Gjashtë vite më parë, Skënderbeu fitoi titullin e dytë në histori dhe të parin e një epoke të lavdishme, që do të pasonte më pas edhe me katër të tjerë radhazi.
Rival direkt kishte Flamurtarin, skuadra që sistematikisht u ankua për padrejtësi të bëra në dëm të saj dhe në favor të korçarëve. Ish-presidenti dhe njëherazi ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ishte një ndër njerëzit më kritikë asokohe.
Ndërkohë dje ka shijuar nga televizori fitoren e Partizanit me disa miqtë e tij. Tani Skënderbeu do ta luajë titullin kampion në Vlorë. Ironike pa masë, por Gjika ka një shprehje që së fundmi e përdor shpesh: "Bota është portokall...". Pak minuta pas ndeshjes së djeshme, i kontaktuar nga "Panorama Sport", ai nuk ka ngurruar të thotë paksa edhe me humor: "Skënderbe, është koha për shpagim!".
Gjika e patë ndeshjen Skënderbeu-Partizani 0-1?
Po, isha me disa miqtë e mi. Më pëlqeu si ndeshje. U luajt mirë dhe në një ambient realisht të mrekullueshëm. Komplimente tifozërisë vendëse dhe asaj mike për sjelljen korrekte.
Duhet ta pranojmë, në Korçë luhet mirë futboll dhe ka atmosferë të mirë.
Cila ju pëlqeu më tepër nga skuadrat?
Partizani. Mendoj se në tërësi këtë sezon ka qenë goxha mirë dhe shumë më i vendosur se Skënderbeu për ta fituar titullin kampion. Korçarët kanë cilësi, por dukshëm nuk janë më si një sezon më parë.
Skënderbeu do ta luajë ndeshjen e titullit në Vlorë, ironike apo jo...?
Po, e vërtetë. Kush e kish menduar?! Asokohe, janë dëshmitarë të gjithë, neve na u bënë shumë padrejtësi. Por, ndodh edhe kështu... E kam thënë edhe herë të tjera: Bota është portokall...
Sa shanse ka që Flamurtari t'ia heqë titullin nga duart Skënderbeut?
Së pari, uroj që Flamurtari të fitojë ndeshjen e tij nesër (sot) me Bylisin. E ka shumë të rëndësishme atë ndeshje dhe shpresoj me zemër që ta fitojë. Gjithsesi, edhe nëse fiton në Ballsh, do të doja që ta mundte Skënderbeun. Ka ardhur koha për shpagim...!
JETMIR HALILAJ