Korabi permbys Kamzen me 10 veta spektakel i Gurit

Korabi përmbys Kamzën me 10 veta, spektakël i Gurit

Takimi i tretë i luajtur mes Kamzës dhe Korabit për këtë sezon ka dhuruar spektakël dhe festival golash. Gjithçka ka ndodhur dje në Kamzë, lojë e bukur dhe plot emocione, 7 gola, një traversë dhe një karton i kuq. kastrioti-korabi-470x351Nuk ka munguar as entuziazmi i të dyja tifozërive, që ishin rreth 1000 veta, 200 prej të cilëve ishin në mbështetje të Korabit. Loja ka nisur e qetë dhe me pak raste për shënim. Pas 25 minutave të qeta, por me një superioritet të ekipit vendës, ka filluar spektakli në stadiumin e Kamzës. Në minutën e 26-të, Ymeraj çel siparin. Krosim nga këndi i Gjonajt dhe Ymeri me një zhytje fluturimthi me kokë mposht portierin veteran të Korabit, Elvis Kotorri.

Dy minuta më vonë, nga një goditje dënimi nga krahu i majtë që ekzekutohet mjeshtërisht prej Elis Shazivarit, Guri me kokë barazon shifrat në 1-1. Me t'u vendosur topi në qendër, shpërthen sulmuesi kamzali Xhuljo Mehmeti, që, pasi ka marrë një asist nga Lame, gjuan fuqishëm dhe 2- 1 për Kamzën.

Pas 5 minutash është Guri që i barazon shifrat me një gjuajtje brenda zonës. Në minutën e 41-të është dibrani Kaloshi që e ndëshkon ekipin e tij të vendlindjes, duke kaluar në epërsi Kamzën, 3-2 për vendësit. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Në fraksionin e dytë, për më se 20 minuta ekipi dibran vihet në kërkim të golit, por në të 63-ën Alvaro Bisha merr kartonin e dytë të verdhë duke detyruar gjyqtarin Blerim Ziri të nxjerrë kartonin e kuq.

Por, edhe pse me 10 lojtarë, Korabi arrin të shënojë edhe dy gola duke përmbysur rezultatin. Fillimisht është kapiteni Mziu që në minutën e 64-t godet traversën. Vetëm dy minuta më vonë, i sapofuturi në lojë Begaj barazon shifrat në 3-3. Por, në minutën e 69-të mbyllet historia e këtij takimi, pasi Guri plotëson tripletën personale dhe Korabi fiton në shifrat 4-3.

Trajneri i kamzalinjve, Bledar Devolli, nuk e ka duruar këtë humbje dhe nuk u ka besuar syve, kur të tijtë kanë dalë të kokulur nga fusha. Edhe pse kundërshtari luajti me 10 veta nga minuta e 63-të, dibranët arritën që të përmbysin. Për këtë fakt trajneri i Kamzës është larguar i mërzitur duke mos u prononcuar për mediat.

KAMZA-KORABI 3-4
GOLAT: Ymeri 26´, Mehmeti 29´, Kaloshi 41´ / Guri 28´ 34´ 69´ Begaj 66´
KAMZA: Gjonikaj, Boçi, Muçaj, Lame, Gjonaj, Abraham (Doku 60´), Mersini, Koleci (Veseli 46´), Ymeraj (Xhaferrasi 69´), Kaloshi, Mehmeti. Trajner: B.Devolli
KORABI: Kotorri, Melani (Begaj 46´), Bisha, Ramazani, Shazivari, Mziu, Muçollari, Mezini, Jubani (Berberi 83´), Taku, Guri. Trajner: D. Mehmeti
GJYQTARË: B. Ziri, E. Veseli, E. Burgu (Fushë Kruja)
KARTONË TË VERDHË: Boçi 40´ / Bisha 33´ 63´;
KARTONË TË KUQ: Bisha 63´
VËZHGUES: Astrit Mema (Gjirokastër);
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)

Përgatiti: ABDULLA DUSHKU


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama