- Shqipëria aspiron kandidaturën për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitet 2022-2023 -
TIRANË, 22 Tetor/ATSH-Maela Marini/.- "Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO", deklaroi të enjten në mbrëmje ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, duke shprehur bindjen se "ky do të ishte një mesazh inkurajues për procesin e normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në rajonin tonë si dhe për të ruajtur pasurinë kulturore të përbashkët të rajonit".
Në ceremoninë e organizuar në mjediset e Pallatit të Brigadave me rastin e 70-vjetorit të krijimit të OKB-së, Bushati u ndal te angazhimi i vendit tonë në UNESCO dhe mbështetja që Shqipëria i jep Kosovës për anëtarësim. Ai shprehu bindjen se "paqja arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe përfshirjes, jo nëpërmjet izolimit".
"Shqipëria ka patur dhe do të ketë një bashkëpunim të suksesshëm me UNESCO-n, duke marrë pjesë në të gjitha programet e organizatës. Butrinti, Berati dhe Gjirokastra, këngët tona polifonike, Ohri dhe Prespa, na bëjnë krenarë dhe të përgjegjshëm për praninë tonë në UNESCO", tha Bushati, ndërsa theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë organizatë, si një element me peshë në ndërtimin e shoqërive demokratike.
Duke shprehur mbështetjen për antarësimin e Kosovës në këtë organizatë, Bushati garantoi se, "Shqipëria do të vijojë t'i japë mbështetjen e pakursyer në këtë drejtim, në sintoni të plotë me partnerët tanë strategjikë".
Lidhur me ambiciet e Shqipërisë në OKB, Bushati tha se "si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka përgjegjësi të vençanta si vend kontribues dhe prodhues i sigurisë në rajonin tonë". Është kjo përgjegjësi, që sipas tij, përbën thelbin e kandidaturës sonë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitet 2022-2023.
"Kandidatura është manifestimi më konkret i gatishmërisë dhe aftësisë sonë për të kontribuar në mënyrën më të qenësishme për paqen dhe sigurinë në botë. Shqipëria beson tek OKB, pavarësisht mangësive të saj dhe instrumenteve të kufizuara që ajo disponon. OKB mbetet për ne një platformë e pazëvendësueshme për zgjidhjen e krizave, për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për një vizion të përbashkët të zhvillimit të qëndrueshëm të planetit", tha ai duke shprehur mbështetjen për reformën e OKB-së.
OKB, tha Bushati, lindi si një fije drite në mes të errësirës". "Bota sapo kishte përjetuar një prej katastrofave më të mëdha njerëzore dhe po përjetonte ndarjen nga perdja e hekurt e luftës së ftohtë. OKB ishte ndezja e një flake shprese për ndërtimin e një të ardhme më të mirë në mbarë botën. Ajo ishte mbase një nga arritjet më të mëdha të shekullit që lamë pas, një përpjekje fisnike për të vendosur një rend të ri ndërkombëtar", tha Bushati.
Në këto 7 dekada popujt dhe kombet, sipas tij, kanë shkruar historinë së bashku, me arritjet dhe dështimet, por gjithnjë me dëshirë e angazhim për një të ardhme më të mirë.
Pyetjes nëse mjafton një OKB në formën e tanishme për t'i bërë ballë sfidave aktuale me të cilat përballet njerëzimi, Bushati iu përgjigj duke thënë se "jetojmë në një një periudhë kaotike si pasojë e ndryshimeve të imponuara nga krizat e rendit botëror".
"Globalizmi dhe ndërveprimi, urbanizimi i pandalshëm, ndryshimet demografike në rritje, flukset emigratore, por edhe rreziqet e reja siç janë ndryshimet klimatike dhe krimi kibernetik, janë nga simpomat e një bote ende në kërkim të një ekuilibri. Kriza të tilla si Ukraina, Pranvera Arabe, ISIS dhe kaosi në Lindjen e Mesme, situata e paqëndrueshme financiare në botë, kanë dëmtuar qasjen shumëpalëshe të adresimit të konflikteve. Këto kriza që deri dje dukeshin larg sot falë globalizmit ndihen pranë. Për vite me radhë bashkësia ndërkombëtare ka pasur në fokus asgjësimin e vatrave të terrorizmit. Sot fosuki ynë është zhvendosur në përballimin e pasojave të drejtpërdrejta të këtyre vatrave mbi Europën dhe rajonin tonë", vijoi Bushati.
Në veçanti, ministri i Jashtëm nënvizoi situatën në Siri, një dramë njerëzore e përmasave katastrofike, ku përplasja e shumë aktorëve mund të ketë pasoja edhe më të mëdha.
Sipas tij, "kriza në Siri, Irak dhe Libi ka treguar më së miri se lufta ndaj terrorizmit nuk mund të jetë sukses vetëm përmes ndërhyrjeve ushtarake, pa u shoqëruar me një proces politik të qëndrueshëm".
Viti 2015, kujtoi Bushati, shënon gjithashtu 60-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe të OKB-së. "Janë 6 dekada të ndara në 2 epoka, në dy rrugëtime me kahje e drejtime të ndryshme. Ky rrugëtim në 25 vitet e fundit e ka afirmuar vendin tonë në vijën e parë të aktorëve të përgjegjshëm, dinamikë dhe me një rol dhe peshë të posaçme në rajon", vijoi Bushati, duke shtuar se "tranzicioni ekonomik dhe social do të kishte qenë edhe më kompleks, më i vështirë dhe më i gjatë nëse ne nuk do të kishim patur vëmendjen dhe ndihmën bujare të miqve dhe partnerëve tanë".
Kryediplomati shqiptar theksoi se, sot aksioni i vendit tonë në OKB është i shtrirë në gjithë spektrin e veprimtarisë së organizatës. "Shqipëria ka kontribuar me trupa ushtarake dhe policore në misionet e OKB-së, është angazhuar në mënyrën më aktive të mundshme në mbështetje të reformës së ndihmës për zhvillimin dhe zbatimin e modelit "Një OKB", shtoi ai.
Ndërkohë, Bushati theksoi se vitin e kaluar, për herë të parë në historinë e e saj, Shqipëria u anëtarësua në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. "Kjo është dëshmi e qartë e suksesit të politikës sonë të jashtme dhe fryt i drejtpëdrejt i bashkëpunimit me partnerët tanë. Shqipëria është e angazhuar në nxitjen e modeleve më të përparuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke ndarë eksperienca pozitive dhe përvojën rrezatuese të një shoqërie tolerante në fjalë dhe në vepra", shtoi ai.
Zhvillimi i qëndrueshëm në Shqipëri, sipas Bushatit, përkthehet në shumë aspekte, por kryefjala dhe kyçi i sukseseve tona do të përcaktohen nga reforma në drejtësi, sundimi i të drejtës në ekonomi dhe ruajtja e mjedisit si domosdoshmëri për të ndërtuar një ekonomi konkuruese dhe një shoqëri të drejtë dhe solidare.