Kosova kremton 7 vjetorin e Pavaresise. Kreret e vendit nderojne deshmoret e luftes

Kosova kremton 7 vjetorin e Pavaresise. Kreret e vendit nderojne deshmoret e luftes

Kosova feston sot përvjetorin e 7 të pavarësisë së saj. Më 17 shkurt të vitit 2008, në një seancë solemne, Kosova u shpall shtet i pavarur, pasi deri në atë kohë administrohej nga UNMIK-u.

Zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit, që në orët e para të mëngjesit, kanë nderuar dëshmorët e luftës dhe kanë bërë homazhe te varri i komandantit legjendar, Adem Jashari në Prekaz.

Po ashtu, nderime janë bërë edhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rrugova. Këtë përvjetor në Prishtinë nuk do të parakalojnë trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Presidentja Atifete Jahjaga u shpreh se, këto homazhe janë në nder të “ideatorit të pavarësisë”, ndërsa shtoi se sot Kosova ka perspektivë të qartë evropiane.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa, e cilësoi Rrugovën si njeriun që hodhi themelet e pavarësisë. “Ne vlerësojmë kontributin e tij që ky shtet të jetë demokratik dhe që ne të mburremi me të”, tha Mustafa.

Nuk munguan homazhet edhe nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Urime qytetarëve të Kosovës, urime shqiptarëve, urime liridashësve. Faleminderit atyre që u flijuan për këtë ditë, të cilën e shohim edhe si një mesazh se na presin shumë punë përpara. Siç kemi ditur dikur në kohë të vështira, edhe tani të gjejmë forcën që të ecim përpara”, tha Haradinaj.

Siç është traditë, në orën 15:00 do të mbahet edhe një seancë solemne e Kuvendit. Pas një pritjeje nga presidentja dhe kryeministri, mbrëmja festive zyrtare do të mbyllet me ndezjen e organizuar të fishekzjarrëve në qendër të Prishtinës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama