Kosova feston pavaresine

Kosova feston pavaresine
Në Prishtinë kanë nisur aktivitetet festive që shënojnë përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës. Si përherë kryeqendra e Kosovës, por edhe qendrat e tjera janë mbushur me flamuj shtetëror, kombëtar, por edhe flamuj të vendeve mike. Autoritetet e institucioneve qendrore të Kosovës dhe komunës kanë uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë. Ata e nisën ditën e 17 shkurtit me homazhe pranë varrit të ish presidentit Ibrahim Rugova, memorialit Adem Jashari në Prekaz dhe dëshmorëve të tjerë.

Në këtë ditë të gjithë kujtojnë breza të tërë që u flijuan për liri e pavarësi. Ndërsa e ngjarjet e së ardhmes shihen si sfida, që për t’i tejkaluar duhet shumë punë. Në një aktivitet kushtuar ditës së pavarësisë, kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa foli për punën e komunës në këto vitet e fundit. Ai u ndal edhe në sfidat që e presin Kosovën në rrugën e saj euro atlantike, duke thënë se përvjetori i pavarësisë shërben si një ditë për t’i kujtuar të gjithë ata që dhanë jetën për këtë ditë. Urime në përvjetorin e tretë të shtetësisë së Kosovës kanë ardhur nga të gjithë politikanët kosovarë. Ndërkohë që siç është bërë traditë tashmë, atmosfera e kësaj dite në rrugët e Kosovës është më e ndezur se kurrë.

Topi uron pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka uruar tre vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se 17 shkurti është një ditë e shënuar që shënoi fatin e shtetit më të ri të Evropës. Duke folur gjatë ceremonisë së dekorimit të kontigjentit “Eagle 1”, me mision në Afganistan, kreu i shtetit deklaroi se Shqipëria dhe Kosova do të jenë një ditë bashkë, në kuadër të integrimit në BE.

“Dëshiroj të përshëndes në mënyrë të veçantë përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës. 17 shkurti përcaktoi fatin e shtetit të Kosovës si një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur. Kjo do të mbetet në kujtesën e gjithë shqiptarëve si një ditë kulmore që do t’u tregohet edhe brezave të mëvonshëm”, tha Topi.

“Ne kemi shprehur jo vetëm mirënjohjen tonë të thellë, por kemi përshëndetur ritmin e zhvillimit të shtetit të Kosovës. Integrimi në Bashkimin Evropian do të jetë edhe pika jonë e ardhshme e bashkimit”, deklaroi Topi.

Berisha: 17 shkurti një ditë e shënuar

Kryeministri Sali Berisha ka uruar 3 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë. Ai ka deklaruar se 17 shkurti është dita më e shënuar për shqiptarët, që prej qëndresës së Skënderbeut ndaj turqëve.

“17 shkurti është dita më e rëndësishme në historinë e kombit. Është dita që bëri të këndohet kënga e lirisë. Pavarësia e Kosovës përbën faqen më të ndritur të historisë kombëtare që nga Skënderbeu e deri më sot. Pavarësia e Shqipërisë ishte konjukturore pasi ky akt u shoqërua me coptimin e shqiptarëve në pesë shtete”, tha Berisha.

“Ajo që ndodhi me 17 shkurt erdhi si kurorë e një qëndrese mbinjerëzore të shqiptarve për liri dhe dinjitet kombëtar. Ti përcjellim qytetarëve të Kosovës, urimet më vllazërore dhe me të përzemërta në këtë ditë që bëri të mundur t’u rikthejë dinjitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptarëve kudo që ndodhen! Gëzuar pavarësinë e vendit!”, theksoi Berisha.

Kosova, Rama uron pavarësinë

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka uruar pavarësinë e Kosovës, gjatë një daljeje për mediat, në selinë rozë. Ai ka deklaruar se 17 shkurti është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët. “Pavarësia e Kosovës është një ditë e shënuar për historinë e Kosovës dhe gjithë shqiptarët”, deklaroi Rama.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama