TIRANË, 2 Nëntor/ATSH/.- Komisioni hetimor "Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, për periudhën 15 shtator 2013 - 30 shtator 2015 zhvilloi te henen mbledhjen e parë të konstituimit.
Kryetari i komisionit, Genc Pollo u prezantoi anëtarëve edhe objektin e këtij hetimi, që u shoqërua me diskutime nga deputetët pjesëmarrës në komision.
Më tej, deputetët e mazhorancës propozuan deputetin Ulsi Manja, si sekretar të komisionit. Edhe opozita ra dakord për këtë propozim dhe votoi pro zgjedhjes së z. Manja, si sekretar i komisionit.
Në mbledhjen e radhës do të diskutohet për planin e hetimit të këtij komisioni.
Sipas vendimit të Kuvendit komisioni hetimor, i ngritur me propozim të një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, ka objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e të dhënave për fenomenin e emërimeve të kundraligjshme dhe politike në administratën shtetërore apo entet publike, për periudhën 15 shtator 2013 - 30 shtator 2015, duke përfshirë emërimin e personave që kanë kryer veprime kriminale apo trafikim të lëndëve narkotike.
/a.s/ /a.g/