Kosove ndahen cmimet Oscar per Korrupsion

Kosove, ndahen cmimet Oscar per Korrupsion
Sot, studentët e Lëvizjes Studentore për Barazi – Studim, Kritikë, Veprim,  organizuan një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Kjo pasi, qeveria e Kosovës sot karakterizohet me një veçori - Korrupsionin! Kryeministri me vartësit e tij për vite me radhë e ka dëshmuar se është mjeshtër i praktikave korruptive. Ai e ka perfeksionuar kaq shumë këtë zhanër, sa që ne besojmë se meriton çmimet më të larta ndërkombëtare.

Për këtë arsye, ne kemi përgatitur një listë çmimesh “Oscar” për mjeshtrit e aktrimit, regjisë e teknikave të tjera, pasi kemi vërejtur se këta vërtetë i meritojnë ato. Këto çmime u ndahen të gjithë atyre që kanë merita të larta për pasurim në kurriz të popullit dhe instalim të pushtetit e mashtrimit:

Çmimet:

Filmi më i mirë/Producenti: Fitues - Kadri Veseli

Aktori më i mirë në rolin kryesor: Fitues - Bajram Rexhepi (Afera e Pasaportave)

Aktorja më e mirë në rolin kryesor: Fituese - Mimoza Kusari-Lila, (Taksa për çimenton)

Aktori më i mirë në rolin mbështetës: Fitues – Blerim Shala

Aktorja më e mirë në rolin mbështetës: Fituese - Vlora Çitaku (Punësimi i familjarëve të Shefit të Shefave)

Regjia më e mirë: Fitues - Hashim Thaçi

Filmi më i mirë i huaj: Çmimi ndahet në mes të Bechtel Enkas, - Billion Dollar Highway, dhe KEDS - Sold for Pennies

Filmi më i mirë i shkurtër: Fitues - Behxhet Pacolli për Grandin

Skenari më i mire: Fitues – Chris Dell, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Behxhet Pacolli (Për zgjedhjen e  Presidentes nga zarfi)

Skenari më i mirë i adaptuar : Fitues - Forenzika (Konkludimi për rastin Dino Asanaj)

Efektet speciale më të mira: Çmimi shkon për - Zhdukja e Xhabir Zharkut përmes aeroportit të Prishtinës

Zërimi më i mirë: Çmimin e merr - Adem Grabovci (Pronto Afera )

Në Kosovë korrupsioni nuk është spontan por është i organizuar e i orkestruar

Ky organizim shihet më së miri në procesin i cili po quhet "privatizim i ndërmarrjeve publike". Në emër të privatizimit Qeveria fali dhe pritet të falë ndërmarrjet publike më vitale në vendin tonë të cilat janë shpresa e vetme për punësimin e qytetarëve tanë tani dhe në të ardhmen. Për më tepër, ato janë potenciali i vetëm me të cilën mund të rimëkëmbet ekonomia e Kosovës.

Korrupsioni i Qeverisë nuk ndalet me kaq. Ai arrijnë në çdo pore të shoqërisë sonë. Kjo vërehet në çdo ministri, agjenci, në administratën publike, në çdo Universitet e Spital në Kosovë. Qytetarët e Kosovës sot jetojnë në varfëri të skajshme, 45 % e popullsisë jetojnë në varfëri dhe 19%  në varfëri të skajshme me nga 0,92 cent në ditë. Kjo gjendje e cila po vjen drejt përkeqësimit është edhe falë organizimit korruptiv e kriminal të modelit qeverisës të Hashim Thaçit me shokë.

Kjo vërehet qartazi në Universitetin e Prishtinës, të cilën partia në pushtet e ka uzurpuar dhe e ka bërë vegël të vetën. UP-ja nga pushteti përdoret për plaçkitjen e studentëve dhe përdorimin e parasë së tyre për t'i financuar fushatat elektorale. Ne paralajmërojmë qeveritarët se nuk do të lejojmë që ky pushtet ta shesë, duke e vjedhur më pas, pasurinë e përbashkët dhe të plaçkitë çdo ditë e më shumë popullin e Kosovës. Sigurisht se nuk do te rrimë duarkryq, dhe se nëse ky trend vazhdon, reagimi popullor do të jetë shumë i ashpër dhe i pakompromis, përfundon kumtesa nga kjo lëvizje

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama