Pranimi i Kosovës tri ditë më parë në UEFA ka sjellë reagime të shumta jo vetëm nga futbollistët që luajnë në Shqipëri, Kosovë apo në Zvicër, por edhe në Maqedoni.
Të fundit janë dy vëllezërit nga Kosova Suad dhe Emir Sahiti, të cilët luajnë në Maqedoni me skuadrën e Rabotniçkit.
Pak muaj më parë, Suadi, i cili është më i madhi në moshë ka pranuar të luajën për skuadrën e Maqedonisë, ndërsa Emiri ka shprehur dëshirën për të luajtur me kombëtaren kuqezi. Më herët, dy vëllezërit kanë shfaqur interesin edhe të Skënderbeut, por pranimi i Kosovës në UEFA të martën e kaluar, duket se ka ndryshuar planet e tyre.
"Arsyeja se pse pranova ftesën e Maqedonisë ka qenë se Kosova nuk më kishte ftuar asnjëherë. Mirëpo, tash kur ajo u pranua në UEFA nuk e di se a do të më ftojnë apo jo. Nëse me ftojnë do të shkoj dhe do të bisedoj. Deri atëherë, vendimi nuk ndryshon dhe do të vazhdoj të luaj për Maqedoninë edhe pse realisht pasaporta akoma është në procedurë dhe nuk e kam marr ende.
Sa i përket pranimit të Kosovës, normal që jam i gëzuar shumë dhe është një ndjenjë e mirë që shteti im të jetë pjesë e kualifikimeve për Evropian dhe dashtë Zoti edhe për Botëror", deklaroi Suadi për "koka.mk".
Ndërsa 17-vjeçari Emiri duket i vendosur në zgjedhjen e tij për të luajtur një ditë për kuqezinjtë.
"Tash për tash nuk mendoj të ndryshoj vendimin që kam marr. Pra dëshira ime është që të luaj për Shqipërinë, ndërsa nuk e di se çfarë mund të sjell e ardhmja.
Shpresoj që sa më shpejtë të marr edhe pasaportën dhe të mund të luajë për kuqezinjtë. Ndryshe, pranimi i Kosovës në UEFA ka qenë një lajm shumë i mirë për mua dhe uroj që me hapa të sigurt të ec drejt sukseseve të Kombëtares së Shqipërisë", tha ai për 'KOHA'.