Po kështu, një tjetër kriter do të jetë zotërimi i një gjuhe të huaj të mbrojtur me certifikatë. Mandati i një drejtori shkolle do të jetë katër vjet. “Kur drejtori mbush katër vite të plota të njëpasnjëshme shkollore, duhet të hapet konkurrimi për vendin e tij. Mandati i një drejtori mund të përsëritet pa kufizim. Bordi i arsimit ngrihet në nivel zone, që është nën juridiksionin e një DAR/ZA-je”, sqaruan specialistët e Ministrisë. Sipas tyre, drejtuesit e shkollave do të vlerësohen me pikë edhe për kualifikimet e ndryshme gjatë viteve të punës. Do të ketë dy lloje procedurash për emërimin dhe shkarkimin e tyre. “Emërimi dhe shkarkimin i një drejtori mund të kryhet nga bordi i shkollës dhe bordi i arsimit. Bordi i një shkolle merr pjesë në emërimin dhe shkarkimin e një drejtori vetëm kur përmbush disa kushte paraprake.Bordi i shkollës përzgjedh dy kandidatë për drejtor në mes aplikuesve dhe ia dërgon bordit të arsimit. Bordi i arsimit përzgjedh njërin nga dy kandidatët”, përcaktohet në rregullore. Po kështu, edhe shkarkimi i një drejtori mund të propozohet nga bordi i shkollës. Ky i fundit vendos që t’i propozojë bordit të arsimit shkarkimin e drejtorit. Bordi i arsimit merr vendimin për shkarkim.
Konkursi
Nga sa sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit, drafti përfundimtar pritet të jetë gati brenda pak javësh. Më pas do të shpallen datat e konkursit dhe procedurat e detajuara. Burime nga MASH bëjnë me dije se në konkurs pritet të përfshihet edhe një testim për aftësitë profesionale me shkrim, i cili gjithashtu do të vlerësohet më pikë.