Me zgjidhjen e çështjes së tra jnerit, Tirana pritet që të nisë menjëherë me blindimin e grupit. Pritet të ketë rinovime dhe rishikime kontratash, por gjithçka do të ndodhë pasi të zyrtarizohet pankina. Dhe drejtuesit kanë mjaft punë për të bërë në këtë drejtim, pasi nuk janë pak, por plot 7 futbollistë që mbeten të lirë në fundin e këtij muaji.
Konkretisht, Edvan e Elis Bakaj, Bulku, Fukui, Kërçiku, Malaj e Hoxhallari janë lojtarët që u skadon marrëveshja më 30 maj 2016. I sigurt deri më tani duket largimi i Elis Bakajt, i cili, edhe pse në fillim pat nënshkruar një kontratë 1+1, ka bërë kërkesë si në klub, ashtu edhe në FSHF që të mos zbatohet rishikimi. Duke konfirmuar kështu në një lloj forme "divorcin" dhe dëshirën e tij për të luajtur jashtë vendit për sezonin e ri.
Ndërsa për të tjerët e ardhmja mbetet pezull, pasi shanset që të qëndrojnë ekzistojnë, gjithnjë nëse do të ketë vullnet dypalësh për të zgjatur kontratën. Për Ilir Avdylin, Dejan Karanin dhe Dritan Smajlin, situata është krejt ndryshe.
Ata kanë firmosur me mundësi rinovimi, ndaj pritet që në muajin e ardhshëm ata të flasin me drejtuesit. Dhe vetëm nëse bien dakord, +1 do të vihet në zbatim vazhdimi i kontratës. Enriko Papa, nga ana tjetër, i ardhur në janar, ka nënshkruar për 1 vit dhe atij i mbaron akordi dhjetorin e 2016-ës. Ndërsa 11 futbollistë të tjerë kryeqytetasit i kanë të blinduar, por edhe për ata nuk ka siguri. Rasti konkret është ai me Ronald Gërçaliun, që edhe për mediat austriake e pat shfaqur dëshirën që t'i japë fund aventurës në Shqipëri.
Sakaq, emra si Muça, Karabeci, Lika, Muzaka, Teqja, Vucaj, Idrizaj, Çaka dhe i talentuari Peçi janë me letra bardheblu, të paktën për një vit. Në të gjithë këtë situatë, pritet që Tirana projektin e sezonit 2016-2017 ta nisë fillimisht nga kontingjenti që mbylli këtë kampionat. Dhe vetëm më pas do mendojë për merkaton në hyrje. Epiqendra e blerjeve do të fokusohet sidomos në sulm, repart i cili mbetet "bosh", gjithnjë nëse largohet edhe Fukui me Bakajn, të cilët janë adaptuar gjatë këtij viti. Gjetja e një "pyke" është kthyer në një mision, pasi drejtuesit edicionin e ri nuk duan që të përsërisin të njëjtat gabime.