës, vepra e Kongolit – përkthyesi i tij në frëngjishte, Edmond Tupja që bëri dje më koncizën e rezymeve, e quan kongoland, një univers realist i ndërtuar mbi të shkuarën dhe të tashmen sikujtesë e asaj që jetohet dhe përjetohet – është përkthyer pothuajse e gjithë. Në vjeshtë del romani i fundit “Jetë në kuti shkrepësesh”. Zonja Daviet e krahasoi stilin e Kongolin me autorë si Albert Kamy apo Primo Levi.

T’i lëmë mënjanë të gjitha këto, tha më vonë Kongoli. Nuk i quan pa vend krahasimet, por ama mbeten shije të individëve. Ai mendon që për të shkruar atë letërsi që njerëzit e krahasojnë me autorë kalibri botërorë, në fund të fundit ka qenë e mundimshme, shumë e mundimshme.

Një roman si “I humburi” është shkruar “me një sinqeritet absolut. Kam provuar shumë dhimbje. Ishte një çlirim.” Ai tregon se e ka shkruar për gjashtë muaj nga dhjetori i vitit 1990 deri tek eksodi i madh kur njerëzit iknin dhe nuk ktheheshin më. Në atë kohë në shtëpinë botuese nuk vinte njeri në punë apo vinin vetëm për të marrë rrogën. Paradite mbyllej në zyrë, pasdite shkruante në shtëpi. E thotë më shumë se një herë që atë roman e ka shkruar pasi ka provuar shumë dhimbje. Sigurisht provoi edhe veten pas gjithë atij akumulimi jetësor dhe kulturor. “Letërsia është një punë e mundimshme. Ajo nuk të jep asnjë lloj kënaqësie. Të do skllav, përndryshe nuk bëhet.”

Kur keni qenë i lumtur?

Kam pasur edhe momente lumturie, ç’është e vërteta, po të pakta. Sot për shembull jam ndjerë shumë i lumtur.

Kush është frika juaj më e madhe?

Unë, në përgjithësi, nuk më vjen zor ta pohoj, jam një çikë supersticioz dhe kur njeriu lind supersticioz vetvetiu ka shumë frikëra. Frika ime më e madhe? Nuk e di. Por kam një frikë që nuk di si ta shpjegoj nga se më vjen, po mendoj se vjen nga fakti që njeriu është krijesë e vdekshme. Prandaj është edhe qenie e ankthshme. Tani nuk është se kam frikë nga ndonjë gjë konkrete, por kam frikë nga diçka që nuk e di se ç’mund të ndodhë nesër. Jeta ime ka qenë shumë e ndërlikuar, ato frikëra që kam pasur nuk i kam më, edhe mendoj që frikëra të asaj natyre nuk më prekin më. Nuk e di ç’gatuan e ardhmja.

Cili është kujtimi juaj më i hershëm?

Unë kam një kujtim që mendoj se duhet të lidhet me moshën 3-vjeçare. Mbaj mend gjyshen time nga babai e cila me sa duket ka vdekur në vitin ‘46. Unë e mbaj mend atë në shtratin e dhomës ku ishte dhe lëngonte. Mund të duket e pabesueshme, por unë e mbaj mend.

Cilin person të gjallë admironi dhe pse?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Unë admiroj disa persona. Më lejo të mos shprehem konkretisht. Personat që admiroj janë ata që janë të ndjeshëm ndaj dhimbjes njerëzore.

Çfarë nuk pëlqeni tek vetja?

Nuk pëlqej një mirësjellje të lindur, në kuptimin jo të qëllimshme por të natyrshme, për të cilën ka momente që më neveritet vetja. Gjithë jetës sime unë kam vuajtur nga ky fakt që nga të tjerët është marrë si dobësi, si kompleks inferioriteti e ndoshta këtu ka një pjesë tësë vërtetës e kjo është gjëja që e urrej më tepër veten time, por që e kam të pamundur të çlirohem prej saj.

Cila është prona juaj më e çmuar?

Nuk e kam menduar ndonjëherë, po besoj se nuk mund të ketë njeriu gjë më të çmuar se sa fëmijët e tij.

Ku do të donit të jetonit?

E di që përgjigja ime do t’ju duket një sllogan. Unë do doja të jetoja në shumë vende. E kam provuar madje që nuk mund të jetoj në vende të tjera. Përkohësisht po, por jam me aq shumë fije i lidhur me Shqipërinë sa kudo që të vete, prapë këtu do të kthehem.

Cila është forca juaj më e madhe?

Vullneti, këmbëngulja.

Çfarë ju bën të zymtë?

Shumë gjëra, por mbi të gjitha më trishton mungesa e karakterit kur e vë re tek miqtë e mi.

Për çfarë iu detyroheni prindërve?

Në radhë të parë që më kanë bërë kokën. Pastaj tim eti i detyrohem që më imponoi të studioj matematikë; nënës i jam mirënjohës për rreptësinë me të cilën më ka rritur, për kujdesin e rreptë gjatë gjithë jetës së vetë, sepse ajo ka ndenjur gjithë jetën më mua deri sa vdiq.

Libri juaj i preferuar?

Ndoshta, ndoshta, “I humburi”.

Nga ata që keni lexuar është fjala.

Ka një pafundësi. Njëherë më bënë një pyetje se cilin libër do të kisha dashur të shkruaja. Atëherë i thashë që do të doja të kisha shkruar “I huaji” i Albert Kamysë. Kurse librat që unë i dua, në kohëra kanë qenë të ndryshëm. Mbaj mend kur kam qenë në shkollë të mesme, atëherë sapo ishte botuar “Martin Iden” i Xhek Londonit. Ishte për mua një libër jastëku. Në atë kohë kam qenë i sunduar gjithashtu, sidomos vitet e para të fakultetit, nga Çehovi. Pastaj ka autorë të tjerë që nuk ka kuptim t’i rendis se janë shumë.

Cila është gjëja më e keqe që ju kanë thënë?

Shpesh më kanë thënë gjëra të këqija, por nuk dua të flas për këtë. Më kanë thënë gjëra shumë të rënda, sigurisht që s’kanë qenë të vërteta, po unë në përgjithësi nuk kam pasur dashakeqës. Dhe gjërat e keqija i kam dëgjuar nga njerëz që s’më njohin fare. Në një libër timin, e kam shkruar që ndodh të shikosh që urrehesh nga persona të cilët ti nuk i njeh fare edhe një moment ndesh tek këta persona një keqdashje gati gjarpërore. Kjo është e çuditshme.

Cilit do të donit t’i thoshit më vjen keq dhe përse?

Do t’u kërkoja të falur të gjithë atyre që më kanë dashur dhe mund t’i kem lënduar. Do t’i kërkoja të falur një personi. Isha pedagog në Institutin e Elbasanit, ku jepja matematikë. Ishte një grua e re, shtatzënë të cilën e kapa me kopje dhe e përjashtova nga provimi. Është edhe një rast për të cilin më vjen keq. Kam rrahur vajzën time kur ishte e vogël, rreth 13-vjeç. Vuaj kur e kujtoj. Nuk më shqitet nga mendja.

Cila është ajo kënaqësi që ju bën për paradoks të ndiheni në faj?

Çdo herë që ndihem i lumtur, ndihem fajtor. Sepse jam supersticioz, them e meritoj vërtet apo jo lumturinë. Është diçka e pashpjegueshme, them se ka të bëjë me natyrën komplekse të njeriut.

Çfarë mendoni për dashurinë?

Dashuria sigurisht ekziston, unë e kam provuar, është një gjë e përjetshme. Në moshën që jam, unë jam më i kthjellët, po sidoqoftë pa dashuri nuk shtyhet dot deri në fund. Dashuria merr format e saj të ndryshme gjithmonë, dhe gjithmonë ekziston, i jepet njeriut dhe ikën prej tij vetëm kur vdes. Njeriu që nuk jeton me një dashuri, sido që të jetë, e ka shumë të vështirë ta çojë këtë jetë.

Lilin, gruan tuaj shumë rrallë e shohim në ceremonitë për ju. Sot ishte me ju. Na thoni dy fjalë për të.

Po të mos kisha Lilin si bashkëshorte ndoshta s’do të kisha atë qetësi për të bërë letërsi. Realisht them që ajo i është përshtatur egoizmit tim. Shkrimtari shpesh i ka nervat në majë të lëkurës, është një qenie nevrastenike. Lili ka bërë gjithçka që të paktën të ndihem i qetë në shtëpi.

Nëse do të rishihnit të kaluarën çfarë do të ndryshonit?

Kam bërë shpesh marrëzira në të kaluarën. Por që të kthehem e ta ndryshoj është e pamundur, kështu që ta lëmë ashtu siç ka qenë dhe pikë. Pastaj ka pasur marrëzi që i kam bërë ngaqë duhej të mbijetoje.

Si qetësoheni?

Duke fjetur. Dikur qetësohesha duke pirë. Qyshse kam hequr dorë nga pija, besoj se s’ka mënyrë më të mirë dhe më të pastër se sa të qetësohesh duke fjetur. Unë e ndërtoj jetën në mënyrë të tillë që të jem larg gjërave që të induktojnë stres. Unë e ndjek jetën e përditshme – informohem – por pa qenë pjesëmarrës.

Një thënie juaja për letërsinë që dikur lexonin shumë dhe shkruanin pak, kurse sot ndodh e kundërta u citua sot nga përkthyesi juaj Edmond Tupja. Kështu është saktë?

Më saktë kam thënë: Dikur shumica lexonte dhe ishin të paktë ata që shkruanin. Shkrimtarët ishin minorancë. Ndërsa sot është e kundërta: janë shumë ata që shkruajnë dhe pak ata që lexojnë. Në këtë kuptim, ata që lexojnë janë elitë. Unë jam shumë i nderuar nëse ju më lexoni.

Cilën do të konsideronit arritjen tuaj më të madhe?

Gjatë 16 vjetëve të fundit kam arritur të botoj 8 romane dhe që janë përkthyer e bouar në vende të ndryshme të botës. Kam dhe një kënaqësi të fundit që u zgjodha anëtar i Akademisë së Shkencave. E quaj një vlerësim shoqëror.

Çfarë muzike apo këngë do të donit të luhej në funeralin tuaj?

Ndoshta “What a wonderful world” i Louis Armstrong.

Si do të donit t’ju kujtonin njerëzit?

Kështu siç jam.

Cili është mësimi më i madh që jeta ju ka dhënë?

Jeta më ka dhënë shumë mësime, shpesh herë shumë të hidhura, të rënda, edhe mësimi më i madh është që të mos e marr veten shumë seriozisht, të jem realist edhe ta marr këtë jetë një çikë me shaka.

Do të na thoni atëherë një shaka?

Shakatë janë banale, po kur do s’të vijnë.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama