Vardari i Shkupit dhe Shkëndija barazuan 1-1 në ndeshjen e vlefshme për Javën e 27 të Ligës maqedonase, në një takim në të cilin nuk munguan koret raciste ndaj shqiptarëve dhe përplasje mes tifozërive.
Goli i barazimit për Shkëndijën nga Armend Alimi në minutën e 38´ të pjesës së parë ndezi situatën në fushë dhe jashtë saj.
Sipas një njoftimi të shkurtër të publikuar në faqen e 'KF Shkëndija' në rrjetin social 'Facebook', thuhet se tifozët vendas sulmuan fizikisht mundërshtarët e tyre në stadium, duke mos kursyer edhe tribunën VIP.
"Goli i barazimit nga Armend Alimi në minutën e 39-të ka egërsuar tifozët e Vardarit, të cilët nuk janë përmbajtur dhe kanë sulmuar fizikisht kryesinë e Shkëndijës që gjendej në një zonë 'VIP' të improvizuar në tribunën jugore ku edhe gjendet grupi i tifozëve 'Komitët'.
Në sulmin fizik disa anëtarë të kryesisë janë goditur dhe kanë marrë lëndime të lehta trupore, ndërsa janë detyruar të lëshojnë tribunën nën përcjellje të forcave të shtuara të sigurisë",-thuhet në njoftimin e klubit të Shkëndijës.
Aktualisht, Vardari ndodhet në krye të ligës maqedonase me 65 pikë, i ndjekur nga Shkëndija me 63 pikë në vendin e dytë.