Erlind Korreshi ishte dje njeriu më i klikuar në internet. Fotot e tij, ku ishte i gjakosur në ballë dhe në vesh, bënë xhiron e rrjetit. Mesfushori i Kastriotit ishte një prej të dhunuarve nga tifozët dibranë, pas përfundimit të sfidës.
"Ishte një masakër e vërtetë. Jo vetëm që arbitri ishte nën presion gjatë të gjithë lojës, por në fund situata degjeneroi plotësisht. Jemi sulmuar nga tifozët vendës që na kanë goditur me çadra, leva dhe shkopinj. Kam dy të çara në vesh dhe një në pjesën e ballit. Edhe tani që po flasim bashkë, kam rrjedhje.
Nuk mund të flitet më për futboll në raste të tilla. Duhet të falënderojmë Zotin që jemi ende gjallë pas gjithë asaj dhune që kemi përjetuar. Ka ende edhe një ndeshje nga fundi i kampionatit, por gjashtë lojtarë nga ne nuk janë në gjendje për të luajtur. Pas gjithë asaj dhune, është e vështirë që të luash normalisht një ndeshje futbolli pas vetëm një jave.
Shpresoj se FSHF-ja do të marrë masa drastike për këtë që ndodhi. Është absurde që u sulmuam, në një kohë që ne u mundëm. Imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të dilnim me rezultat pozitiv nga ai stadium".