Produktet shqiptare bujqesore dhe blegtorale do të tregtohen të ndara nga ato të importit. Përmes kësaj nisme Ministria e Bujqësisë synon të nxisë prodhimin dhe konsumin e sa më shumë produkteve vendase.
"Unë mendoj se ekzistojnë këto mundësi që ne të rezervojmë një hapësirë të tregut, kur ne të tregtojmë vetëm shqip, në mënyrë që prodhuesve të vendit t'u jepet mundësia për të dalë me prodhimet e tyre të freskëta bio, por edhe konsumatorit shqiptar t'i vihen në dispozicion prodhimet shqiptare, për të cilat unë jam i bindur që janë shumë më cilësore se prodhimet e importit", tha ministri Panariti.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti përuroi tregun e restauruar të mishit në kryeqytet, i cili prej kohësh qëndron i mbyllur pasi nuk plotësonte standardet e cilësisë dhe sigurisë së tregtimit të mishit.
"Shumë shpejt do të kemi edhe instalimin e frigoriferëve dhe të gjitha pajisjeve të tjera të domosdoshme që bëjnë të mundur tregtimin dinjitoz dhe brenda parametracve të cilësisë së sigurinë, atë që pikërisht kërkon konsumatori shqiptar, i cili ka të gjithë të drejtën të trajtohet me të gjitha standardet e cilësisë dhe të sigurisë, sikurse edhe konsumatori europian", tha Panariti. Restaurimi i tregut është kryer nga njësia bashkiake numër 2, me një investim prej 4.5 milionë lekësh.