Më në fund ja një fushë, ku zakonet e vjetra ndërthuren me teknologjitë e reja. Në bankat e shkollave, në universitete, në konkurse, kopjohet si më parë, madje edhe më shumë. E bëjnë të gjithë, por meshkujt më shumë se femrat, studentët e liceut shkencor më shumë se ai shoqëror. Sipas statistikave kopjojnë 69.2 për qind e djemve dhe 59.8 për qind e femrave. Me pak fjalë 2 në 3 studentë. 12.8 për qind deklarojnë se nuk kopjojnë kurrë. Sigurisht më të mirët në mësime kopjojnë më pak se ata që lexojnë më pak, por edhe të parët thonë se kur u jepet rasti, kopjojnë se ngelen më të sigurt. Këto të dhëna kanë dalë nga shumë kërkime.
Një tjetër “zbulim” i rëndësishëm është ai mbi ndjenjat që provojnë studentët dinakë, teksa ia hedhin para syve profesorëve: 6 në 10 rezultojnë indiferentë, ndërsa 1 në 4 tregon se është i kënaqur për dinakërinë e treguar. Gjithsesi gëzimi i tejkalon ndjenjat e fajit. Një sjellje mendore e largët, të paktën në dukje nga ajo gjermane, që e shtyu pak ditë më parë Karl-Thedor zu Guttenberg, të largohej pasi iu hoq maska si një student kopjac. Edhe në universitetet amerikane, rregullat parashikojnë përjashtimin në rast plagjiature. Nga ana tjetër, ata që kopjojnë nuk e bëjnë sepse e kanë virtyt. “Turpi dhe frika janë dy defektet që më kanë penguar të bëj diçka të tillë, por nuk e shoh si gjë të keqe.
Ndonjëherë me vinte inat me shokët që kopjonin pa e vrarë mendjen dhe në fund merrnin nota shumë të mira. Megjithatë kush nuk di asgjë, nuk është në gjendje të bëjë as këtë”, tregon një shkrimtar i njohur francez. “Për t’i ‘vjedhur’ një detyrë matematikore shokut duhet të kuptosh formulat, ndryshe gabon. Ndërkaq duhet të kesh shumë besim edhe tek aftësitë e tjetrit, pasi mund të përfundosh shumë keq”, tregon matematikani Piergorgo Odifreddi. Njerëzit kanë kopjuar që nga koha e Pitagorës dhe kjo nuk përbën aspak risi.
Për më tepër që edhe toleranca është shumë e përhapur. “Të kopjosh është si të luash me policë dhe hajdutë. Kuptohet se ndërveprimi mes atij që kopjon dhe atij që shikon është një detyrë më vete që kërkon talent”. Nga ana tjetër, nga të dhënat e nxjerra në shumë vende të Europës Perëndimore vetëm 24.4 për qind e profesorëve e shohin veprimin e të kopjuarit në klasë shumë të dënueshëm, të tjerët si një veprim që mund të falet lehtësisht. Por studimet kanë treguar se ky ves mësohet që në vegjëli: që në klasat e para kopjojnë shpesh rreth 4.7 për qind e të vegjëlve dhe ndonjëherë rreth 28.7 për qind e tyre, ndërsa 25 për qind tregon se nuk kopjon asnjëherë.
Në majë të klasifikimeve qëndron matematika, që ofron thuajse gjysmën e rasteve të krimit. Për më tepër pjesa më e madhe e kopjacëve thonë me krenari se nuk janë kapur kurrë nga mësuesi. Pyetjes se çfarë ka ndodhur kur profesori e ka kuptuar se kopjohet, 6.2 për qind thonë asgjë, ndërsa 38.8 për qind tregojnë me lehtësi se përveç një tërheqje vëmendjeje dhe një bërtitjeje, asgjë tjetër nuk ka ndodhur. Vetëm 10. 8 për qind pranojnë të jenë ndëshkuar. Ndërkaq të “vjedhësh” detyrat e shtëpisë është një krim pa viktima, të paktën në perceptimin e shumë studentëve perëndimorë që i bën dëm vetëm atij që e bën. Pyetjes se cili është dëmi i një veprimi të tillë, ata i përgjigjen se studenti kopjac mund të marrë një notë të mirë, duke mashtruar veten, por shpesh ata që japin gjithmonë detyrat, lodhen nga ky veprim.
Ja se çfarë tregon astronomia Margherita Hack: “U bëra një skenë të tmerrshme shokëve të mi. U thashë që nuk do të kopjonin më nga unë, sepse nga ana tjetër nuk po merrja nota më të larta se 7”, tregon ajo. Për shkrimtarin Claudio Magris kjo është një çështje besnikërie: “T’i japësh fletoren miqve në vështirësi është njësoj si ta ndihmosh për një hall që ai ka. Kjo tregon se miqtë e mirë të rrinë gjithmonë në krah”. Në të njëjtën mënyrë mendon edhe një prej ekspertëve më të mëdhenj në strategjitë antiplagjiaturë: “Isha shumë i mirë në matematikë dhe gjithë miqtë e mi kopjonin nga unë. Atëherë nuk e konsideroja një veprim të dëmshëm”. Shumë e famshme ka qenë deklarata e sipërmarrësit të famshëm italian Luca di Montezemolo, që në maj të vitit 2007 foli kështu para disa studentëve: “Në shkollë kam qenë kampion për të kopjuar.
Gjeja gjithmonë mundësinë për t’u ulur pranë studentëve më të mirë. Dënimi moral i të kopjuarit është në qendër të sistemit shkollor amerikan, ku fjala e përdorur është ‘cheating’”. “Për kë ka studiuar në Amerikë, kjo është një mundësi që nuk ekziston, sidomos pasi shkon në universitet, ku pagesa është e lartë dhe studentët janë shumë të motivuar. Të kopjosh do të thotë të mos besosh në vetvete, veprim që përplaset me individualizmin në bazë të mendimit të amerikanëve, ndërsa në shumë vende të Europës ekziston ideja për t’u bashkuar me grupin”, thotë Daniele del Boca, ekonomiste.