Bosnjë-Hercegovina do të ketë afat një muaj që të vendosë përfundimisht rreth raporteve me qytetarët e Kosovës. Në rast se nuk ndryshon qëndrimin e saj, rreth qarkullimit të shtetasve të Kosovës, atëherë reciprociteti i paralajmëruar nga qeveria e Kosovës, do të nisë më 15 janar të vitit të ardhshëm. Qeveria e Kosovës mori këtë vendim pas reagimit nga autoritetet serbe lidhur me çështjen e qarkullimit të shtetasve kosovarë , raporton “Koha Ditore”.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nëse deri në fillim të vitit të ardhshëm autoritetet e Bosnjës nuk reflektojnë në raport me Kosovën, atëherë masa e reciprocitetit është e pashmangshme. Ministri Hoxhaj i ka quajtur të parëndësishme reagimet e Serbisë, duke theksuar se qeveria e Kosovës është e vendosur që reciprociteti të aplikohet.
Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se Beogradi do të bëjë presion tek autoritetet ndërkombëtare që Prishtina të tërhiqet nga ky hap. Ai shtoi se Kosova nuk mund të marrë një vendim të tillë, pasi është nën administrimin e OKB-së.