Kontrabanda e naftes Spiropali zbulon demin prej 4 milione dollaresh

Kontrabanda e naftes, Spiropali zbulon demin prej 4 milione dollaresh

Rreth 4400 tonë naftë kontrabandë janë hedhur në tregun shqiptar, duke shkaktuar një dëm me vlerë 4 milionë dollarë për shtetin shqiptar. Zbulimi i këtij rasti vjen vetëm një ditë pasi në krye të kësaj strukture u vendos Elisa Spiropali. Megakontrabanda e naftës është bërë publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila deklaroi se rasti flagrant ka ndodhur në Rrethin e Lezhës. Ngarkesa e bllokuar rezulton në pronësi të “Ada Petrol”, pronë e Tonin Uldedajt, vëllai i ish-deputetit të PD-së në Shkodër, Gjok Uldedaj.

“Strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës, në datën 2 tetor 2013, në degën e Doganës Lezhë, kanë zbuluar hedhjen për konsum në mënyrë të paligjshme nga kompania ‘Ada Petrol’ të 4400 tonëve karburant gasoil”, kanë bërë të ditur burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Sipas të dhënave, kjo kompani rezulton të jetë në pronësi të vëllait të ish-deputetit të PD-së në Shkodër, Gjok Uldedajt, aktualisht këshilltar i PD-së në Bashkinë e Lezhës. Gjithashtu, ai ka qenë kreu i Dhomës së Tregtisë. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kanë bërë të ditur se prej 9 muajsh në këtë kompani nuk kishte ushtruar asnjë kontroll. Sipas të njëjtave burime, mësohet se karburanti ndodhej në depozitat në Shëngjin, në pronësi dhe përgjegjësi të kësaj kompanie, që ishin plumbosur nga autoritetet doganore. Me hedhjen në treg në mënyrë të paligjshme të kësaj sasie karburanti, është shmangur detyrimi doganor në shumën e 388 920 165 lekëve, vlerë e cila përbën një dëm të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.

 

Kompani “Ada Petrol” operon në tregun shqiptar që prej vitit 2004 dhe e ka selinë në Tiranë në rrugën “Abdi Toptani”, pranë godinës së PD-së. Kjo kompani është krijuar me një kapital themeltar prej 250 milionë lekësh dhe ka për objekt importin dhe tregtimin me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera, stacione të shitjes me shumicë dhe pakicë të karburanteve për automjete dhe agregate të ndryshme. Në objektin e shoqërisë është parashikuar edhe hapja e njësisë së shitjes së lëndës djegëse për ngrohje të konsumatorëve, veprimtari transporti detar dhe tokësor të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera.

Ndërkaq, në lidhje me këtë rast abuzimi, mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të kreut të degës së Lezhës. Ndërsa për kompaninë “Ada Petrol” është përgatitur kallëzimi për veprën penale të “kontrabandës me mallra që paguajnë akcizë”, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet për nxjerrjen e përgjegjësive të mundshme administrative apo penale të personelit doganor.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama