Kosova se shpejti edhe me himn

Kosova, së shpejti edhe me himn
"Por nuk përjashtohet mundësia që ky numër të jetë dhe më i lartë, pasi në zarfet që janë dorëzuar mund të ketë më shumë se një kompozim. Të paktën kështu ka ndodhur me aplikantët për flamurin dhe stemën e Kosovës. Kuci tha për "Shqip" se "ka aplikantë nga vende të ndryshme të botës që kanë marrë pjesë në këtë konkurs". Por, nuk ishte në gjendje të thoshte nëse ka aty edhe serbë.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mori vendimin të shpallë konkursin për himnin, pasi ky është një obligim që del nga paketa e "Ahtisarit". Nëse për flamurin dhe stemën, morën pjesë edhe dizajnë amatorë, për himnin janë vetëm profesionistët ata që mund t‘u përgjigjen kërkesave specifike. Kjo për shkak se duhet të jenë njerëz që merren me muzikë. Pentagramet e futura nëpër zarfe do të shqyrtohen nga një juri profesionistësh, e cila fillimisht do të bëjë përzgjedhjen paraprake, pra do të shohë nëse plotësohen kriteret. Më pas do të shihet vija melodike dhe do të bëhet përzgjedhja e tre varianteve më të mira. Kriteret përcaktojnë që himni të mos jetë më i shkurtër se 30 sekonda dhe më i gjatë se 60 sekonda. Një nga kriteret e konkursit ishte që tinguj e Himnit të Kosovës kurrsesi nuk duhet të jenë të ngjashëm me të ndonjë vendi tjetër. Konkursi ka krijuar mundësinë e kompozimit pa nevojën e një teksti dhe sipas të gjitha gjasave Himni i Kosovës nuk do të ketë një të tillë. "Ky konkurs ka të bëjë kryesisht me kompozimin e muzikës, e jo me tekstin e himnit", thuhet në krye të konkursit ndërsa kriteret kanë qenë të përcaktuara me kujdes.

Kjo për shkak të situatës delikate mes komunitetit serb dhe shqiptar. Kompozimi duhet të jetë i dallueshëm, të jetë unik dhe origjinal. Cilido propozim duhet t‘i përmbahet frymës dhe përmbajtjes së propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Republikës së Kosovës. Për t‘iu përmbajtur propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen në mënyrë specifike, të gjitha propozimet nuk duhet të paraqesin apo të përngjajnë me himnin apo këngën popullore të cilitdo shtet, ose me himnin e cilësdo parti politike, lëvizje apo institucion të Republikës së Kosovës, ose të implikojnë çfarëdo besnikërie ndaj cilitdo komunitet etnik të Republikës së Kosovës. Një himn jozyrtar ka vite që qarkullon në Kosovë. "Kur ka ra kushtrimi në Kosovë", i njohur si himni i Rugovës, i cili ka një vijë melodike mjaft interesante sipas Rauf Dhomit, një prej kompozitorëve më të njohur në Kosovë. Po kështu, edhe teksti i tij nuk përmend asnjë komunitet. Por ky himn duket se ka pak gjasa për të fituar. Kjo për shkak se partitë politike nuk pajtohen me të.

Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama