Kontraceptivet mbajne larg kancerin te femrat

Kontraceptivët mbajnë larg kancerin te femrat
"Jo vetëm që nuk kanë efekte anësore, por shpeshherë ne i rekomandojmë për trajtime mjekësore, në rastet kur femrat paraqesin çrregullime. Madje, studimet tregojnë se kontraceptivët parandalojnë kancerin e qafës së mitrës dhe atë të gjirit te femrat. Me këto fjalë, mjekja gjinekologe, Lindita Myzyri, përpiqet që të largojë çdo paragjykim të gabuar që ekziston mbi përdorimin e metodave kontraceptive, si tabletat ditore, injeksionet, spiralja etj. Sipas saj, mungesa e informacionit dhe paragjykimet bëjnë që femrat të jenë skeptike për metodat kontraceptive. Mjekja Myzyri sqaron se kontraceptivët ndahen në dy grupe: në hormonale dhe jo hormonale. Te grupi i dytë për të cilin edhe informacioni është më i vakët bëjnë pjesë kontraceptivët me një hormon (progesteron) dhe dy hormone (estrogjen-progesteron). Ato merren në formë pilulash orale.

Mjekja gjinekologe hedh poshtë faktin se një femër që përdor këto kontraceptivë rrezikon të shtojë ndjeshëm në peshë, apo ka ngarkesë emotive e psikologjike. Ajo thekson se këtu vlen për t‘u përmendur fakti se si janë përdorur këta kontraceptivë. Pasi është kusht që të përdoren në një orar të caktuar. "Nëse ky orar nuk respektohet, pohon Myzyri, atëherë shkaktohen probleme hormonale, që ndikojnë në aspektin psikologjik. Kjo, pasi prishet balanca hormonale". Ndërsa, për sa i përket shtimit në peshë, ajo siguron se shumë studime kanë treguar se kontraceptivët nuk ndikojnë aspak në këtë drejtim. Por, një faktor që realisht mund të ndikojë është qetësia shpirtërore e femrës, për faktin se nuk do të mbetet aksidentalisht shtatzënë.

Lidhur me efektet anësore të përdorimit të kontraceptivëve oralë, mjekja sqaron se përgjithësisht nuk evidentohen. "Por edhe nëse shfaqen gjate tre muajve të parë të tilla si dhembje koke apo pështjellime, ato kalojnë menjëherë sapo trupi mësohet me ta", shprehet Myzyri. Por ajo këshillon që për femrat të cilat përdorin antidepresivë, kontraceptivët duhet të ndërpriten. Kjo, pasi nuk japin efekt, jo për shkak të ilaçeve, por sepse personi ka humbur rregullsinë në përdorimin e tyre.

Duke iu referuar sërish studimeve të shkencëtarëve ndërkombëtarë,

mjekja Myzyri hedh poshtë thëniet se përdorimi i hapeve kontraceptive shkakton kancer. Ajo vë në dukje të kundërtën. "Studimet e fundit thonë se pilulat kontraceptive me dy hormone parandalojnë kancerin e qafës së mitrës dhe kancerin e gjirit", shprehet mjekja gjinekologe.

Për sa i përket përdorimit të pilulave me dy hormone, ose siç njihen ndryshe (COC), mjekja sugjeron se ato nuk duhet të merren nga gratë mbi 35 vjeç që pinë mbi një paketë cigare në ditë. Po kështu nuk duhet të përdoren nga femrat të cilat vuajnë nga diabeti që prej më shumë se 20 vjetësh, ato që kanë probleme madhore të zemrës, apo kanë mëlçinë të shkatërruar, si dhe gratë

me tension arterial 14-9. Ndërsa kontraceptivët me një hormon nuk mund t‘i përdorin gratë që kanë tension arterial 16-10, si dhe kategoritë e lartpërmendura. Por këto kontraceptivë janë krejtësisht të dobishëm për femrat që pinë cigare.

Megjithatë, mjekja Myzyri sjell në vëmendje edhe një sugjerim për të gjitha gratë dhe vajzat që u drejtohen metodave të kontracepsionit për t‘u ruajtur nga shtatzënitë e paplanifikuara. "Përpara nisjes së përdorimit të kontraceptivëve duhet të këshilloheni me një mjek specialist, për t‘ju rekomanduar kontraceptivin që bën për ju. Jo gjithmonë më i shtrenjti është më i miri", thotë ajo.

Shëndeti riprodhues është mirëqenia e përgjithshme fizike, mendore dhe sociale, e lidhur jo vetëm me sëmundjet apo me çrregullimet e aparatit gjenital, por edhe me funksionimin e tij. Shëndeti riprodhues nënkupton që njerëzit të bëjnë një jetë seksuale të kënaqshme dhe të sigurt, të kenë aftësi të riprodhojnë dhe të jenë të lirë për të vendosur për kohën dhe numrin e fëmijëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama