Kush me të drejtë, kush pa të drejtë, kush më butë e kush më ashpër, kush institucionalisht, kush mediatikisht, e kush në tavolinën e zakonshme të kafenesë, pak shqiptarë kanë mbetur pa bërë atë që dinë të bëjnë më mirë, pra pa komentuar, në lidhje me agresionin verbal të Ikonomut. Nuk mbeti pa reaguar as qeveria greke, që e tërhoqi Ikonomun aty për aty (edhe pse nuk ka ndonjë konfirmim për largim të rebelit nga shërbimi diplomatik, atij thjesht i është ndërruar detyra brenda sektorit të punëve të jashtme të Republikës Helene). Reaguan gjykatës e ligjvënës shqiptarë, politikanë e komentatorë, por përmes angazhimit dhe kërkimeve të gazetarëve, u vu re që një pjesë të mirë të fajit për deklaratat "ambicioze" të zyrtarit të vendit fqinjë, e paskëshim patur vetë...! Sipas një neni të Kodit të Procedurës Civile, kombësinë (përkatësinë etnike) të një personi e përcakton gjykata. Mirëpo, ligjvënësit nuk janë kujdesur shumë për procedurën e verifikimit të kërkesave që vijnë nga persona të ndryshëm.
Mjafton një certifikatë që tregon se stërgjyshi ka qenë i regjistruar në kohë të Turqisë si grek, apo që një paraardhës ka lindur në ndonjë fshat "minoritar", dhe shpeshherë e fiton "davanë" në gjykatat shqiptare, që të japin mundësinë e të qenit homogjen, pra shtetas shqiptar i etnisë greke. Pse u është dashur shqiptarëve statusi i homogjenit? Këtë dinë ta sqarojnë më mirë vetë korçarët, një pjesë e të cilëve tashmë kanë edhe pasaporta greke, sajë dyshtetësisë së lejuar nga të dyja palët. Edhe pse kanë marrë kombësinë, apo dokumentat greke, ata ta shpjegojnë se nuk bëhet fjalë për helenizim, pasi ata ndihen po aq shqiptarë sa më parë, krenarë për traditat e tyre patriotike. Situata, sipas tyre, shkaqet i ka kryesisht ekonomike.
Peleshi: Ndërrimi i kombësisë, fajin e ka ekonomia
Kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi, nuk e ka fort për zemër debatin që po ngrihet mbi ndërrimin e kombësisë. Ai na thotë se nuk do të qe mirë të hidheshin hije dyshimi mbi shqiptarinë e korçarëve, qofshin këta të cilësdo feje. Sipas Peleshit, në Korçë ka patur fare pak raste të aplikimeve për ndërrim kombësie që prej 2009 e këtej, rreth 192 të tilla, ndryshe nga ç'ndodh në Gjirokastër e Sarandë, ku të dyja rrethet bashkë shënonin mbi 2000 raste të braktisjes së shqiptarisë në emër të gjetjes të helenizmit. Por gjithsesi Peleshi e pranon problemin dhe analizon: "Është e vërtetë që qytetarë të Korçës kanë ndërruar kombësinë apo qytetarinë, madje një pjesë e tyre kanë marrë dhe shtetësi greke. Kjo ka nisur të ndodhë që prej fillimit të viteve 2000.
Kryesisht janë marrë dokumentat në Greqi, duke pretenduar që kanë jetuar andej mbi dhjetë vjet, e kanë përfituar shtetësinë greke, po ka patur edhe raste që përmes ndërrimit të emrit, e sigurimit të dokumentave ndoshta dhe false, kanë "vërtetuar" që kanë prejardhje greke. Po kjo absolutisht nuk do të thotë që korçarët nuk janë shqiptarë, apo që nuk ndihen të tillë. Ka një abuzim të pandershëm në deklarata të tilla".
Niko Peleshi sqaron se çështja nuk është mirë të përdoret politikisht, dhe sindromës së shfaqur i duhen gjetur rrënjët: "Nuk mjafton të tregojmë me gisht se cili prej nesh ka ndërruar kombësinë, apo cili shtetësinë. Duhen gjetur arsyet që i detyrojnë njerëzit të bëjnë të tilla akte, duke sakrifikuar diçka të shenjtë, siç është kombësia". Peleshi tregon se korçarët kanë emigruar gjithnjë, e duke bërë shaka na thotë se qyteti ku jetojnë më shumë korçarë sot është Bostoni, e pas tij vjen Çikago në SHBA, duke e lënë Korçën në vend të tretë sa i përket numrit të autoktonëve që e popullojnë.
Kjo shaka ka disa baza të të vërtetës, dhe historikisht prej Korçës ka patur emigrim. Kudo ku kanë shkuar, korçarët janë integruar dhe e kanë ndihmuar vendin e origjinës, edhe pse mund të kenë marrë shtetësi të vendeve të tjera. Por rasti me Greqinë është specifik, sidomos në dritën e deklaratave të vazhdueshme nga qarqe të caktuara të vendit fqinj, apo së fundmi edhe të përfaqësuesve zyrtarë, si Ikonomu. Peleshi thotë se situata i faturohet kryesisht gjendjes ekonomike: "Ne si institucion, si bashki, po bëjmë çmos që ta rrisim nivelin e mirëqenies në Korçë, e në fakt Korça është një nga qytetet ku jetohet më mirë.
Por duhet thënë se nuk ka alternativa punësimi, mungojnë investimet nga qendra, mungon vëmendja ekonomike". "Nuk mjafton ndërtimi i rrugëve për t'i mbajtur shqiptarët këtu - thotë Peleshi - përkundrazi, rrugët, në rast se nuk ka punë, e në rast se nuk ka prodhim, thjesht ua lehtësojnë ikjen nga Korça". Edhe pse nuk e përmend, kryebashkiaku i Korçës lë të nënkuptohet se nevoja për mbijetesë i ka detyruar një pjesë të korçarëve të ndërrojnë kombësinë, në shkëmbim të pensionit që shpërndan Greqia për homogjenët, po edhe në shkëmbim të bursave universitare në Greqi, apo për të lëvizur më lirshëm tej kufijve.
Sipas tij, me liberalizimin e vizave e me përparimin e procesit të integrimit situata mund të përmirësohet, por kjo nuk do të ndodhë pa u përmirësuar sektori i ekonomisë lokale, e pa u hapur vende pune që do të mund t'i mbajnë të rinjtë korçarë në Korçë, e jo t'i degdisin gjetiu.
Prifti i Vllehëve: Greku na ofendoi
Vllehët në Korçë nuk janë pak, e nuk fshihen. Në fakt, ata që pretendohet të jenë "vorioepirotas" nga ish-konsulli Ikonomu, s'janë gjë tjetër veç vllehëve. Kryesisht ata janë bilingualë, gjuhën arumune e kanë gjuhën nëne, po edhe shqipen e flasin pa pengesa, pasi e kanë mësuar që të vegjël, duke u rritur në kopshte e shkolla bashkë me shokë shqiptarë. Si komunitet e kanë rrahur gjithnjë emigracionin, përfshi edhe në 20 vjetët e fundit, kështu që jo rrallë flasin edhe greqisht. Arumunët, apo vllehët, janë një komunitet etniko-linguistik i shpërndarë në të gjithë Ballkanin jugor, me komunitete të mëdha në Greqi, Shqipëri, Bullgari e Maqedoni. Dikur jetonin edhe në Serbi, Bosnjë e Kroaci, por me kalimin e kohës u ka mbetur veç emri, duke e humbur gjuhën në ato vende.
Gjuha e tyre i përket familjes së gjuhëve latine, degës lindore të saj, kushurirë me rumanishten. Por identiteti i tyre kombëtar nuk është aq i lehtë për t'u përkufizuar, saç është dhe identiteti gjuhësor. Në Greqi, i quajnë grekë e nuk ua njohin statusin e minoritetit etnik apo linguistik, në Maqedoni kanë disa të drejta më shumë, e në Shqipëri, edhe pse ende nuk i kanë shkollat e institucionet që kërkojnë, janë goxha të integruar. Të shpërndarë në gjithë Shqipërinë e jugut, ata janë përqendruar në lagjet e krishtera të Korçës (lagjet 1, 2 dhe 3), si dhe në disa fshatra përrreth, Mborje, Drenovë, Boboshticë etj. Shumë prej tyre e kanë marrë shtetësinë greke pas vjetësh mërgimi në Greqi, e megjithatë hezitojnë ta quajnë veten grekë.
Lideri shpirtëror i tyre, prifti i kishës së "Metamorfozës së Shpëtimtarit", At Dhimitër Veriga na tregon se vllehët janë shqiptarë: "Që në fillim të shqiptarisë, që nga Rilindja Kombëtare e këndej, neve vllehët jemi përfshirë e kemi dhënë kontributin tonë. Veqilharxhi e të tjerë vllehë kanë kontribuar në zhvillimin e shkollës e të gjuhës shqipe, e po ashtu kanë luftuar për këtë vend. Kjo duhet t'u mësojë diçka grekëve, po edhe shqiptarëve që e kanë harruar. Ne kemi lindur këtu, paraardhësit tanë kanë lindur këtu. Ne kemi jetuar gjithnjë si shqiptarë, me shqiptarët. Vllehët kanë identitetin e tyre, duan shkollat e kishat e tyre, në gjuhën arumune, po kjo nuk na bën grekë. Përkundrazi në Greqi vllehët përballen me presione të mëdha asimilimi.
Unë mund të them me plot gojën, me bindje historike e me bindje aktuale, që ne vllehët, jemi po aq shqiptarë sa shqiptarët e tjerë, duke qenë në të njëjtën kohë krenarë për gjuhën tonë e për traditat tona që duam të respektohen e të zhvillohen". Prifti arumun shpreh neverinë e tij për deklaratat e ish-konsullit, e ndërkohë komenton ndërrimin e shtetësisë apo atë të kombësisë nga disa anëtarë të komunitetit vllah në Korçë: "Njerëzit janë të varfër, e shpeshherë nevoja për punë i çon në mërgim. Greqia është një nga vendet që ka ofruar mundësi ekonomike, dhe vllehët shpeshherë kanë lënë fshatrat për të shkuar andej.
Po tani edhe Greqia është keq, njerëzit po kthehen". Arsyet ekonomike nuk mund të ngatërrohen me çështjen e kombësisë - thotë prifti grek, që nuk harron të akuzojë grekët për shfrytëzim të vllehve për të ngritur një çështje që nuk ekziston, si ajo e grekëve të Korçës.
Djali me shtetësi greke që proteston për shqiptarinë
Disa ditë më parë, disa qytetarë korçarë protestuan kundër deklaratave të Ikonomut. Të organizuar nga "Lëvizja MJAFT" në Korçë, ata dolën me flamuj e me pankarta, duke deklaruar që Shqipëria është e paprekshme. Djali që lexoi deklaratën para mediave quhet Janaq Kaça, është një prej shumë ortodoksëve shqiptarë që mban pasaportë greke. Për gazetën "Shekulli" Janaqi tregon se, edhe pse ka marrë shtetësinë greke, ai ndihet shqiptar, dhe është prekur nga deklaratat e konsullit. Arsyet pse Janaq Kaça ka marrë shtetësinë greke, siç na thotë vetë ai, janë të zakonshmet, mundësia për shkollim më të mirë, mundësia për të lëvizur lirshëm dhe mundësia për të punuar e për të patur disa të ardhura që vendlindja nuk t'i ofron.
Korça, ndërrimet e shtetësisë e të kombësisë, që para ligjit
Nëse në Gjirokastër e në Sarandë ka patur mbi 2000 raste nga 2009 e këtej, që kanë ndërruar kombësinë në gjykata, në Korçë raste të tilla ka patur vetëm 192. Burime nga Gjykata e Korçës tregojnë se shumica e atyre që kanë patur për të përfituar nga programet e Greqisë për homogjenët, i kanë marrë dokumentat, shpeshherë dhe shtetësinë, që më përpara. Kryesisht kjo ka ndodhur përmes lëshimit të dokumentave nga pushteti lokal grek, ku korçarët kanë qenë emigrantë në vitet e fundit, po jo rrallë ka patur përdorim të dokumentave të vjetër (të kohës së Turqisë) në gjykatat shqiptare, për të provuar origjinën greke. Nuk përjashtohet rasti i falsifikimeve, apo i përdorimit të dokumentave të stisur, po gjithsesi Gjykata e Korçës është treguar më e kujdesshme e rigoroze se simotrat e saj në Shqipëri të jugut.
Një pjesë e "homogjenëve" janë ish-muslimanë
Edhe pse pjesa më e madhe e atyre që i kanë mbyllur hesapet me kombësinë shqiptare janë ortodoksë, nuk mungojnë rastet e muslimanëve. Ende pa hyrë mirë në Korçë, takojmë Eqeremin, i njohur zyrtarisht si Jani. Eqeremi është detyruar të ndërrojë emër e mbiemër të gjithë familjes, madje edhe të gjyshërve të vdekur, duke u lidhur me një trung "grek". I pagëzuar e i bërë synet në të njëjtën kohë, Eqeremi kriptomusliman të kujton fenomenin e dikurshëm, kur nën presionin otoman shumë kristianë ndërronin emra, duke e ruajtur fenë në ambientet intime.
Të tillë ka disa dhjetra në krahinat përreth Korçës, ndër ta edhe nipër familjesh që dikur kanë qenë bejlerë e agallarë.
Vorioepir Korça? Grekët dhe në Selanik kanë ardhur vonë...
Njëri prej gjykatësve që na ndihmon me hulumtimin e arkivave në gjykatën e Korçës, na tregon se zonat e Greqisë veriore, krahina e Maqedonisë greke, është populluar me grekët e ardhur prej Azisë së Vogël, gjatë kohës së shkëmbimeve të popullsisë mes Turqisë e Greqisë. Fakt historik është që deri më 1920 grekët në Selanik përbënin jo më shumë se 30% të popullsisë, ndërkohë që mazhoranca ishin turq, shqiptarë, bullgarë e hebrej. Qytete si Kosturi e Konica gjithashtu kanë qenë me mazhorancë shqiptare, rrëfen gjykatësi, vetë mysliman me origjinë nga Kosturi. Por, pasi i përzunë shqiptarët nga trojet e tyre, sot grekët pretendojnë edhe më shumë, pretendojnë Korçën, që kurrë nuk ka patur ndonjë prezencë domethënëse greke.
Nga vjen vërtetë rreziku?
Edhe pse Korça ka shumë më pak raste të ndërrimit të kombësisë nga shqiptare në greke, se sa Gjirokastra apo Saranda, kjo nuk nënkupton mungesën e problemeve. Mungesa e një platforme shtetërore shqiptare sa i përket integrimit dhe rehatimit të kërkesave të komunitetit vllah e bën këtë komunitet tepër të paqëndrueshëm, kur vjen puna për lakminë e paraqitur nga fqinjët grekë, po edhe nga rumunët, të cilët disa kohë më parë kanë kërkuar zyrtarisht që vllehët të njihen si komunitet rumun.
Problem tjetër, në qytetin juglindor, është punësimi. Mungesa e një strategjie të ringjalljes së ekonomisë e së prodhimit ka bërë që qyteti të zbrazet nga të rinjtë, e shumica e tyre kanë shkuar në Europë e ShBA, ndërsa më të pafatët në Greqi, apo Tiranë. Netët "nacionaliste" korçare. Edhe pse gjithandej përfliten "tradhtarët" që kanë ndërruar shtetësinë e kombësinë në këmbim të pensionit (pra të bukës së gojës), në Korçë nuk mungon nacionalizmi. Ai duket si në emrat e rrugëve, që përkujtojnë heronj të vjetër e të rinj, nga gjithë territoret shqiptare në Ballkan, po ashtu edhe në flamujt e varura nëpër qytet e nëpër shtëpi.
Askund nuk bie në sy flamuri bardheblu, gjithandej mbizotëron kuqeziu me shqiponjë. Gjithsesi, për t'i qetësuar pasionet revanshiste të atyre që ndihen të rrezikuar nga "greqizmi", të shtunën e shkuar qytetin e kishte vizituar këngëtari Klevis Bega, alias Kastro Zizo. Në klubin ku brohorisnin të rinjtë korçarë, këngëtari flokëgjatë nuk harroi të bënte thirrje për krenarinë shqiptare e për superioritetin ndaj grekëve. Thirrje që u pritën me duartrokitje nga djemtë e vajzat, një pjesë e të cilëve ndoshta kish në xhep një pasaportë helene.