Konstantinides zbulon objektivat me Kombetaren shqiptare

Konstantinides zbulon objektivat me Kombëtaren shqiptare

Trajneri qipriot, Antonis Konstantinides, do të drejtojë kuqezinjtë në eliminatoret e "Eurobasket 2017".

Antonis Konstantinides

Antonis Konstantinides

Kombëtarja shqiptare bën pjesë në grupin F së bashku me Gjeorgjinë, Malin e Zi dhe Sllovakinë. Ndeshjet eliminatore të këtij grupi për kuqezinjtë e koshit do të fillojnë në fund të gushtit dhe do të përfundojnë me sfidën ndaj Sllovakisë më 17 shtator.

Trajneri i ri, që fitoi me Sigal Prishtinën Ligën Ballkanike, gjatë një interviste për "Panorama Sport", ka rrëfyer objektivat që ka në krye të stolit.

Cila është ndjesia e të kurorëzuarit kampione e Ligës Ballkanike?

Jam shumë i lumtur për këtë sukses, pasi është me të vërtetë një fitore e rëndësishme për të gjithë familjen e Sigalit, trajnerët, lojtarët, tifozët dhe për komunitetin e Kosovës. Sigali e kërkonte me çdo kusht titullin e dytë radhazi dhe jam shumë i lumtur që objektivi ynë u kurorëzua me sukses. Ishim ekipi më i mirë dhe e meritonim 100% këtë trofe.

Sa herë e keni vizituar Shqipërinë?

Shqipërinë e kam vizituar vetëm tri herë në jetën time. Herën e parë isha për të ndjekur finalen e Kupës në Shkodër, ndërsa herën e dytë në Tiranë, kur u prezantova si trajneri i ekipit kombëtar nga FSHB-ja. Kam qenë sërish para një muaji në kryeqytet ku kam pasur disa takime në federatë për programin dhe detajet e përgatitjes së ekipit kombëtar.

Cili është ndryshimi i të qenit trajneri i një klubi dhe i një përfaqësueseje?

Ka shumë dallime. Unë kam qenë në të kaluarën time kreu i ekipit kombëtar në Qipro dhe më besoni kur them se është krejtësisht ndryshe të drejtosh një klub dhe ndryshe një përfaqësuese. Kur drejton një kombëtare, ke shumë pak kohë në dispozicion për të përmirësuar skuadrën. Duhet një punë intensive me çdo lojtar, në mënyrë që ata të perceptojnë filozofinë e basketbollit që kërkojmë të vëmë në praktikë. Ndërsa ndryshe është drejtimi i një klubi, pasi punon çdo ditë të vitit me lojtarët që ke në dispozicion dhe është më e thjeshtë.

Pse u bindët për të marrë drejtimin e stolit kuqezi?

Për mua, stoli i kombëtares shqiptare është një sfidë shumë e madhe. Objektivi im është që të përkushtohem për të ndërtuar një skuadër të fortë dhe të hedhim bazat për të ardhmen. Jam i bindur që së bashku do të ndërtojmë një skuadër cilësore dhe agresive. Unë kam ardhur këtu për të qëndruar për një kohë të gjatë dhe jo vetëm për stinën e verës. Ka shumë lojtarë të mirë brenda dhe jashtë kufirit shqiptar që mund të japin kontributin e tyre për përfaqësuesen. Dua që t'u jap mundësi të rinjve të shpalosin vlerat dhe cilësitë që kanë. Ne duhet të punojmë shumë për ta rikthyer basketbollin shqiptar në hartën e Europës. Unë jam shumë optimist për këtë dhe vërejta që FSHB-ja dhe veçanërisht presidenti ynë, Avni Ponari, kanë ambicie të madhe për të bërë diçka të rëndësishme për Shqipërinë.

Cili është objektivi juaj si trajner?

Si fillim, puna jonë do të ndahet në dy kategori. Përzgjedhja e basketbollistëve që militojnë në kampionatin vendës. Më pas do të inspektoj së bashku me stafin elementët cilësorë që luajnë jashtë kufirit shqiptar. Shqipëria ka shumë lojtarë cilësorë që luajnë në Itali, Greqi, Angli, SHBA. Ky është vetëm fillimi i punës sonë. FSHB synon afrimin e lojtarëve që luajnë jashtë Shqipërisë në kombëtaret e moshave, pasi kjo është baza për të hedhur themelet e së ardhmes.

Cila do të jetë baza e Kombëtares?

Në çdo skuadër ku kam punuar, kam synuar gjithmonë të jem i suksesshëm dhe të lë gjurmë. Ky është edhe objektivi madhor që kam në Kombëtaren kuqezi.

Keni bërë diçka të mrekullueshme me Sigal Prishtinën, sa e mundshme është që ta përsërisni një sukses të tillë edhe me Kombëtaren shqiptare?

Nuk e ndiej presionin në punën time. Unë e dua zanatin tim dhe e bëj me pasion. Kam shijuar çdo sekondë të asaj që kam bërë deri më tani. Sigurisht duhen rezultate të menjëhershme dhe do të punojmë që t'i marrim. Ju siguroj se do japim më të mirën tonë në këto gjashtë ndeshje kundër Malit të Zi, Gjeorgjisë dhe Sllovakisë. Sigurisht jemi të vetëdijshëm që kalendari nuk është i lehtë. Synoj që Kombëtarja shqiptare të paraqesë një lojë moderne me një filozofi të qartë në mbrojtje dhe sulm. Dua që ekipi të zbresë në parket agresiv në çdo ndeshje dhe të kërkojë gjithmonë fitoren.

A keni piketuar ndonjë kandidat për ta natyralizuar me Shqipërinë?

Po, ne kemi vendosur që t'u japim pasaportën shqiptare 2 lojtarëve amerikanë, mirëpo për emrat duhet të prisni.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama