Atëherë, sipas traditës së stërnjohur, si pa që atentatet kundër Bacës nuk dhanë rezultat, Porta e Lartë mbajti peng dy nga njerëzit e tij më të afërt: të nipin Tafilin dhe djalin Halitin, të cilët ndërkohë studionin në Stamboll. Ngjarjet që do të lexoni më poshtë janë bazuar pikërisht në kujtimet e njërit prej të paktëve Boletinë të mbetur gjallë që nga masakra e Podgoricës në 1916, nipit të tij, Tafilit, kur Isa Boletini dhe shumë nga njerëzit e tij u masakruan në mënyrë çnjerëzore.
Ofertat e xhonturqve dhe lajmi i Ismail Qemalit
Sipas kujtimeve të nipit, Tafilit, Stambolli kishte të gjithë intereein që të paqësonte Isa Boletinin. Në këtë periudhë del në skenë një tjetër emër i njohur i lëvizjes kombëtare shqiptare, Hasan Prishtina. Sipas Tafil Boletinit, ky, në qershorin e 1909, mbërrin në Mitrovicë, si i dërguar i posaçëm i Hysen Hilmi Pashës, Kryeministër i kohës. Prishtina, në emër të Stambollit, i premtoi Isës shpërblime dhe paqe nëse ky do të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të herëpashershme. Baca refuzoi. Të njëjtën gjë bëri edhe disa muaj më vonë, kur mbërritën refugjatë të tjerë.
Andej nga fundi i vitit 1909, një lajm inkurajues mbërriti në bjeshkët e Rozhajës, atje ku Isa Boletini qe strehuar për t’u shpëtuar atentateve. Ismail Qemali, më vonë “babai i Pavarësisë’ i dërgon lajm me anë një të tregtari të njohur bagëtish: “Gajret o burrë, e mos u mërzit”. Lidhja mes dy burrave më të famshëm të Pavarësisë sapo kishte nisur të ngjizej. Përgjatë fillimit të 1910-s, Isa Boletini dhe trimat e tij përshkruan pjesën më të madhe të Malësisë së Gjakovës, me shpresën se populli e paria po bëhej gati për një goditje të madhe kundër Perandorisë Osmane.
Ndërkohë, përplasja e madhe nuk mund të vononte. Një betejë e madhe në grykën e Cerralevës ka mbetur në histori si një nga përplasjet më të mëdha mes shqiptarëve të armatosur dhe Perandorisë Osmane. Ngjarja, ku osmanët mbetën të gozhduar për tri ditë me radhë, bëri përshtypje të madhe edhe në opinionin ndërkombëtar, çështja shqiptare kishte nisur të kishte simpatizantët e saj edhe nëpër botë. Të mbetur pa bukë, të përgjysmuar në numër, të vetmuar dhe pa aleatë të rëndësishëm, kryengritësit e Cerralevës, menduan t’i shpëtonin ekspeditës ndëshkimore që po afrohej. E vetmja rrugëdalje ishte Mali i Zi, i cili, asokohe për motive të vjetra, i joshte shqiptarët. Në Mal të Zi u strehua një pjesë e mirë e parisë dhe e kryengritësve kosovarë. Kjo ngjau që nga qershori i 1910-s e deri në mars të 1911. Vendi ku u strehuan krerët shqiptarë ishte Cetina, kryeqyteti historik i malazezëve.
Përveç Isa Boletinit në Cetinë ishin strehuar edhe Dedë Gjo Luli, Mehmet Shendi dhe krerë të tjerë të malësorëve. Shkruan Tafil Boletini: “Në Cetinë gjeta ‘Historinë e Skënderbeut’ te një shqiptar katolik, tregtar. Abetare shqip s’kisha pa, por përfitova prej gërmave frengjishte, disa gërma që atëherë ndryshonin nga shqiptimi i fjalës kuptova se cilat ishin dhe mësova edhe qirilicën. Kështu e kalojshma kohën me lexime gazetash e librash serbishte. Nga Cetina axha Isa ka ra në kontakt me Aqif Pashë Elbasanin, që në atë kohë ndodhesh në Bari, e ma vonë edhe me Ismail Qemal Begun që gjendesh në Nice të Francës, për të bërë marrëveshje me ta çoi Abdullah Agën e Prizrenit te të dy dhe prej asaj kohe, deri sa kanë vdekë kanë qenë miq të sinqertë e miq të pandamë”. Diçka po lindte në horizontin politik të Ballkanit, diçka të cilët shqiptarët e ëndërronin, porse vetëm pakkush e besonte.
S’kam punë me sulltanin!
Në mars të 1911 malësorët e veriut të Shqipërisë nisën sulmin kundër garnizoneve osmane. Kjo i gjeti të papërgatitur si refugjatët shqiptarë në Cetinë, ashtu edhe krejt të tjerët. Knjaz Nikolla i Malit të Zi, thirri menjëherë krerët shqiptarë nga Cetina dhe i kërkoi që të merrnin menjëherë pjesë në këtë kryengritje. Boletini dhe të tjerët nuhatën se mund të bëheshin mish për to, kështu që më mirë preferuan të largohen nga Mali i Zi. Sipas Tafil Boletinit: “… Axha Isa, i drejtohet sërish krajlit: Nalmadhëni, na falni për bezdinë që ju kemi ba që nëntë muej, i jemi mirënjohës hospitalitetit të Naltmadhnisë tuej. Tani u afrue vera e jena ba gati me dal. Lusim që punët të na vinë mbarë e shpenzimet që keni ba për ne t’jua shpërblejmë”. Kosovarët nën drejtimin e Isa Boletinit, i dorëzuan për pak kohë armët me të mbërritur në Kosovë.
Në verën e 1911 Sulltani do mbërrinte në Kosovë në tyrben e Sulltan Muratit. Ceremonia ishte edhe një propagandë e madhe për të gjithë ata që ende besonin në Perandorinë Osmane. Isa Boletini ishte ndër të parët në listën e atyre që do prisnin “Hazretin”, porse ai refuzoi: “Dy ditë para ardhjes së sulltanit nga Prishtina – shkruan i nipi Tafil – tek axha çuen edhe mulla Shyqyri Vuçternin, si mik. Duket se i kishin ba presion të madh që si mik insistoi aq shumë për me e bindë axhën se mosprezantimi do të konsiderohej përbuzje e prestigjit të naltmadhënisë së tij dhe mund të pasonin edhe konsekuenca.
Ma në fund Shyqyri efendia tha: E kush ka me ardh ma i madh në Kosovë, veç se Zoti! Axha Isa iu përgjigj: për çka po lodhesh e ke kot, se i di këto gjana ma mirë se ti, prandaj për këto çështje që s’kam ça kokë asnjëherë, s’kam nevojë për këshilla. Shko e thuju atyne që të kanë çue, se unë s’kam kurrfarë pune me sulltanin, që vjen në Kosovë për dallavere e propagandë, për na qitë pluhën syve e me i pa të mirat që ata i kanë këtij vendi. Mos të rrehen se me këto reklama kanë me e mashtrue popullin sa me e harrue dajakun e tyne”. Armiqësia sa vinte e po bëhej më e hapur. Të refuzoje sulltanin ishte një gjë e padëgjuar ndër këto troje që nga koha e Kastriotëve.
Kryengritja e 1912
Pas disa ngjarjeve sporadike në fundin e 1911, shqiptarët e Kosovës nisën të organizohen për një luftë në fronte të gjera. Një mbledhje e krerëve, e organizuar në Junik, shpalli fillimin e veprimeve të armatosura. “E para herë – shkruan Tafil Boletini – më takoi me pa se si djelmnia e dy krahinave u besatuan ndër vedi. Të gjithë me armë u rreshtuem përballë e i takuem armët me shoqi-shoqin e me ni za thërritëm: besa’besë, kemi me vdekë me Isa Boletinin! Mandej të gjithë së bashku ju afruem axhës, e me pushkë e tyne e takuem pushkën e axhës, që edhe ky, në atë moment, e mbante në dorë…”. Kryengritësit kosovarë shumë shpejt mbërritën në afër dhjetë mijë vetë. Ata çliruan Novi-Pazarin, Mitrovicën, Prishtinën, Vuçiternën, Ferizajn dhe mbërritën deri në Shkup, në qendrën e Vilajetit. Në këtë kohë nisi lufta ballkanike. Shqiptarët e panë veten disi vetëm. Duhej të nxitonin.
Drejt Vlorës së Pavarësisë
Pjesa tjetër e ngjarjeve nuk mund të rrëfehet më mirë se sa vetë dëshmitarët.
“… Tue pa se nuk ngeli ma vend për kurrfarë rezistence – shkruan Tafil Boletini – dhe Vlora me nxitim kërkonte mbledhjen, me 200 e ca vetë muerëm rrugën për në Vlorë… Lajmi i tërheqjes së ushtrisë i ftohi njerëzit nga përgatitja e ndonji rezistence. Filluen të mendonin si t’i largonin familjet përtej Drinit. Dhe mbledhja u shpërnda. Atëherë, me parinë e Lumës, përmes Kolisjanit, me Cen Dacin, Ramadan Zaskokun e të tjerë jemi nisë për në Kala të Dodës për me vijue udhëtimin, mbasi humbëm nji javë derisa mendohesh me luftue…”. Në Dibër grupit të kosovarëve u bashkohet edhe dërgata dibrane. Tani ishin afër tetëqind vetë që shkonin drejt Pavarësisë. Kalorësit kalojnë nga Dibra në Librazhd, më pas në Elbasan, Belsh, Fier. Rrëfen Tafili: “…
Tej lumit na priste Sami bej Vrioni e Dervish bej Biçaku. Të gjithë shkuam mysafirë të Ymer pashë Vrionit. Me Ismail Qemalin, që na priste me padurim, përnjiherë filluen bisedimet me anë të maqinës telegrafike. Tue qenë se situata politike nuk premtonte vonesë, por edhe vajtja jonë natën nuk kishte mundësi, si nga lodhja, po sidomos sepse nga shinat e asaj vjeshte fushat ishin të mbulueme me ujë e baltë të madhe, atëherë delegatët e Kosovës: Isa Boletini, Zejnel beg Begolli, Mehmet pashë Dërralla, Riza beg Gjakova, Dervish beg Mitrovica, Hasan Hysejni i Budakovës e Ajdin Draga, të gjithë, me nji fjalë, autorizuen Ismail Qemalin me ngreh flamurin e me deklarue zyrtarisht indipendencën nesër më 28 nëntor 1912. Më 28 herët u nisëm për në Vlorë.
Nuk më harrohet ai udhëtim, nëpër fusha e hendeqe të mbulueme me ujë e baltë, sa edhe ajo rrugë e keqe nuk dallohesh, kur disa shokë me gjithë kuaj rrokulliseshin nëpër hendeqe e disa shanin e disa qeshnin. Lumin e Vjosës në Mifol e kaluem po ashtu me një lundër të vogël dhe me ato mundime e me vonesë, sikurse lumin e Semanit në Mbrostar të Fierit. Populli i Vlorës e delegatë të viseve të ndryshme, me flamurë, na kishin dalë përpara në Nartë.
Në Sheshin e Flamurit, para shtëpisë së Hasan Sharrës, ku banonte Ismail Qemali, krejt populli e delegatët na pritën me flamurë në dorë. Fjalimin e mirëseardhjes së delegatëve të Kosovës e mbajti Kristo Meksi. Mbas fjalimeve të tjera të rastit, delegatët u përqafuen me Ismail Qemalin dhe e uruen për me lavdata për përpjekjet e palodhuna e sakrificat e mëdhaja që ai kishte ba pa nda derisa ia arriti qëllimit.
