Korabi i Superiores nis nga prezantimi i trajnerit Mergjyshi

Korabi i Superiores nis nga prezantimi i trajnerit Mërgjyshi

Te Korabi ende mbetet një gangrenë që e ka mbërthyer këtë klub, sigurimi i fondeve financiare. Megjithatë, ditën e djeshme klubi ka nisur zyrtarisht përgatitjet për Superioren. Artan Mërgjyshi është trajneri i ri dhe pasditen e djeshme është prezantuar nga drejtuesit e klubit.

mergjyshi korabi

Gjithashtu, pjesë e stafit të tij ndihmës do të jetë edhe Ermal Nexhipi. Nga dita e djeshme, skuadra ka nisur stërvitjet për edicionin e ri, ndërkohë që në ditët në vijim puna do të fokusohet tek afrimi i elementeve të domosdoshëm. Te ky klub po punohet njëkohësisht në dy drejtime. Si në aspektin e sigurimit të të ardhurave, po ashtu edhe në ndërtimin e skuadrës së re. Për këtë, edhe vetë bashkia po punon për sigurimin e disa fondeve emergjente si dhe miratimi i një fondi për pjesën e dytë të këtij viti ndërsa shpresohet shumë në buxhetin e vitit të ardhshëm.

mergjyshi korabi

Fillimisht do të rinovojnë lojtarët kryesorë që e mbyllën me Korabin sezonin e shkuar dhe më pas do të fillojnë me afrimet cilësore, ku për sa i përket merkatos, kjo mbahet ende sekret. Çdo gjë bëhet realitet nëse sigurohen të ardhurat, ndryshe do të mbeten të gjitha në letër. Gjithsesi, nga ana e klubit bëhet e ditur se fillimisht skuadra për rreth 10-15 ditë, derisa të formohet baza e grupit, stërvitjet do t'i zhvillojë në Tiranë dhe më pas do të zhvendoset në Peshkopi. Vend i cili i ofron klubit, përveç klimës së favorshme edhe vendqëndrimin e "kazermës", ku dhe njohja mes futbollistëve bëhet më evidente. Megjithatë ende nuk ka një datë fikse se kur do të nisin zyrtarisht.

A.Dushku



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama