Për dy kolosët e mendimit shqiptar, Faik Konica dhe Fan Stilian Noli, studiues, studentë dhe dashamirës të fushës së letërsisë dhe historisë zhvilluan një bisedë të hapur në Muzeun Historik Kombëtar (MHK). Në sallën e bibliotekës së Muzeut, nën titullin “Një mbasdite në muze!” të pranishëm ishin nëndrejtori i Muzeut, Dorian Koçi, Sali Kadria, kurator për historinë moderne, studiuesit Dorina Arapi dhe Stefan Demollari, por dhe Alma Konica, stërmbesë e Faik Konicës, Petro Luarasi, nip i Petro Nini Luarasit dhe Marie Gusho, vajza e Lasgush Poradecit, të cilët së bashku me dashamirës të tjerë të historisë zhvilluan një diskutim interesant mbi dy personalitetet e mëdha të historisë sonë kombëtare. Në thelb, pikë së pari, u vu rëndësia e përkujtimit të këtyre figurave historike. Së dyti, për të sqaruar debatin e kahershëm mbi tezat që përpiqen t’i përbaltin ato. Në këtë diskutim u theksua bashkëpunimi mes Nolit e Konicës dhe se asnjëri prej tyre, nuk kishte nevojë për t’i marrë tjetrit, pjesë apo vepra, sepse “që të dy kanë qenë gjenialë”.
“E rikthyem këtë debat sepse kërkojmë, që të paktën valët difuzive të medieve për këto personalitete, të ridiskutohen ashtu sikurse ne studiuesit e tyre besojmë se kanë qenë në të vërtetë”, tha nëndrejtori i Muzeut, Dorian Koçi duke vënë theksin te debati i hapur më parë nga gazetari Sokol Balla, i cili me tezat e sjella në vitin 2003 dhe 2012, vuri në diskutim figurën e Nolit. Teza të tjera të cilat u ridiskutuan po në këtë prizëm ishin ato të Peter Minar, të cilat u tha se u shfaqën në fillim në vitin 1994 dhe u replikuan fort nga profesor Nasho Jorgaqi, një prej njohësve më të mirë të veprimtarisë së Nolit. Në këtë pikë pas kumtesës së parë të lexuar nga Ledio Gjergji, pati dëshirë të thoshte mendimin e tij, një prej trashëgimtarëve të një familje të madhe atdhetarësh, sikurse ka qenë familja Luarasi. “Ka dy ndarje të mëdha mes historisë dhe sensacionit, mes një gazetari dhe një historiani”, tha Petro Luarasi.
“Disa njerëz dhe media kanë dëshirë t’i japin më shumë vlerë sensacioneve dhe spekulimeve sesa të vërtetës. Nga fakti që familja ime ka patur, si të thuash, të bëjë me një prej këtyre personaliteteve, mund të them dhe unë fjalën time. Babai im (Skënder Luarasi) dhe sidomos xhaxhai, kanë qenë shumë pranë Fan Nolit. Më lejoni t’ju bëj një pyetje, cilin merrni më shumë për bazë, një person me emrin Peter Minar, i cili nuk ka qenë as historian, apo të gjithë komunitetin shqiptar që ka jetuar në Amerikë? A ka mundësi të më thotë dikush se kush i qëndroi përkrah Peter Minar-it për akuzat qesharake që ngriti ndaj Fan Nolit?”, argumentoi me pyetje retorike pasardhësi i Petro Nini Luarasit. “Libri i Fan Nolit, që vetë ia dedikoi babait tim, Skënderit, në vitin 1959, dokumenton se ai ka bërë përkthimin e poemës së Skënderbeut të Longfellow-s, që në vitin 1930. Mjafton të lexojmë “Historinë e Skënderbeut” të Nolit, për ta kuptuar se në çfarë niveli e zotëronte ai gjuhën shqipe”, u shpreh Petro Luarasi, përballë tezave të Peter Minar, i cili, veç të tjerash, Nolit i pati vënë në diskutim edhe nivelin e zotërimit të gjuhës shqipe, madje duke e përshkruar atë si vjedhës të veprave të Konicës. Përtej këtij diskutimi, interesant ishin dhe dy pasazhe që mbajti stërmbesa e Faik Konicës. “Unë jam vajza e djalit të Mehmet Konicës”, u shpreh mbesa e diplomatit të shquar shqiptar .
“Historinë e vërtetë, si të thuash, tërësore, të prejardhjes sime, t’ju them të vërtetën, e kam marrë vesh vonë, në Greqi, kur një grek më habiti me njohurinë e tij mbi familjen. Kjo edhe më kënaqi shumë, por edhe më turpëroi shumë..., sepse të mos dish gjërat e familjes, nuk është mirë, mirëpo ai sistem (komunizmi) këtë kulturë na diktoi”. Më tej Alma Konica tregon edhe kujtimet e saj, të cilat ia përcolli i ati. “Faiku ka qenë një person shumë rebel. Im atë tregonte se mes Konicës dhe Mehmetit kishte gjithnjë grindje, sepse Mehmeti mundohej që zgjidhjen e gjithçkaje ta shihte te diplomacia, pra mundohej që gjithçka ta zgjidhte me diplomaci, kurse Faiku në këtë aspekt ka qenë goxha rebel. Pikësëpari duhet thënë se Faiku ka qenë produkt perëndimor, jo shqiptar. Ai, sikurse dhe vetë familja, iku shumë i vogël nga Konica dhe gjithë formimin, si të thuash, e mori jashtë Shqipërisë. Me tregimet e babait, teksa grindeshin, Faiku i thoshte shpesh Mehmetit, që: “Hë more vëlla, ti vërtetë e bën këtë diplomaci kështu, por hajde dhe bëji njëherë të marrin vesh këta (shqiptarët). Çdo mënyrë kam përdorur, me të urtë, me të butë, me diplomaci, pa diplomaci, por nuk marrin vesh. Unë do t’i shaj, unë tanimë do përdor kërbaçin me këta, sepse më mirë ta përdor unë kërbaçin dhe t’i rrah unë këta, sesa të shoh që të mi rrahin të huajt njerëzit e mi”. Kjo ishte dhe filozofia e Faik Konicës për shqiptarët”.
Ekspozita
Në Bibliotekën Kombëtare nesër, ora 17:00, çelet ekspozita kushtuar dy figurave të shquara të jetës kulturore, letrare, politike e shoqërore të mbarë botës shqiptare, që nga kolonitë e largëta e deri te zemra e saj në Ballkanin e ndërliqshëm: NOLI / KONICA – Albumi i një bashkohësie
Pikërisht në përkujtim të 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit, dhe 140-vjetorit të lindjes së Faik Konicës (13 dhe 15 mars), i propozohet publikut një qasje të veçantë, e cila ndjek dialogun kompleks që karakterizoi të dy personalitetet poliedrike, duke vënë në dukje njëkohësisht kontributet e tyre të përbashkëta, si shkrimtarë, përkthyes, kritikë letrarë e kritikë socialë, dijetarë të hollë në debatet ndërkombëtare të kulturës botërore, por edhe polemistë të fuqishëm ndaj zhvillimeve politike jo vetëm Shqiptare, por edhe rajonale e europiane.
Kjo ekspozitë u konceptua në trajtat e një albumi sekuencial, në tekste dhe imazhe, të cilat përzgjedhin rrugëtimet dhe pikëtakimet mes tyre, realitete ende kërshëritëse të historisë sonë kulturore e politike, ku përkthyesi i flet shkrimtarit, ku muzikanti i gjegjet muzikologut, ku shkrimtari thërret kritikun, ku politikani i përngjas artistit e njeriu i Perëndisë kuvendon me aktivistin, ku publicisti qesh me pseudonimet e kundërshtari përmallet me mikun. Homazh admirues, por dhe vështrim thellues mbi dy figura të papërsëritshme, koncepti i kësaj ekspozite shpie natyrshëm te një bashkohësi e dyfishtë, ajo realja, ndërmjet tyre, dhe ajo e sotmja, po aq fuqimisht reale, me të tashmen tonë.
Projektet që vazhdojnë
Muzeu Historik Kombëtar vazhdon me projektin e saj për të nxitur diskutime rreth figurave historike shqiptare apo të atyre që kanë kontribuuar në vlerat e vendit. Organizimi që mban titullin “Një mbasdite në muze!” duket se do të vazhdojë më tej me figura të tilla sikurse Martin Camaj, apo Lasgush Poradeci. Vetë nëndrejtori Dorian Koçi tha ndër të tjera se Muzeu ka si projekt krijimin e një rrjeti për pasardhësit e familjeve të këtyre figurave, pasardhës, të cilët të mos takohen rastësisht, por të organizohen dhe të ndajnë dëshmitë e tyre të gjalla me publikun dhe vetë Muzeun.
Shqiptarët nuk lexojnë as Konicën, duhen kulturuar
Alma Konica, stërmbesa e Faik Konicës, dëftoi gjithashtu për një tregues tejet negativ përsa i përket figurës së Faikut. Ajo tregoi se pavarësisht se Konicës ia botoi të 12 volumet e “Albania”-s, ato nuk lexoheshin dhe nuk kërkoheshin nga tregu shqiptar. Mbesa e Mehmet Konicës nuk përdori diplomaci teksa tha se ndihej tejet e zhgënjyer nga sistemi demokratik dhe se shqiptarët nuk e kuptojnë ç’është kultura e tyre. Duke treguar për nismën për të botuar revistën “Albania” ajo tha se asnjë revistë nuk u shit dhe të gjitha i mbetën në shtëpi.
“Kisha një, si të thuash, detyrim moral, që ta ribotoja “Albania”-n e Konicës, ashtu sikurse e ka patur ai, me ato germa, me atë format, domethënë të ishte identike. Ishin 12 volume. E bëra duke marrë një guxim prej budallai. Mbase kjo është... se ne si fis mbase jemi pak budallenj dhe marrim shpesh rreziqe të mëdha. Duke qenë se kam punuar vetë në shtypshkronjë thashë se kjo do të ishte një ndërmarrje e thjeshtë. Thashë me vete: “Unë di ta bëj!”. Por realisht puna më e madhe ishte mbledhja e materialeve dhe përpunimi i tyre. Më është dashur tre vite që të punoj materialet, më pas gjeta një shtypshkronjë dhe u thash se nuk kisha para, por që këto materiale duheshin botuar me patjetër. “E bëjmë!”, më thanë me idenë se shpenzimet do të merreshin nga shitja e tyre. Kur bëra 200 kopjet e para kisha frikë se nuk do të shiteshin, por ato u shitën shumë mirë në Prishtinë. Ndërkohë nuk shkoi aq mirë. Avash-avash shitjet ranë”, tregon Alma Konica. Më tej ajo tregon se nuk hoqi dorë, por i botoi të gjitha.
“Nuk mund ta lija me aq, deri në botimin e volumit të 3-të, ndaj e shtyja për deri në fund. Por sa herë që një volum hidhej në treg, thosha që nuk do e bëja më. Kështu deri sa erdhi volumi i 12-të. I bëra të 12-ta dhe më besoni, të gjitha i kam në shtëpi. A besoni që kur shkoj dhe pyes në librari për këto libra, më thonë: ‘Aha, nuk e kemi, nuk shiten ato!’. U them që ta marrin vetëm një dhe ta shohin që nëse do të kishin shitje të më kontaktonin. As marrin mundimin të m’i marrin. Unë kam bërë një gjë që është për të qeshur. Duhet që këta njerëz që quhen shqiptar, sikurse dhe unë, duhet që t’i kulturojmë duhet që t’i bëjmë që të lexojnë libra dhe të kuptojnë se ç’është kultura e vendit të tyre. Në Greqi thoshin, që nëse nuk e di kulturën e vendit tënd, je zero me xhufkë. Duhet që t’i gdhendim këta njerëz. T’i bëjmë të identifikueshëm, por mendoj ende tek ajo shprehja e Konicës për Shqipërinë (Shqipëri moj të kam... s’të kuptova dot një herë!), vazhdon të mbetet”. Alma Konica e shtroi këtë shqetësim edhe për sa i përket shtëpisë së familjes së saj, që ndodhet në Konicë, territor ky i mbetur jashtë Shqipërisë pas 1913-ës. “Shtëpia e familjes sonë qëndron e prishur që prej vitit 1996, vit kur në atë zonë ra dhe tërmet. Kjo shtëpi nuk mund të rri në atë gjendje, por kjo situatë ka të bëjë edhe me politikën që kanë dy vendet”.
Poradeci ua di për nder Nolit dhe Konicës
E pranishme në diskutimin e mbajtur ishte edhe Marie Gusho, vajza e poetit, shkrimtarit dhe piktorit të njohur Llazar Gusho (Lasgush Poradeci). Ajo kërkoi që të mbante një fjalë përpara të pranishmëve, për t’i falënderuar, në emër të babait të saj, të dy figurat e mirënjohura. Së pari, Nolin, që i dha të drejtën e shkollimit dhe, së dyti, Konicën, që i dha një copëz Shqipërie edhe në momentet kur ishte larg vendit. Vajza e Poradecit përmendi edhe disa letërshkëmbime mes tij dhe Konicës, ndërkohë që e vlerëson shumë atë që bëri Noli për të atin e saj. “Kur qeveria e Fan S. Nolit, erdhi në pushtet, pyeti:
“A kemi ne studentë nëpër botë?” Ishte viti 1924 dhe atëherë babi (Llazar Gusho), asokohe ishte sekretar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit”, tregoi ai nuk ishte regjistruar në Universitet, por dëshira e tij e madhe ishte që të regjistrohej, kjo për t’i shërbyer Shqipërisë. Në mendje ai e kishte gjithnjë dëshirën për t’u bërë një kuadro. Kështu kolonia shqiptare e Bukureshtit i bëri asokohe një kërkesë Nolit, që t’i jepte një bursë Lasgush Poradecit, bursë studimi në vendet gjermanike, kjo do të ishte taksative, pra do ta vendoste vetë babi. Kështu Fan Noli... figurën e të cilit e falënderoj jashtë mase, sepse për atë që kemi ne sot në vendin tonë e kemi prej këtyre personaliteteve që punuan me kaq mund për Shqipërinë... Babi mbaj mend që më ka thënë se kishte qenë në konsullatën shqiptare të Bukureshtit me Asdrenin, kur ai i thotë se kishte ardhur një telegram nga Shqipëri dhe në të thuhej se “Llazar Gusho emërohet bursier i Shtetit, të studiojë albanologji, të niset për në Berlin”.
Këtë telegram familja jonë e zotëron ende. Babi më pas studioi jo në Berlin, sepse atje nuk kishte kartela albanologjie, studioi filologji romano-gjermanike në Graz (Gras) të Austrisë, ku u doktorua në vitin 1933. Më pas, në emër të tim ati, dua të falënderoj Konicën, dhe teksa falënderoj përmend dhe tre letra që babi i dërgoi atij në kohën kur kishte funksionin e Kryetarit të “Vatrës”, e cila botonte gazetën “Dielli”. Babi e lut me letra, me një politesë fantastike..., ishte i ri asokohe. Një letër është në vitin 1924, një tjetër në 1925-ën dhe tjetra më pas në vitin 1926. Babai e lut t’i sjellë në Austri një abonim të gazetës “Dielli” dhe i shkruan, se kjo gazetë i sjell atij një copëz Shqipëri, dhe kështu pas këtyre letrash, “Vatra” ia dërgon botimin e gazetës dhe gjithçka ishte krejt ndryshe për babin”.