Koreografi shqiptar ne Eurovizion

Koreografi shqiptar në Eurovizion
Këngëtarja më e popullarizuar aktualisht në Greqi, Kalomira, është përzgjedhur që të përfaqësojë atdheun e vet në festivalin evropian të këngës, Eurovizion, që do të zhvillohet në Beograd, dhjetëditëshin e tretë të këtij muaji. Me Kalomirën, një greko-amerikane e lindur në Nju-Jork, por që bën karrierë në Greqi këto vitet e fundit, grekët shpresojnë që të përsërisin suksesin e vitit 2005, kur Elena Paparizu fitoi vendin e parë. Por që objektivi i tyre të jetë më i bazuar, ata kanë thirrur në stafin e tyre një koreograf shqiptar.

Julian Bulku, u largua nga Shqipëria në fillim të viteve 90-të dhe pas një endjeje nëpër Evropë, ndaloi përfundimisht në Greqi, ku që prej dhjetë vjetësh po bashkëpunon me emrat më të shquar të shoubizit vendas. "Gjithmonë pjesëmarrja e një koreografi apo e një kërcimtari në një festival si Eurovizion, që shikohet njëkohësisht në kaq shumë shtete, është një mundësi e bukur për të paraqitur punën tënde si krijues dhe të jep edhe kënaqësinë shpirtërore, për këtë punë që po bën në këtë vend, të jep mundësi edhe më tepër të të shkojë puna më larg se sa Greqia, kjo është kënaqësia ime për Eurovizionin."

Kalomira i kishte filluar përgatitjet për Eurovizionin me dy koreografë të tjerë, por performanca nuk ishte ajo që pritej, kështu që, pasi u shoshitën shumë emra, u konkludua tek koreografi shqiptar. Kjo shkaktoi reagime nga disa prej mediave vendase që protestuan, pasi donin që koreografi të ishte grek. Vetë Kalomira, duke folur në mikrofonin e BBC-së, thotë se për një të talentuar nuk ka rëndësi origjina. "Unë mendoj se për atë që ka talent nuk ka rëndësi se prej nga është! Ma ka treguar njeri se nga është Juliani? Po, më duket se më kanë thënë. Po ai është kaq i talentuar. As që dua t’ia di se prej nga është? Unë vetë kam lindur në Nju-Jork, por njerëzit nuk mund të më thonë se nuk jam greke. E vërteta është se unë jam greke. Thjesht kam lindur në Nju-Jork! Punë e madhe!" Këngëtarja greko-amerikane nuk i kursen fjalët e mira në adresë të Julianit. "Juliani erdhi tek kompania jonë me ide të mrekullueshme. Idetë e tij ishin të reja e të freskëta. Ne na pëlqyen gjitha lëvizjet e propozuara prej tij. Ato kanë diçka të re. Në Greqi nuk ka aq shumë lëvizje (në koreografi). Shpeshherë ndeshesh me gjëra që i ke parë edhe më përpara. Neve na u desh të zgjidhnin më perfektin mes kandidatëve. Dhe i tillë është Juliani. Unë me të vërtetë mezi po pres. Dua të shtoj edhe këtë. Me të kam bërë prova për të qenë në gjendje të mirë fizike për në Eurovizion. Kemi bërë stërvitje me joga. Unë ndjehem me fat që kam një koreograf që di më shumë se lëvizjet e kërcimit." Ka një filozofi, sipas së cilës, për të bërë karrierë një talent në Greqi, duhet të bëjë ca kompromise me ndërgjegjen, të ndërrojë emrin, të ndërrojë besimin fetar, me qëllim që të jetë i pëlqyeshëm për vendasit. Juliani, jo vetëm nuk ka bërë asgjë nga këto, por në çdo hap të veprimtarisë së vet këmbëngul të tregojë origjinën. Bie fjala, një filxhan kafeje, me shkabën dykrenare dhe emrin Shqipëri, e mban gjithmonë me vete gjatë punës së tij, kudo që të ndodhet. Ai nuk ka asnjë kompleks për origjinën e tij. "Besoj se për të gjithë emigrantët që jemi larguar nga atdheu ynë, vitet e para të emigracionit kanë qenë të vështira, sepse edhe ne jemi të huaj për këta, edhe këta janë të huaj për ne. Kështu që duhej të bëhej një martesë e bukur ndërmjet mendjes sime dhe mendjes së grekut, jetës këtu, që unë të bëhesha ky që jam sot. Greqia madje, më ka dhënë mundësi që unë të vazhdoj edhe më tej hapat e mi si kërcimtar, si krijues, si artist, gjë që Shqipëria ma ka mbyllur, pse më konsiderojnë si “grek”! Unë jam larguar nga Shqipëria në moshën 19-20 vjeç, jam lindur e rritur në mes të Tiranës, nuk kam asnjë lidhje me Greqinë; por në këto momente kam lidhje, sepse janë dhjetë vjet të jetës sime. Greqia më ka dhënë shumë mundësi: më dha bursë për në Amerikë, më dha Kalomirën, më dha Eurovizionin... Do të thuash që puna ime m’i dha këto, por edhe roli i Greqisë ishte vendimtar, pse më krijoi mundësi që unë t’i realizoja aspiratat e mia", thotë Juliani.

Marrë nga BBC
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama