Antonio Konte është shfaqur tepër i karikuar në vigjilje të ndeshjes së sotme kundër Spanjës, teksa në konferencën tradicionale për shtyp është munduar të "shkundë" ekipin: "Kemi shumë respekt për një kundërshtare si Spanja, e cila është një ndër Kombëtaret më të forta në botë dhe sigurisht favoritja kryesore për të fituar Europianin".
Më tej, ai tha: "Skuadra ka punuar shumë gjatë kësaj periudhe, jemi përgatitur mirë dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se kjo ndeshje nuk ka një të nesërme, pasi kush humbet, largohet. Shpresoj që të futemi në fushë me stimujt e duhur". Lidhur me eksperiencën e përfaqësueses italiane në "Euro 2016", në fjalën e tij ish-trajneri i Juventusit shtoi: "Që aventura jonë në këtë turne të rezultojë e suksesshme, nuk duhet që të kemi pengje. Në çdo ndeshje duhet të japim maksimumin tonë. Nëse më pas kundërshtari do të tregohet më i fortë, do jemi ne të parët që do ta duartrokasim, por në të kundërt, dua që trofeun ta fitojmë ne".
Trajneri i Italisë ka zbuluar edhe "recetën" kundër Spanjës: "Shumë njerëz thonë që duhet të tregohemi të kujdesshëm te talentet individuale që ka Spanja, mirëpo unë i druhem më shumë grupit, i cili luan një futboll shumë të bukur dhe pjesa më e madhe janë prej disa vitesh pjesë e skuadrës duke fituar gjithçka. Ata janë një skuadër shumë e organizuar, ne e kemi si detyrim të bëjmë surprizën dhe të kualifikohemi për në fazën e ardhshme. Asgjë nuk është e pamundur, as unë dhe as lojtarët nuk duam që të rikthehemi në shtëpi".
Në fund, Konte tha: "Lojtarë si Iniesta, Morata, Fabregas, Nolito etj., mund të bëjnë diferencën në çdo skuadër, ne duhet që t'i imponojmë respekt kundërshtarit, në mënyrë që edhe Spanja të na druhet. Jam i bindur që ekipi im e ka mundësinë për të prishur parashikimet dhe për të mundur Spanjën. Futbolli është i bukur edhe për faktin se nuk fiton gjithmonë ekipi që është më i fortë në letër, por ai që ka më shumë dëshirë dhe përkushtohet më shumë në fushë për të fituar".