Nëntë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të spitaleve dhe klinikave private, ndër ta edhe doktorë, janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas burimeve brenda Policisë së Kosovës, mediet nga Kosova, raportojnë se Njësiti për Krime Ekonomike, ka kryer një operacion të gjerë në Prishtinë dhe Pejë, që ka të bëjë me personat që dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare.
“Ata dyshohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, që ka të bëjë me pajisjet shëndetësore, sidomos me stendat që përdoren tek pacientët e sëmurë nga zemra”, – ka cituar një burim. Sipas këtij burimi, prokuroria ka vërejtur se përdorimi i stendave të dyshimta, të cilave u ka skaduar afati, si dhe vendosja e tyre nga doktorë jo kompetentë, mund të ketë çuar në vdekjen e pacientëve, që deri tani e ka çuar numrin e tyre mbi 100. Sipas burimeve, “përveç të arrestuarve, i dyshuar në këtë rast është edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë”.