Hartës arkeologjike të Korçës i janë shtuar edhe 10 vendbanime të reja, që u përkasin periudhave të ndryshme të prehistorisë dhe antikitetit. Arkeologët në juglindje të vendit kanë zbuluar rishtas në pellgun e Korçës gjatë ekspeditës së prospeksionit, që është zhvilluar për të parën herë me këtë teknikë, vendbanime të panjohura më parë, por që tashmë do të bëhen pjesë e studimeve të mëtejshme nga ana e specialistëve. Studimet të cilat u ndanë në dy etapa nga ana e specialistëve të arkeologjisë, bënë që për të parën herë të hidhet dritë mbi ekzistencën e vendbanimeve të hershme që janë të pozicionuara në këtë zonë, por të cilat nuk njiheshin më parë. Ekspedita, me një shtrirje kohore në terren prej një muaji, ka bërë që të kryhen kërkime intensive në pjesën veriore të fushës së Korçës, në zonën ku dikur shtrihej liqeni i Maliqit.
Grupet e punës, të përbërë nga specialistë shqiptarë dhe francezë të arkeologjisë, kanë kryer kërkime në një sipërfaqe prej 120 ha, ndërsa zbulimi i parë ka qenë ai i një vendbanimi të hershëm në afërsi të fshatit Sovjan. Kjo ka pasuar edhe me gjetjen dhe zbulimin e vendbanimeve të tjera në zonë, kur nga materialet arkeologjike ka rezultuar se aty ka shenja të jetesës së hershme të banorëve ilirë. Në një rreze prej 12 kilometra katrorë janë gjetur plot 10 vendbanime të reja, që i janë shtuar hartës arkeologjike të Korçës, duke çuar kështu në 74 numrin e tyre dhe të varrezave prehistorike. Kjo, sipas arkeologëve, e bën zonën e Korçës një nga më të pasurat në Ballkan për sa u përket këtyre vendbanimeve të hershme. Prof. Dr. Petrika Lera, që ka drejtuar grupin shqiptar të arkeologëve në ekspeditën dypalëshe shqiptaro-franceze, tregon se kërkimet dhe fushata studimore u ndanë në dy etapa të rëndësishme. Por ndërsa janë ende në studim të dhënat mbi vendbanimet, ai nuk nguron të shprehet optimist për zbulimet, kur tregon se midis vendbanimeve të reja, disa u përkasin periudhave që datojnë që nga neoliti i hershëm dhe deri në mesjetë.
"Fushata studimore mbi pellgun e Korçës dhe kryesisht të zonës së Sovjanit, është ndarë në dy etapa shumë të rëndësishme për të hedhur dritë mbi kronologjinë absolute të vendbanimeve të hershme dhe të raporteve të banorëve të zonës me liqenin e dikurshëm të Maliqit. Kërkimet e para i janë referuar zbulimit të gjurmëve të këtyre vendbanimeve nëpërmjet materialit arkeologjik të zbuluar nga gërmimet e kryera gjatë ekspeditës së grupit shqiptaro-francez. Janë zbuluar materiale të ardhura nga gërmimet arkeologjike, të cilat u përkasin periudhave të datueshme tashmë të vendbanimeve dhe pikërisht periudhës së bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm, materiale të cilat nga studimi kanë precizuar edhe kronologjinë absolute. Vendbanimet që ndodhen në fushën e Korçës dhe në pellgun e Sovjanit janë të shumta dhe materialet e studimi i deritanishëm i tyre flasin për periudha të konsoliduara të kulturës ilire dhe të prehistorisë", shprehet Petrika Lera.
Por gjatë muajit gusht, deri në mes të shtatorit, siç thekson arkeologu, kur për të parën herë u krye edhe prospeksioni, në këtë zonë rezultoi se pellgu i Korçës dhe pjesa veriore e fushës së saj janë edhe më të pasura me vendbanimet të hershme. "Etapa e dytë bëri që hartës arkeologjike të Korçës, brenda një muaji t‘i shtohen edhe 10 vendbanime të reja. Kjo etapë ishte një punë e kryer në terren dhe është bërë çdo ditë vrojtimi i pjesës veriore të fushës së Korçës nëpërmjet zbatimit për të parën herë të teknikës së prospeksionit. Kjo bëri që pas shumë kohësh, për të parën herë, të fiksohen vendbanime të tjera, të reja dhe të panjohura më parë. Janë këto që hedhin më shumë dritë mbi raportin me liqenin e dikurshëm dhe me spostimin e popullatës në varësi të lëvizjeve dhe ndryshimit të liqenit në epoka të ndryshme, duke i vendosur pranë zonës me ujë. Nga vrojtimi sistematik dhe shkencor, këtu u zbuluan vendbanime të tjera që i përkasin prehistorisë, antikitetit dhe mesjetës. Risi është fakti se në pellgun e Korçës dhe në zonën nën studim ka vendbanime të shumta mesjetare", thotë Petrika Lera. Sipas specialistëve të arkeologjisë, zbulimet më të fundit do të bëhen pjesë e një studimi të hollësishëm shkencor, që do të nxjerrë në pah jo vetëm datimin e saktë të këtyre vendbanimeve të zbuluara tashmë, por edhe të mënyrës së jetesës së banorëve, të kulturës dhe botës shpirtërore, të marrëdhënieve me liqenin, si e siguronin jetesën dhe cili ka qenë aktiviteti më i zhvilluar në këto periudha.
"Ajo që është më e rëndësishme pas zbulimit të këtyre vendbanimeve, është fakti se tani që kanë dalë në dritë do të studiohen me detaje të gjithë elementët që plotësojnë jetesën e popullatës së hershme. Pjesë e studimit do të jetë edhe fakti se përse janë lokalizuar aty banorët mesjetarë dhe cilat kanë qenë lëvizjet në varësi të raporteve me liqenin e dikurshëm të Maliqit. Një pjesë e vendbanimeve të reja që janë zbuluar i përkasin neolitit të hershëm, të tjerat janë të bronzit të mesëm, dhe ka vendbanime të cilat janë ende të papërcaktuara për nga datimi dhe kronologjia, pasi janë ende në studim. Nga kjo fushatë survejimi, ku janë zbuluar 10 vendbanime, mund të themi se kemi të bëjmë me një potencial arkeologjik me perspektivë për studimet e ardhshme", shprehet Prof.Dr. Petrika Lera. Zbulimet më të fundit kanë shtuar kështu krahas saktësimit të hartës së vendbanimeve të hershme, edhe pasuritë arkeologjike të zonës së Korçës. Kjo e fundit, sipas specialistëve, tashmë numëron edhe numrin më të madh të vendbanimeve të hershme që u përkasin periudhave të ndryshme dhe tumave, apo varrezave prehistorike. Zona juglindore e vendit numëron gjithsej 74 të tilla, ndërsa Lera thotë se me këto zbulime padyshim që Korça mund të quhet një nga zonat më të pasura jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rrafshin ballkanik.
Per me shume informacino rreth Korces klikoni ketu
Marre nga : Gazeta Shqip