Kosova ne UNESCO Politikat e trashegimise kulturore

Kosova ne UNESCO: Politikat e trashegimise kulturore

A do të pranohet kërkesa e Prishtinës zyrtare për anëtarësim në UNESCO? Disa shtete e kanë kundërshtuar, ndërsa kryeministri serb u ka dërguar letër bordit të anëtarëve për të mos e pranuar, sepse bie ndesh me ligjin ndërkombëtar. E megjithatë, më 22 tetor, 195 vende anëtare do të votojnë. Megjithëse nuk është anëtare e OKB-së, Kosova e ka një shpresë për t’u pranuar. Nëse nesër vjen një përgjigje pozitive, vendimi përfundimtar merret në nëntor…

Trashëgimia është e bërë prej historive vendase, që bashkë ndërtojnë historinë e botës… Kështu shprehet Alban Bakija, drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore të Kosovës, në fushatën “Kosova në UNESCO”, e cila është prezantuar me nismë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ndërsa i gjithë vendi pret vendimin e 22 tetorit, që vendet anëtare të Organizatës së  Kombeve të Bashkuara për Edukim, Kulturë dhe Shkencë do të marrin për ta përfshirë ose jo Kosovën në UNESCO.

“Kosova ka shumë për t’i ofruar botës; kishat ortodokse serbe, xhamitë otomane, resortet e bukura të skive dhe habitate të tjera natyrore presin të zbulohen si pjesë e trashëgimisë së përbashkët globale”, – thuhet në faqen zyrtare të internetit, të hapur në kuadër të kësaj fushate www.kosovoinunecso.com.

Politikanë, personazhe publikë e artistë janë rreshtuar në mbështetje të kësaj fushate. “Jam entuziast të di se autoritetet e Kosovës po aplikojnë këtë vjeshtë për anëtarësim në UNESCO, në mënyrë që t’iu sigurojë qytetarëve më shumë mundësi. U dërgoj mbështetjen time të plotë. Ata kanë zgjedhur drejtimin e duhur, atë të integrimit dhe bashkëpunimit. Hyrja në programe të ndryshme shkencore ndihmon. Kërkimi shkencor është bast i sigurt: edhe idetë më të thjeshta mund të kenë pasoja me ndikim të gjerë. Është fisnike të ndryshosh jetën e dikujt, të njohësh përpjekjet e tij apo të saj. Por para së gjithash, kemi detyrimin të jemi të drejtë. Duke i ofruar anëtarësim të plotë Kosovës, vendet anëtare do të bëjnë çka është e drejtë dhe e duhur”, – është shprehur mjeku dhe farmakologu i famshëm, fitues i çmimit “Nobel” në vitin 1998, Ferid Murad.

Ylli i muzikës pop, njëherazi edhe ambasadore nderi e Kosovës, Rita Ora, është shprehur se kjo iu mundëson qytetarëve të Kosovës të ecin përpara.

I mbështes përpjekjet e bëra nga autoritetet e vendit tim të lindjes që e angazhojnë Kosovën në të gjitha forumet multilaterale, përfshirë këtyre edhe UNESCO-n, në mënyrë që të sigurojnë që  njerëzit e Kosovës, rinia e Kosovës të kenë akses në më shumë mundësi. Gjithashtu, të drejtat e tyre do të mbrohen më mirë”, – ka thënë Ora.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mbështetëse e fushatës është shprehur se Kosova e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s. “Kosova e mbron trashëgiminë e saj kulturore dhe është krenare për vlerat dhe diversitetin e saj. Ajo e meriton të jetë në UNESCO”, – ka shkruar Jahjaga.

Ministri i Integrimit Europian të Kosovës, Bekim Çollaku, është shprehur se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të ishte arritje e madhe për vendin.

“Tani që po i ofrohemi çdo ditë kohës kur do të ketë një vendim të madh për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, është shumë me rëndësi që të gjithë me aq sa mundemi ta mbështesim këtë fushatë të rëndësishme për vendin tonë. Vlera e anëtarësimit në këtë organizatë është shumë e madhe”, – ka shkruar në rrjetet sociale Çollaku, duke shtuar se Kosova ka vlera të panumërta për t’ia bashkuar komunitetit ndërkombëtar në kulturë, edukim e shkencë.

“Të mos lejojmë që zëri i kundërshtarëve të këtij procesi të jetë më i lartë se zëri ynë i arsyes dhe qëllimmirë”, – ka përfunduar Çollaku, duke iu referuar kundërshtimit ndaj përpjekjes së Kosovës për t’u bashkuar me trupin e OKB-së të shteteve, si Rusia, Kina, Argjentina dhe Kuba, të njohura si mbështetëse të Beogradit zyrtar.

Sigurisht që kjo përpjekje për t’u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore të botës do të shihej me ngjyresa politike.

Nga Beogradi zyrtar, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, të dielën përpara takimit të bordit ekzekutiv u  ka dërguar letër të gjithë anëtarëve të UNESCO-s për të mos votuar në favor të Kosovës, sepse kjo mund të shkelë ligjin ndërkombëtar.

“Kosova nuk mund të konsiderohet shtet, siç parashikon ligji ndërkombëtar, ndaj është e qartë se nuk përmbush kërkesat bazë të jetë pjesë e UNESCO-s”, – ka shkruar Vuçiç, i cili e ka akuzuar Prishtinën për moskujdes dhe për bashkëpunim në shkatërrimin e disa siteve të trashëgimisë kulturore, që tashmë janë të përfshira në listën e UNESCO-s si Manastiri i Deçanit, Patriarkati i Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Virgjëreshës së Ljeviskës, Prizren.

Vuçiç ka shtuar në letrën e tij se prej vitit 1999, 141 ndërtesa ortodokse serbe janë shkatërruar apo dëmtuar dhe sipas Vuçiç-it, Kosova nuk i respekton vlerat dhe synimet e UNESCO-s.

Serbia nuk ka të drejtën të vendosë veton ndaj anëtarësimit të Prishtinës në UNESCO dhe Kosova mund t’i bashkohet edhe pa qenë shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Me gjithë kundërshtitë, përpjekjet e Prishtinës zyrtare për t’u pranuar në listën e vendeve të trashëgimisë botërore nuk ka rënë në vesh të shurdhët, pasi komitetit ekzekutiv i UNESCO-s e ka vendosur si pjesë të axhendës së punimeve dhe rendit të ditës çështjen e Kosovës ku nesër, pas diskutimeve do të votohet për anëtarësimin në UNESCO.

Për ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi, nismëtar i kësaj përpjekjeje, kjo është një fitore e vogël. E madhja do të varet vetëm nga votimi. Kjo do të thotë se duhet të paktën 58 vota në favor të kërkesës së Prishtinës zyrtare e të anëtarëve të Bordit Ekzekutiv, të votojnë në favor të kërkesës  së paraqitur nga Prishtina zyrtare. Por nuk mbaron këtu. Ky është vetëm hapi i parë. Vendimtari merret në konferencën e përgjithshme të UNESCO-s në nëntor, ku dy të tretat e 195 anëtarëve të saj dhe 6 të asociuarve duhet të votojnë në favor të kërkesës për anëtarësim, në këtë mënyrë  Kosova i bashkohet UNESCO-s. Kërkesën për pranim të Kosovës në UNESCO formalisht e ka parashtruar Shqipëria, ndërsa është përkrahur nga 45 vende, ndër to SHBA, Gjermania, Britania, Franca, Austria, Sllovenia, Irlanda, Holanda etj.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro është shprehur optimiste mbi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke e quajtur atë të merituar. Sipas Kumbaros, kultura nuk ka kufij administrativë.

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, jo vetëm duhet të bëhet i mundur, por është edhe i merituar. Kosova me territorin, banorët, historinë, monumentet dhe kulturën që mbart, është një pjesë e mozaikut kulturor të rajonit të Ballkanit. Të gjitha shtetet e Ballkanit janë në UNESCO dhe është absurde, madje qesharake, që një pjesë e këtij rajoni të mos jetë formalisht brenda, ndërsa është tashmë pjesë e saj me ndërlidhjen organike që ka me historinë e kulturën materiale dhe jomateriale të të gjithë rajonit. Kultura nuk ka kufij administrativë, e aq më pak luftarakë. Kultura nuk mbrohet duke përjashtuar, por duke përfshirë dhe shkëmbyer reciprokisht. Kjo qëndron në vetë thelbin e organizatave si UNESCO”, – ka shkruar Kumbaro në rrjetet sociale, duke shtuar se nga ky anëtarësim i Kosovës  përfitojnë edhe vendet e rajonit, si Serbia, Shqipëria, por edhe Maqedonia e Mali Zi. “…Sepse secili nga vendet tona ka identitetet e veta të mirëfillta kulturore, por edhe ndërthurje të tyre, nuk mund të ruajmë, mbrojmë, promovojmë trashëgimitë tona kulturore pa mbrojtur dhe ato të komshiut”, – vijon ministrja shqiptare e Kulturës, duke përfunduar se nën kujdesin profesional e ndërkombëtar të organizatës, Kosova jo vetëm do të marrë por edhe do të japë, dhe sipas saj, ka shumë për të dhënë.

Qeveria dhe qytetarët e Kosovës janë me vullnet për t’i çuar kosovarët në një nivel të përgjegjshëm për t’i aftësuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe programet e mrekullueshme në arsimin cilësor dhe burimet e ofruara nga UNESCO, thuhet në fushatën “Kosova në UNESCO”- një vendim që sipas Prishtinës zyrtare  mund të bëjë 1.8 milionë njerëz të barabartë me pjesën tjetër të botës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama