Korrupsioni ne gjyqjesor - Rama Ofensive edhe ndaj Lazaratit te Drejtesise

Korrupsioni ne gjyqjesor - Rama: Ofensive edhe ndaj 'Lazaratit te Drejtesise'

Kryeministri tha se gjyqtarët dhe prokurorët nuk e kanë marrë mesazhin e 23 qershorit. Sipas Ramës, ata janë bashkëvrasës sa herë që një njeri i pafajshëm humbet jetën, për shkak se është aty falë këtyre gjykatësve. “E domosdoshme që ky Lazarati i shtrirë nga të katër anët, që nuk mbjell kanabis, por mbjell pasiguri e terror, duke marrë para e duke lëshuar rrugëve kriminelë që mezi kapen dhe mezi çohen përpara drejtësisë, të shpartallohet, të shkallmohet dhe të zmbrapset një herë e mirë”

Qeveria, krahas ofensivës për të vënë nën kontroll Lazaratin, është e vendosur që të nisë dhe një ofensivë të dytë, atë kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje vetë kryeministri Edi Rama, i cili duke marrë shkas edhe nga aksioni i policisë në Lazarat, ka shprehur vendosmërinë e qeverisë që ai drejton, që të luftojë deri në fund “Lazaratin real”, siç e cilësoi ai situatën në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë, përfshirë gjyqësorin dhe prokurorinë. “Ne, ju siguroj, që nuk po rrimë duarkryq, por po përgatitemi shumë mirë. Ofensiva do të fillojë dhe nuk do të ndalet deri kur në Shqipëri të vendoset normaliteti edhe në këtë pjesë, që është jashtë kontrollit të të gjithëve. Ka një Lazarat tjetër, shumë më të shtrirë në të gjithë territorin, me një pandëshkueshmëri që ia ka garantuar vetes dhe ky është sistemi ynë i Drejtësisë.

 

Ky është Lazarati real dhe Lazarati më i rrezikshëm që kërcënon çdo ditë ekonominë, shoqërinë dhe jetën e njerëzve tanë”, – tha Rama gjatë fjalës së tij të mbajtur dje gjatë prezantimit të linjës së gjelbër kombëtare dhe aplikacionit “Raporto dhe Shpëto”, iniciativa më e fundit e Ministrisë së Brendshme në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore. E duke sjellë rastin e fshatit Lazarat, si një zonë që duhet vendosur nën kontroll, Rama ka theksuar se “është edhe më e domosdoshme që ky Lazarati i shtrirë nga të katër anët, që nuk mbjell kanabis, por mbjell pasiguri e terror duke bashkëpunuar, duke marrë para e duke lëshuar rrugëve kriminelë që mezi kapen dhe mezi çohen përpara drejtësisë, të shpartallohet, të shkallmohet dhe të zmbrapset një herë e mirë nga ky vend, të cilin e ka marrë peng dhe që po i merr frymën”.

 

Ai ka theksuar më tej se janë pikërisht gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ata që deri më tani nuk kanë dashur të marrin mesazhin e ndryshimit, që sipas Ramës, qytetarët dhanë me zgjedhjet e 23 qershorit. “Fatkeqësisht, nuk na rezulton se ky mesazh ka shkuar me forcën e duhur dhe ka bërë punën e duhur dhe për të vënë në lëvizjen e duhur, qoftë Prokurorinë, qoftë pastaj gjykatat”, – tha Rama. Duke vijuar më tej, ai ka shtuar se për rrjedhojë, “nëse ka diçka që ende nuk po jep asnjë shenjë bindëse se po ndryshon, është drejtësia”. Duke pranuar se bëhet fjalë për një problem kompleks dhe se përgjegjësia kryesore për këtë situatë janë ata që ndodhen brenda këtij sistemi, Kryeministri është shprehur se populli i dha mazhorancës mandatin për të ndryshuar këtë gjendje.

 

“E kam thënë dhe dua ta përsëris që ne nuk kemi mandat as për të mbyllur sytë, as për të ngritur duart përpjetë. Ne as do t’i mbyllim sytë dhe as do t’i ngremë duart përpjetë, duke parë se çfarë vazhdon të bëjë sistemi ynë i Drejtësisë, duke parë sesi njerëz që marrin kurajën të vrasin ditën për diell, njerëz që marrin kurajën të ushtrojnë dhunë të patregueshme dhe të papranueshme për një vend në mes të Europës, në familje, ditën për diell, janë njerëz të arrestuar e të stërarrestuar dhe të liruar e të stërliruar nga gjykatat”, – shtoi Kryeministri. Ai e ka konsideruar fatkeqësi kombëtare faktin që në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me kriminelë, me vrasës dhe me dhunues që nuk e kanë për herë të parë dhe që janë në gjendje të lirë vetëm sepse kanë arritur të korruptojnë gjykatës, të cilët sipas Ramës, nuk kanë asnjë lidhje me profesionin, me misionin dhe me gjithë përpjekjen e përbashkët të shoqërisë dhe me nevojën e çdo familjeje për të pasur siguri për vajzat dhe për djemtë e vet.

 

“Kjo është përtej të gjitha mundësive për të duruar. Kjo është përtej të gjitha mundësive për të qëndruar në vend. Kjo është përtej të gjitha mundësive për t’u tkurrur apo për të mos u ngutur, për shkaqe që lidhen me teoritë kushtetuese dhe me teoritë juridike të pavarësisë. Nuk mund që, nën ombrellën apo me flamurin e pavarësisë në dorë, këta gjykatës t’u marrin jetën njerëzve të pafajshëm. Janë bashkëfajtorë dhe janë bashkëvrasës, sa herë që një njeri i pafajshëm humbet jetën dhe sa herë që një vajzë trafikohet apo dhunohet nga trafikantë, që nuk e kanë për herë të parë dhe që janë aty thjesht dhe vetëm falë këtyre gjykatësve”, – tha Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama