Korabi do të nisë grumbullimin më datë 15 korrik, duke hedhur hapat e para sa u përket përgatitjeve për sezonin e ri. Me trajnerin Artan Mërgjyshi në krye, ekipi do të nisë edhe firmosjen e kontratave me futbollistët që do përbëjnë organikën për edicionin në Kategorinë Superiore.
Aktualisht ka mjaft lojtarë që janë pa kontratë, mes atyre që kontribuuan në ngjitjen e Korabit në elitën e futbollit shqiptar, prej të cilëve do vendoset edhe se kush do jenë ata që do të vazhdojnë të mbajnë veshur këtë fanellë. Si largime të konfirmuara deri tani janë ato të Gurit që ka firmosur me Kukësin, ku madje edhe shënoi një gol shumë të rëndësishëm ndaj Rudarit në Ligën e Europës. Ndërsa mesfushori Altin Hoxha ka arritur marrëveshjen me një skuadër të Serisë D në Itali.
Gjithsesi, përveç rinovimeve me lojtarët e edicionit të kaluar, drejtuesit kanë shënjestruar edhe një përforcim për sulmin. Bëhet fjalë për Ermir Rezin, i cili shënoi plot 22 gola me fanellën e Erzenit në Kategorinë e Parë. Edhe pse vetëm 22 vjeç, ai ka luajtur me skuadra si Teuta, Elbasani dhe Dinamo në të shkuarën.
Javët e ardhshme do jenë vendimtare për projektin e dibranëve në Superiore, duke përcaktuar jo vetëm listën e dëshirave në merkato, por edhe buxhetin sezonal. Klubi është në pronësi të bashkisë, gjithsesi të ardhurat kryesore parashikohet që të vijnë nga donacionet e biznesmenëve të suksesshëm, disa prej të cilëve që jetojnë prej vitesh në SHBA.
A. Dushku