Këto ditë në gazeta vazhdojnë të botohen pjesë nga libri “Armët dhe çunat”, që flet për historinë e djaloshit amerikan Efraim Diveroli, që u përfshi në një nga skandalet më të mëdha në historinë e ushtrisë amerikane.
Diveroli bën pazar me armatim të blerë në Shqipëri, por e gjen veten në një vorbull mafioze të frikshme.
Panorama ka publikuar pjesën ku gazetari Guy Lawson flet për vdekjen e Kosta Trebickës, biznesmenit shqiptar të kontraktuar për të bërë paketimin e armatimit.
Vdekja e tij vazhdon të jetë e dyshimtë.
“Në vetën e vitit 2008, Kosta Trebicka donte vetëm që ta harronte këtë çështje. Kishte ende disa biznese të suksesshme, gruan dhe fëmijët. Por e kërcënonin: telefonata natën, vështrime plot inat në rrugët e Tiranës, pëshpërima për ta paralajmëruar. Trebicka mori masa: ndryshonte shpesh numrin e telefonit dhe përdorte emra të ndryshëm kur qëndronte në hotelet e Shqipërisë, i rrëfeu familjes dhe miqve se ishte i frikësuar”.
“Kishte të drejtë të shqetësohej: e vërteta qe zbuluar, kishte kërcënuar seriozisht shumë interesa të fuqishme. Më 12 shtator 2008, trupi i Kosta Trebickës u gjet në një fushë anës rrugës së një fshati të Korçës. U duk si aksident rrugor, por aksidenti kishte ndodhur në mes të rrugës së sheshtë, ku nuk kishte kaluar asnjë makinë tjetër. Pa asnjë shkak të dukshëm, xhipi i Trebickës ishte përmbysur papritur dhe trupi ishte flakur në ajër, e për çudi, u gjet i shtrirë 45 metra më tej.
Si për të hedhur akoma më shumë dyshim për situatën, një nga njerëzit e parë që mbërritën në skenën e aksidentit ishte ish-bodigardi i kryeministrit. Autoritetet thanë se Trebicka kishte qenë në një udhëtim për gjah. Pranë trupit iu gjet një pushkë dhe një thëllëzë e vrarë. Por miqtë e tij thanë se ai nuk shkonte kurrë për gjah i vetëm dhe se zona ku u gjet trupi i tij nuk ishte zonë për gjah.
Disa ditë pas vdekjes së Trebickës, një hetues i policisë shtetërore amerikane, Kevin Teeter, u dërgua në Shqipëri për të këqyrur vendin e ngjarjes. Shiu i rrëmbyer kishte zhdukur të gjitha gjurmët, kështu që hetuesit iu desh të mbështetej vetëm në provat e mbledhura nga policia shqiptare.
Duke këqyrur fotografitë, skicat dhe makinën e dëmtuar, Teeter arriti në përfundimin se Trebicka ishte vrarë vërtet në një aksident…
Hetimi që Teeter bëri ishte i kufizuar. Ai nuk lexoi raportin e autopsisë, nëse qe kryer një e tillë. Për aq sa dinte Teeter, Trebicka mund të kishte pasur një plumb në pjesën e përparme të kokës. Megjithatë raporti i tij kishte në kapak vulën e Policisë së Shtetit të Virxhinias, çka tregonte se ishte miratuar nga autoritetet amerikane, vulë që e mbylli çështjen Trebicka njëherë e përgjithmonë në Shqipëri”.