Ismail Qemali, me falënderime, e lavdëroi axhën Isë për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të luftës. Por axha Isa i tha: Jo, nuk asht ai vend për mue, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra, dhe ia rekomandoi Mehmet Pashë Dërallën. Ismail Qemali axhën Isa e ka dashtë shumë dhe ia kishte besimin, por edhe ky i ka qendrue besnik deri në fund duke e vlerësuar si faktorin kryesor që e shpëtoi Shqipninë në momentin ma kritik.
Kurse të tjerëve, që ma vonë byrykateshin për pozita, në atë kohë nuk iu ra ndërmend nji gja e tillë si ngritja e flamurit. Ismail Qemali kërkoi nga axha Isa dy djem kosovarë nga njerëzit tanë, që t’i rrinin në derë. Axha Isa i la Halim Musa Bajgorën e Ahmet Ali Llapin, dy djem të Shalës, që në çdo pikëpamje i përgjigjeshin asaj detyre, meqenëse në fillim nuk kishte kurrfarë force të organizueme, njerëzit tanë rreth e rrotull banimit të tij banin rojen e natës dhe mbanin qetësinë. Por edhe mbasi u formue nji gjandërmëri, besimin e kishte mbështet te neve. Kur erdhi Princ Vidi iu caktuen tre burra të zgjedhun prej tri krahinave për me i ndejtë si roje nderi.
Nga Kosova u caktua Halim Bajgora, si njeri i jonë që ia kishim dhanë Ismail Qemalit, nji tjetër, Riza Runa, ishte nga Kurveleshi, dhe i treti ishte nga Kastarati, Gjelosh Gjoka… Ismail Qemali ishte jo vetëm patriot, por edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte: Kushdo që të na sulmojë, na në kala të Kaninës do të vdesim. Kah gjysma e dhjetorit 1912 erdhi telegram ku në princip u vendos njohja e nji Shqipnie.
Nga gëzimi i këtij sihaqriqi të madh plasi pushka. Ishte natë. U shndritë prej flakëve të pushkëve. Na shpinë e kishim në krye të Vlonës. Pandehëm se na ranë grekët. Vrapuem te Ismail Qemali e te axha Isa, që ishin në shpi të Hasan Sharrës në fund. Tue vrapue teposhtë ndeshim me nji boshnjak me krah të përgjakun, i plagosun nga shtimja e pushkëve nëpër rrugë e penxhere. E pyetëm: Ç’po bahet? Ai, tue mos ditë me u shpreh mirë në shqip, na tha: Ato çka po lyp e gjete. Shoqi ynë, Isuf Bardhoshi, i tha: More budallë, kur paskemi kërkue të na thyhen duert? Po kur muerem vesht se u njoh Shqipëria edhe ne ia lëshuem nji batare. Unë hina te Ismail Qemali dhe e urova tue ia puth dorën. Tue qeshë tha: Tafil, u trembe se na hini greku e na erdhe në ndihmë? ‘Po zotnia juej na keni thanë se në nji rast të tillë do të vdesim në kala të Janinës?’. ‘S’ka gja, s’ka gja – tha – Shqipnia u njoh’.
Dhe, nga gëzimi, edhe balli i qeshte. Edhe na ishim të vendosun për me vdekë. Sa u gëzuem për njohjen e Shqipërisë, kur u muer vesh se Kosova, ma se gjysma e Shqipnisë, u çkëput nga gjini i mamës së vet e ngeli nën thundrën e armikut, të gjithë fort u helmuem. Prandaj e lashë amanet: Kurdoherë që të lirohet, kudo që ta kem vorrin, me më lajmërue: Sihariq! Kosova tu lirue! Vetëm atëherëë kockat e mija nën tokën e zezë kanë me gjetë prehje e me u qetësue…”.
(Cituar sipas Tafil Boletini: Kujtime; përgatitur nga prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003).