Bajraktari tha se në Institutin e Historisë funksionon Departamenti i Kohës më të Re, ku studiuesit e këtij departamenti merren me historinë bashkëkohore, ku përfshihet edhe periudha e luftës çlirimtare të Kosovës.
“Të gjithë studiuesit e Institutit janë angazhuar për grumbullimin e të dhënave nëpër komunat e Kosovës. Ata janë në fazën e grumbullimit e të kompletimit të materialeve arkivore dhe gojore, të cilat do të shërbejnë si bazë për studimin e ngjarjeve dhe segmenteve të veçanta të luftës çlirimtare të Kosovës”, - ka pohuar ai.
Bajraktari thotë se janë në vlugun e mbledhjes së materialeve relevante ku pretendohet të përfshihen të gjitha zonat dhe vendngjarjet, në të cilat janë zhvilluar aksionet dhe luftërat e segmenteve të organizuara nga UÇK-ja.
Po ashtu, një kujdes i veçantë po i kushtohet pasurimit të bibliotekës me botimet publicistike nga autorë të huaj e vendorë. “Përveç vështirësive materiale, një pengesë tjetër paraqet edhe mungesa e materialeve burimore dhe neglizhenca e subjekteve që disponojnë këto materiale për t’i dorëzuar në Arkivin e Kosovës dhe në atë të Institutit të Historisë”, - shprehet Bajraktari. Sipas tij, Instituti ka organizuar sesionin për luftën e Koshares qysh në vitin 2000 dhe janë të gatshëm që në bashkëpunim me subjektet relevante të organizojnë forma të ndryshme të trajtesave shkencore, ndërkaq disa nga studiuesit e këtij instituti janë angazhuar me rastin e shënimit të ngjarjeve të veçanta të kësaj periudhe. Sa i përket botimeve, Bajraktari tha se deri më tash janë botuar disa publikime, kujtime dhe monografi të karakterit publicistik, ku në këtë kuadër kanë dhënë edhe kontributin e tyre në mbështetje të subjekteve që kanë kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën profesionale.
“Për të trajtuar me objektivitet në mënyrë profesionale dhe shkencore luftën e UÇK-së janë të domosdoshme materialet arkivore të proviniencës vendore dhe të arkivave të jashtme, ku në këtë drejtim duhet pasur parasysh edhe faktorin kohë për vlerësime të qëndrueshme e të argumentuara”, - theksoi Bajraktari.
RE. KU. : Gazeta Standard