Kontrasti shkelqyes i ngjyrave dhe ndjenja e se bukures

Kontrasti shkëlqyes i ngjyrave dhe ndjenja e së bukurës
Duke pranuar mungesën e dijes në të fshehtat e pikturës, sjell në këtë shkrim efektin e çastit, që me sa dëgjova rastësisht, por dhe me sa arrita të bisedoj me të njohur e të panjohur, ka të përbashkët me mua pëlqimin tej atij të zakonshëm. Atë pëlqim, që ta kënaq shpirtin nëpërmjet kontrastit shkëlqyes të ngjyrave, bashkë me kënaqësinë shijuese të pejsazheve përzjerëse të natyrës me jetën dhe veprën krijuese të njeriut.

Një realizëm i veçantë sa klasik aq dhe bashkëkohor, përkrah tendencave moderniste, por që ruajnë dhe përcjellin në shikuesi kuptueshmërinë e idesë së temës që trajtojnë. Ndalesh para pikturës së Vangjelit dhe ndjen jo vetëm shpirtin e piktorit, por edhe të poetit. Piktura e tij ngjan me një poezi, herë të përfunduar e herë jo, si për t\'ia lënë shikuesit vazhdimësinë dhe mbylljen. Në mjedisin e volitshëm të një dyqani-pastiçeri, më shumë se ëmbëlsirat dhe pijet e servirura, na ëmbëlsuan dhe dehën ngjyrat e pikturave. Dhe s\'ishin bërë as dy orë nga çelja e ekspozitës, kur gati gjysma e pikturave të ekspozuara kishin gjetur pronarin e tyre adhurues.

Një urim më tepër për suksesin, që me thënë të drejtën në këtë kohë ngurimesh në harxhim eurosh s\'ka si mos të të gëzojë dhe entusiazmojë. Thjesht dhe pa ceremonira protokollare ishte dhe ardhja e prefektit të Selanikut, z. Panajoti Psomiadhi. Takime duarsh, përshëndetje dhe urime mes tij dhe Vangjelit, por dhe me ne të njohurit e të panjohurit. Përzjerje bisedash shqip e greqisht, që të mbushin më shumë me krenari dhe afinitet miqësie mes dy popujve fqinj. Rreth e qark kurora e pikturave me firmën e piktorit, aureola më e bukur e mbrëmjes, që e ndjenim të gjithë të zbukuronte dhe ngrohte këtë miqësi. Faleminderit Vangjel që kaq bukur na fole dhe bashkove me gjuhën e artit tënd figurativ!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama