Kosova do të kërkojë dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin që kjo e fundit i ka shkaktuar në objektet e trashëgimisë kulturore gjatë luftës. Sipas Edita Tahirit, zëvendëskryeministre dhe udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, pala kosovare do ta bëjë këtë në raundin e katërt të bisedimeve në mes dy shteteve, që pritet të nisë më 17 maj në Bruksel. Në mesin e temave që do të diskutohen është edhe ajo për trashëgiminë kulturore, të cilën e ka propozuar për negocim ekipi serb.
Përveç dëmshpërblimit, ekipi i Kosovës, sipas Tahirit, do t’i kërkojë Serbisë edhe kthimin e të gjitha artefakteve që ajo i ka marrë nga Muzeu i Kosovës në vitin 1999, si dhe kthimin e dokumentacionit për monumentet e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Por dy javë nga nisja e raundit dyditor të dialogut, institucionet e Kosovës, kompetente për fushën e trashëgimisë kulturore, ende nuk kanë llogaritur se cilat janë dëmet dhe sa mund të jetë shuma e dëmshpërblimit. Në anën tjetër, pala serbe ka deklaruar më parë se do të kërkojë të drejta për restaurimin e kishave ortodokse në Kosovë. Gjithashtu, ata pretendojnë se duhet kthyer edhe pjesa tjetër e artefakteve në të ashtuquajturin “Muzeu i Prishtinës”, që ata e kanë themeluar në Beograd, e ku ruhen rreth 3 mijë artefakte të huazuara të Kosovës. Ekspertët bëjnë thirrje të mos tejkalohet Pakoja e Ahtisarit.
“Do të kërkohet dëmshpërblimi për dëmet që i janë bërë trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë periudhës së okupimit dhe në veçanti gjatë dy viteve të luftës”, - është shprehur të mërkurën për “Kohën Ditore”, Edita Tahiri, zëvendëskryeministre dhe udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë. “Prej të gjitha institucioneve të Kosovës është kërkuar asistenca për furnizim me dokumente dhe informacione aktuale. Jemi duke mbledhur dokumente të ndryshme lidhur me trashëgiminë kulturore për shumë aspekte”, - ka thënë Xhejlane Hoxha, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Duket se institucionet kulturore nuk kanë ende një platformë në të cilën duhet të mbështetet delegacioni kosovar në kërkesat e tyre. Pakoja e Ahtisarit, në aneksin V të saj, që flet për trashëgiminë kulturore dhe fetare, pjesën më të madhe ia kushton lirisë së plotë të veprimit të kishës ortodokse serbe. Në nenin 6 të këtij aneksi, në Pako thuhet se: “Republika e Serbisë, brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999”. Më shumë se 3 mijë artefakte etnologjike dhe arkeologjike të Kosovës, tash 12 vjet ndodhen në Serbi. “Hyjnesha në fron” është i vetmi eksponat që i është kthyer Prishtinës më 2001 me ndërmjetësimin e Michael Steinerit, përfaqësuesit të atëhershëm special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.