13 maj 2016. Kjo datë do të mbetet gjatë në memorien e të gjithë shqiptarëve. Do të shkruhet në librat e historisë dhe do të jetë kufiri ndarës i dy epokave.
Tanimë Kosova do të jetë e barabartë dhe e lirë mes të gjitha vendeve të globit. Kongresi i FIFA-s votoi me një shumicë dërrmuese të hapë portat edhe për futbollin kosovar, duke hequr në këtë mënyrë një damkë të madhe turpi për botën e qytetëruar.
Tanimë në kontinentin e vlerave dhe të drejtave nuk ka më të persekutuar, të dënuar dhe të ndaluar për të qenë të barabartë dhe të lirë për të luajtur sportin më të dashur në botë. Parë në këtë këndvështrim, vendimi i fundit i FIFA-s për të lejuar Kosovën të luajë në kompeticionet e saj është e përafërt me heqjen e skllavërisë në SHBA, pak më shumë se 150 vite më parë. Do të jetë plotësisht e tillë, ditën kur Kosova do të pranohet në të gjitha organizmat e mëdha botërorë.
Rilindja e futbollit kosovar
Brenda Shqipërisë së kufijve shtetërorë, vitet e fundit mund të jetë abuzuar jo pak me fjalën rilindje, por pas anëtarësimit të Kosovës në FIFA, pjesa tjetër shqiptare mund ta meritojë plotë- sisht këtë përcaktim. Fakti që përfaqësuesja e Kosovës do të konkurrojë më në fund në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare, do të startojë një proces të jashtëzakonshëm ringritjeje të këtij sporti.
Nga sot, bota do të mësojë më shumë për Kosovën, përfaqësuesja e së cilës, me shumë mundësi, do të jetë një tjetër shembull, se çfarë ka mundësi të realizojë edhe një vend i vogël. Më në fund, bijtë e shqiptarëve të Kosovës të lindur, rritur dhe formuar sportivisht në vendet e tjera, kanë një mundësi më shumë për të treguar pa droje identitetin e tyre dhe të kontribuojnë për ta prezantuar sa më mirë shtetin e tyre, në sytë e të gjithë botës.
Njëkohësisht, vendimi i fundit i FIFA-s do të jetë një fillim i ri për të gjithë lëvizjen futbollistike në Kosovë. Për të gjithë komunitetin e këtij sporti, trajnerë, futbollistë, drejtues klubesh, gjyqtarë dhe veçanërisht të rinjtë që synojnë të përfshihen në këtë lojë, është hapur një portë e madhe shprese, besimi, entuziazmi për një të ardhme më të mirë. Dhe shqiptarët e Kosovës e kanë dëshmuar se u mjafton vetëm liria për të realizuar gjëra madhështore.
"Ne jemi një"
Në kulmin e festimeve për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, ka një apel të rëndësishëm edhe për patriotët. Nëse në këtë moment duhet kontributi i tyre për të udhëhequr procesin e pakthyeshëm të bashkimit të shqiptarëve. Nëse në aspektin politik pengesat janë të shumta, duke filluar nga detyrimet tona para partnerëve tanë, realitetin e tyre të Kosovës, me komunat serbe të ngulura në trupin e saj, në aspektin sportiv këto probleme nuk ekzistojnë.
Në këtë pikë do të duhet të triumfojë bindja dhe e vërteta e vetme "Ne jemi një" dhe jo propozimi "Ne jemi vëllezër". Kjo, sepse na kanë mësuar se Shqipëria në ditën e saj të Pavar- ësisë ishte një strukturë unike dhe, pas saj, të gjitha betejat kanë qenë për bashkimin e të gjitha trojeve. Për këtë arsye, Kombëtarja e futbollit, ai realitet që kemi sot, ajo frymë do të duhet të vazhdojë. Dëshira e shumëkujt do të ishte që shqiptarët të bashkoheshin në një proces të ngjashëm me atë të dy Gjermanive, por për momentin kjo duket mjaft e vështirë.
Por, nëse një gjë e tillë përballet me probleme të mëdha në aspektin politik apo ekonomik, të paktën pjesa sportive duhet të jetë shembulli për t'i treguar botës se "Ne jemi një".
Për të realizuar këtë mision, më të mirët e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, do të duhet të zgjedhin të luajnë për Kombëtaren që i përfaqëson të gjithë, që luan me ngjyrat kuqezi dhe që këndon himnin e flamurit.
Koha për një kampionat të përbashkët
Iniciativat për një kampionat të përbashkët mes shqiptarëve kanë qenë të shumta në vitet e fundit. Por, fakti se do të luhej në territore që nuk njiheshin nga UEFA dhe FIFA e ka bërë një mision të tillë të pamundur.
Pranimi në organizatat më të rëndësishme sportive e kanë shembur më në fund edhe këtë pengesë. Tani është momenti që të mendohet për organizimin e një kampionati mbarëshqiptar. Më saktë, për ta rikthyer një aktivitet të tillë, duke qenë se shqiptarët në vitin 1942 patën mundur ta organizojnë një kampionat të përbashkët, i cili për turpin e të gjithë komunitetit sportiv nuk është ende i njohur zyrtarisht dhe kjo motivuar vetëm mbi historinë e shkruar në kohën e komunizmit.
Tanimë është koha për të reflektuar, bazuar në këtë fakt historik dhe në shumë modele që aplikohen aktualisht në kontinent, sipas të cilave skuadra të vendeve të tjera marrin pjesë në kampionate të një vendi tjetër, si ato të Uellsit në Premier Ligën Angleze, apo ato të Lihtenshteinit në Superligën zvicerane, për të rikthyer më të fortë dhe konkurrues kampionatin kombëtar të të gjithë shqiptarëve. Dhe e gjitha kjo sepse të gjithë shqiptarët e dinë dhe e gjithë bota duhet ta mësojë se Kosova është zemra e Shqipërisë.