Kontrolli mjekesor pa pagese procedurat qe duhen ndjekur dhe analizat qe perfitohen

Kontrolli mjekesor pa pagese, procedurat qe duhen ndjekur dhe analizat qe perfitohen

Të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë pa pagesë nga programi  kombëtar i kontrollit mjekësor bazë. Identifikimi i shtetasve të grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë realizohet nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të  Brendshme  dhe  të  regjistrit  elektronik,  që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore. Kjo përcaktohet në vendimin e miratuar në mbledhjen e Qeverisë, ku gjithashtu përcaktohen edhe komponentët e këtij kontrolli. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, kontrolli mjekësor bazë është një program kombëtar që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore.

 

Çfarë përfshihet në paketën e kontrollit bazë

 

Paketa e kontrollit mjekësor bazë përfshin vlerësimin, këshillimin, trajtimin   dhe   ndjekje   për faktorët e stilit të jetesës. Në bazë të këtij kontrolli pritet të mblidhn të dhëna të sakta mbi këtë grupmoshë përsa i takon konsumimit të duhanit, alkoolit, ushqyerjes, dhe deri tek niveli i stresit dhe depresionit. Vendimi parashikon ndjekjen e parametrave fiziologjikë si tensioni arterial, pesha trupore, aktiviteti i zemrës. Sipas ministrisë së Shëndetësisë të gjithë personat që do të përfitojnë nga kontrolli bazë do të kenë mundësi të kryejnë falas një sërë analizash që nga formula e gjakut, Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC, kolesteroli total,     HDL kolesterol, LDL kolesterol, triglyceride, glicemia, feçe për gjak okult, albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urine, bilirubinë   totale   dhe   direkte,   transaminaza (SGPT, SGOT).

 

Procedurat

 

Në vendim përcaktohet që Ministria e Shëndetësisë të hartojë protokollet e realizimit të çdo komponenti të paketës së kontrollit mjekësor bazë dhe udhëzuesin e kritereve e të lëvizjes së shtetasve në sistemin shëndetësor për përfitimin e këtij kontrolli. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë miraton institucionet shëndetësore ku do të realizohen pjesë të ndryshme të paketës së kontrollit mjekësor bazë, duke garantuar mbulesën e plotë të grupmoshës , bazuar në popullsinë e zonës së mbulimit, distancat e infrastrukturën, si dhe disponueshmërinë e shpërndarjen  e personelit mjekësor e atij mbështetës. Mjeku i familjes ose qendra shëndetësore pranë të cilit janë regjistruar shtetasit që përfitojnë të drejtën për kontroll mjekësor bazë sipas këtij vendimi, njofton shtetasit për  kryerjen  e këtij  kontrolli  periodik  vjetor, sipas një grafiku të bazuar në muajin e lindjes. Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratën për financimin e shërbimit të kontrollit  mjekësor  bazë  me  operatorë  të  përzgjedhur sipas  dispozitave  të  ligjit  nr.125/2013,  “Për koncensionet dhe partneritetin  publik privat”. Kontrata duhet të rregullojë e të përcaktojë, në mënyrë të hollësishme, formën e dhënies së këtij shërbimi dhe mënyrën e pagesës së tij. Informacioni i gjeneruar nga programi i kontrollit mjekësor bazë, bazuar në formularin përkatës, i cili miratohet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, përbën Regjistrin Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, të vendosur në Institutin e Shëndetit Publik. Sipas vendimit, programi   i  kontrollit  mjekësor  bazë  fillon  të zbatohet brenda vitit 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama