Korce mijera ton molle mbeten stok

Korce, mijera ton molle mbeten stok

Më shumë se 3500 ton mollë vendi, e cilësisë së parë, qëndrojnë të bllokuara në 8 frigoriferë, të shpërndare në disa zona në rrethin e Korçës, ndërkohë që kërkesa e tregut është për mollë të cilësisë më të dobët. Rexhep Aliu, është një nga tregtarët e shumicës që ka mbledhur mollë golde nga fermerët në zonën e Dvoranit me 45 lekë kilogrami dhe e shet me 55 lekë. Por siç shihet nga pamjet, ambientet frigoriferike janë të mbushura plot me mollë ndërsa ato kanë filluar edhe të prishen. Në këto kushte ai nuk ka mundësi që të fitojë as vetë dhe as të shlyejë fermerët që presin edhe ata shitjen e mollëve.

Të njëjtin shqetësim ka edhe tregtari tjetër Gjergji Liçollari, që vetë ka mbjellë 400 hektarë me mollë. Ai thotë se ka abuzim edhe nga tregtarët e pakicës që e shesin mollën me çmim shumë më të shtrenjtë ndërsa kërkon ndihmën e shtetit për sigurimin e tregjeve të shitjes edhe jashtë vendit. Në fakt, tregtarët e mollës thonë se ky është viti i parë që ky prodhim mbetet në magazina. Sipas tyre, në të njëjtën kohë një vit më parë, këto ambiente ishin bosh dhe duket se gjendja ekonomike i bën konsumatorët që të preferojnë më shumë mollën e cilësisë së dobët. Rendja pas mollëve pa cilësi pranohet edhe nga specialist i Drejtorisë së Bujqësisë, Vullnet Gjolla, sipas të cilit shtetit duhet të subvencionojë fermerët. Por edhe fermerët që dalin vetë në treg për të shitur prodhimin e tyre ankohen se edhe mollët e cilësisë më të dobët po kalben dhe nuk i blen njeri. Sokol Dilka nga Voskopi dhe Safedin Larti nga fshati Bulgarec janë dy fermerë, të cilët vijnë çdo ditë për të shitur mollët e tyre në tregun e shumicës në qytet, por sipas tyre edhe mollët e kësaj cilësie shiten shumë pak.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, grumbulluesit e mollëve kanë pasur takime me drejtorinë e Bujqësisë në Korçë për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa këta të fundit problemin e kanë kaluar për zgjidhje në ministrinë e Bujqësisë. Nga viti në vit fermerët shtojnë sipërfaqet me mollë në të gjithë qarkun e Korçës, ndërkohë që pothuajse e gjithë sasia e prodhuar shitet vetëm si frut pasi mungojnë fabrikat e përpunimit të mollës. Edhe një fabrikë e përpunimit që ndodhet në fshatin Dvoran, më tepër se për cilësinë e parë është e interesuar për mollë të cilësisë së dytë, kryesisht edhe për shkak të kapacitetit të ulët që ka kjo fabrikë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama