TIRANË, 4 Nëntor/ATSH/.- Komisioni parlamentar hetimor "Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit për administrimin e të dhënave shtetërore tatimore" u konstitua paraditen e së mërkurës me mbledhjen e parë të tij.
Komisioni, i ngritur me propozimin e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, miratoi sot rregulloren dhe planin paraprak të hetimit. Objekti i punës së tij është kontrolli i zbatimit të legjislacionit tatimor në administrimin e bazës së të dhënave shtetërore nga ana e administratës tatimore për periudhën 12 nëntor-7 dhjetor 2013.
Gjithashtu, hetimi parlamentar synon dhe njohjen me arsyet e mosfunksionimit të sistemeve tatimore për disa ditë, me qëllim parandalimin e kësaj problematike të dëmshme në të ardhmen.
Komisioni, që kryesohet nga deputeti i PD-së, Arben Ristani, do e ushtrojë veprimtarinë e tij hetimore për një afat 3-mujor, deri më 22 janar 2016./a.s//m.m/