“Ndoshta ndonjë shef shërbimi, i prirë nga puna në sektorin privat ose spitalet private, mund të paraqesë pengesa për pacientët. Kam të gjitha pikat e komunikimit për të qenë në brendësi të situatës dhe nëse një shef shërbimi u thotë pacientëve që do të anulohet operacioni sepse mungon një ilaç, absolutisht që ky do të përplaset me të gjitha masat ligjore që kam në dorë për të bërë me atë që abuzon me sektorin shëndetësor”, tha Kosova. Ai theksoi se gjithkush që ka abuzuar në spitalin “Nënë Tereza” do të përballet me ligjin. Kjo është një bindje e shprehur edhe më herët nga ministri, i cili ka deklaruar se për situatën e krijuar, sidomos me mungesën e ilaçeve në QSUT, duhet të dalin fajtorët që kanë përgjegjësi.
I pyetur nga gazetarët për qëndrimin e tij në lidhje me padinë në gjykatë nga njëri prej shefave të rinj të shërbimeve, Pëllumb Pipero, ministri theksoi se mirëpret qetësisht vendimin. “Uroj që të mbetet i kënaqur nga vendimi i gjykatës. Është e drejtë e gjithkujt të ndjekë rrugët ligjore. Megjithatë, më lejoni t’ju them se zoti Pipero ka besim tek unë për aq kohë sa më ka besuar gruan në një moment të vështirë për ta trajtuar në spital. Ne e kemi lënë të takohemi shumë shpejt, por miqësia është miqësi dhe puna është punë”, tha Kosova.
FATURAT FIKTIVE NË SPITAL
Duke iu referuar rezultateve të auditit të ndërmarrë nga MSH, ministri Kosova theksoi se mangësitë e evidentuara deri tani janë të lidhura me mungesat e barnave, ndërkohë që, sipas tij, faturat fiktive kanë dëmtuar sistemin shëndetësor. “Ajo që ka dëmtuar më shumë sistemin shëndetësor janë faturat fiktive, që kanë hyrë fatura, por jo ilaçe, dhe u është dashur qytetarëve t’i blejnë nga xhepi”, tha Kosova, ndërsa theksoi se këto raste po evidentohen. “Unë do të ndaloj në rrugën për ta bërë sa më transparente rrugën e menaxhimit të buxhetit që qeveria i drejton pacientit”, theksoi më tej ministri i Shëndetësisë.
Ai paralajmëroi përballje me masat ndëshkuese ligjore me çdokënd që bën në kundërshtim me interesin e pacientëve. “Jam i hapur dhe prirur për çdo lloj propozimi, sugjerimi për të përmirësuar punën, por për të abuzuar nuk do të lejoj askënd”, tha Kosova. Këto deklarata ai i bëri gjatë takimit informues- sensibilizues me temë “Ta ndihmojmë të voglin të marrë frymë”, zhvilluar pranë maternitetit “Koço Gliozheni”.
Ministri garantoi kujdes shëndetësor të kualifikuar pranë çdo nëne kudo ku ndodhet. Ai e vuri theksin te rajonalizimi i kujdesit shëndetësor afër çdo nëne dhe fëmije. “Çdo rast urgjent kërkon kualifikim maksimal. Mjekësia nuk është thjesht pajisje, por së pari produkt human, çdo aparaturë pa anën profesionale është e kotësi. Unë jam këtu si ministër Shëndetësie jo për t’i fshehur problemet, por se e njoh dhe di shumë mirë cilat janë këto probleme”, tha ministri Kosova.