Korce-Rama Do te vazhdojne investimet ne funksion te zhvillimit te sportit kompetitiv

rama-TIRANË, 8 Nëntor /ATSH- / - Kryeministri Edi Rama ka inspektuar mbrëmjen e të shtunës terrenet sportive të sapopërfunduara të shkollës "Raqi Qirinxhi" në Korçë, një nga 44 terrenet e reja, të ndërtuara në të gjithë vendin në funksion të shndërrimit të shkollave në qendra të ndërveprimit në komunitet.

Kryeministri Edi Rama në aktivitet shoqërohej nga zv/kryeministri Niko Peleshi dhe kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo. Me investim të qeverisë, kësaj shkolle i janë shtuar një fushë volejbolli dhe basketbolli, një fushe futbolli, dy fusha tenisi, si dhe dy fusha të mëdha shahu, të cilat gjatë pasdites do të mund të përdoren edhe nga komuniteti.

Në terrenet e reja u zhvillua edhe një ndeshje midis gjimnazistëve të "Raqi Qirinxhi" dhe atyre të "Petro Nini Luarasit" në Tiranë, të dy shkolla nën patronazhin e zv/kryeministrit Peleshi. Komponenti i sportit në programin arsimor ka fituar një peshë që nuk e ka pasur më parë. Kryeministri Rama siguroi se do të vazhdohet me fuqizimin e infrastrukturës së sportit në shkolla.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se "Janë 44 mjedise sportive komunitare dhe ky është një nga këto mjedise. Sigurisht, po të mos na ishte dashur të lanim rreth 35 milionë dollarë borxhe të trashëguara, që Ministria e Arsimit i kishte nga e shkuara për shërbimin e kompanive, atëherë do të kishim bërë edhe afro 200 mjedise të tjera më shumë. Ndërkohë që në vitet në vijim do të vazhdojmë me këtë sistem, sepse këtu ka një ndërveprim mes shkollës dhe komunitetit, por edhe mes shkollave të qyteteve të ndryshme. Sot janë nxënësit e "Petro Ninit" të Tiranës që kanë ardhur për të kaluar fundjavën me miqtë e tyre këtu në Korçë dhe besoj që vitin e ardhshëm, falë ndërhyrjes që do të bëjmë në "Petro Ninin" e Tiranës, do të jetë e mundur që do të ndodhë e njëjta gjë edhe atje, e kështu me radhë. Për ne, sporti ka rëndësi të madhe në programin e arsimit dhe do te vazhdojmë të fuqizojmë infrastrukturën e sportit, pasi e kemi futur atë në të gjithë zinxhirin e arsimit si program edukativ".

Ndërtimi i terreneve komunitare do të vazhdojë paralelisht edhe me investimet në sport, më të lartat e 25 viteve të fundit. "Do të vazhdojnë të gjitha ato investime në funksion të zhvillimit të sportit kompetitiv, duke filluar nga skuadra kombëtare, e cila na ka imponuar me rezultatet e saj, që të fillojmë që në nisje të vitit tjetër ndërtimin e Arenës Kombëtare në Tiranë, që do të jetë stadiumi i tretë dhe sigurisht, edhe më i madhi në zinxhirin e stadiumeve që ne kemi nisur të rindërtojmë, apo ndërtojmë nga e para dhe ku pa dyshim do t'i vijë radha edhe stadiumit të Skëndërbeut, sidomos pas fitores me Sportingun e Lisbonës", theksoi kryeministri Rama./i.v/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama