Çdo abuzues do të përgjigjet në organet përkatëse konform ligjit” theksoi Kosova. Ministri shkoi më tej duke premtuar ndryshim të situatës aktuale brenda kësaj jave. Sipas tij, pacientët nuk mund dhe nuk duhet të vuajnë pasojat e tenderëve për të pasur ilaçe. Ministri Kosova tha se për shkak të keqmenaxhimit të kësaj natyre, QSUT është në këtë gjendje, ku ka mungesa të theksuar të ilaçeve dhe për shkak të çmimeve të barnave në disa raste 5 herë më të larta se lista bazë e medikamenteve. Kjo, në një kohë që pacientët kanë pasur 5 herë më pak barna nga ajo që duhet të kishin realisht. “Duke filluar që nga dita e nesërme (sot) do të fillojnë prokurimet por natyrisht nuk do të përdoren më ato çmime barnash që ishin përcaktuar më parë, të cilat devijonin deri në 5 fish nga lista bazë e medikamenteve. Ka pasur devijime në fondet publike të dhëna për shëndetësinë dhe keqmenaxhim të institucioneve veçanërisht QSUT” u shpreh ministri Kosova.
Të gjitha këto përfundime kanë ardhur nga kontrollet e fundit që janë kryer në institucionet shëndetësore, veçanërisht në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sensin e tij kritik, ministri Kosova e shprehu edhe kundrejt disa problematikave të vërejtura në lidhje me punën e institucionit të Shëndetit Publik. “Zbatimin e ligjit antiduhan dhe alkool mund ta quajmë, një ligj që nuk ka mirëfunksionuar asnjë herë, megjithëse jam në dijeni se janë deri diku rreth 100 inspektorë në terren që paguhen nga lekët e taksapaguesve për zbatimin e këtij ligji.”
Të gjitha këto problematika në funksionimin e shërbimit të kujdesit shëndetësor, ministri Kosova i vuri në dukje gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Shëndetit Publik. Gjatë kësaj konference janë diskutuar disa nga çështjet me interes publik në lidhje me luftimin e sëmundjeve jo të transmetueshme. Kosova vuri në dukje edhe mungesën e një Regjistri Kombëtar për sëmundjet kronike, shkak nga i cili raportohen rreth 64 për qind e vdekjeve në vend. “Sipas të dhënave, 95% e parave për listën e rimbursueshme të barnave shpenzohen për sëmundjet konike dhe 77% e barrës së shpenzimeve individuale shkojnë për kurimin e këtyre sëmundjeve.
Ndaj në këtë moment del e nevojshme dhe një riformatim mbi rolin e Institutit të Shëndetit Publik.” Nuk është anashkaluar as debati mbi përzgjedhjen e shefave të rinj të pavijoneve të QSUT-së. Ministri Kosova dha urdhër për rikthimin në detyrën e mëparshme të gjithë shefat e vjetër të shërbimeve, duke mos njohur kështu asnjë vendim të marrë së fundmi para se të vinte në krye të kësaj ministrie. Janë bërë disa ditë që kjo situatë krijon tensione dhe ankth në QSUT, ku krahas shefave të shërbimeve, edhe personeli mjekësor rezulton i përfshirë nga paniku si pasojë e valës së lëvizjeve dhe shkurtimeve nga puna që po bëhen në këtë qendër spitalore. Lidhur me këtë çështje, ai u shpreh se do të respektojë vendimet e qeverisë për këtë proces, duke pasur në themel të të gjithë procesit transparencën.