Kosove-Shqiperi me abetare te perbashket

Kosove-Shqiperi me abetare te perbashket
Nxënësit në Kosovë dhe Shqipëri që për herë të parë do të ulen në bankat e shkollës, vitin e ardhshëm, pritet ta kenë në duart e tyre një abetare të përbashkët. Kjo gjë mund të formalizohet shumë shpejt ndërmjet dy ministrive të arsimit, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Një gjë e tillë u bë e ditur pas një takimi ndërmjet ministit të arsimit të Kosovës, Ramë Buja, dhe atij Shqipërisë Myqerem Tafaj, në një konferencë të përbashkët në Prishtinë, ku u bënë të ditura disa nga detajet e kësaj çështjeje.

Ramë Buja, ministër i Arsimit të Kosovës deklaron:

“Nuk cënon askënd, as traditë, as kulturë, as etnose. Por ndihmon të gjithë ata që janë në tërë gjeografinë shqiptare, kudo që janë, për të pasur mësimin e përbashkët. Dhe jam shumë i bindur, ndonëse nuk jam ithtar i datave, por shtatori i vitit që vie nxënësit tanë do t’i gjejë me abetaren e re, të gjithë hapësirës gjeografike shqiptare”.

Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit të Shqipërisë thekson: “Aktualisht ne kemi 3 abetare në shkollat tona në Shqipëri. Së bashku me ministrin Buja, të dy ministritë kemi rënë dakord që të hapim konkursin për një abetare të re, e cila do të ketë autor nga Kosova dhe nga Shqipëria, dhe do të vlerësohet nga një komision i përbashkët. Kjo (siç e tha ministri Buja) nuk do të thotë që abetaret e tjera do të përjashtohen nga tregu, sepse këtë nuk kemi të drejtë ta bëjmë”. Pjesë e komisioneve të përbashkëta që tashmë janë ngritur nga dy ministritë, mund të bëhen edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë.

Por, nëse nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, Malit të Zi, apo Maqedonisë, do të mund të mësojnë nga një abetare e tillë, kjo varet nga shteti ku ata jetojnë.

Në anën tjetër, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ministri Tafaj, është takuar edhe me drejtues të institucioneve të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama