Alesandro Kostakurta sot mbush 50 vjeç. Mbrojtësi italian është pjesë e plejadës së famshme të futbollistëve që midis datës 26 maj 1991 deri më 14 mars 1993, për 58 ndeshje radhazi, nuk pësuan asnjë humbje në kampionat, duke u ngjitur në "anijen bërthamore" të të pamposhturve që drejtohej nga Fabio Kapelo. Ish-futbollisti italian ka bërë një analogji mes Milanit të atëhershëm dhe skuadrës aktuale, teksa nuk është kursyer duke thumbuar drejtuesit e klubit me në krye presidentin e kuqezinjve, Silvio Berluskoni.
Alesandro, si ndiheni tani që keni mbushur 50 vjeç?
Tani jam më i qetë dhe më pak mendjemadh. Më duket vetja më shumë gazetar dhe shofer i djalit tim Akile.
Si i kalon ditët Kostakurta?
Jam pjesë e një ambienti ambicioz dhe stimulues si "Sky", nuk mund të kërkoj asgjë më shumë. Profesioni i trajnerit nuk bënte për mua, në fakt pas eksperiencës me Mantovën kam hequr dorë.
Martina Kolumbari, bashkëshortja juaj nuk është më në qendër të vëmendjes si dikur. Jeni i lumtur?
Është një avantazh (qesh). Martina punon më pak, por i përkushtohet më shumë familjes dhe djalit tonë, Akile, i cili ka nevojë që prindërit t'i qëndrojnë sa më pranë.
Akile është i vetëdijshëm se kush është babai i tij dhe çfarë ka bërë ai si futbollist?
Ka filluar ta mësojë, ajo që i bën në shumë përshtypje janë 7 kampionatet e fituar dhe 5 Liga Kampionesh që kam fituar në karrierë.
Natyrisht besojmë se djali është rritur me dashurinë për ngjyrat kuqezi apo jo?
Jo fiks. Është gjysmë juventin, pasi gjyshi i tij i flet gjatë të gjithë ditës për Pogbanë dhe Dibalën. Ndërsa ai sapo më kërkoi që të bënte një provim tek Interi. Në familjen tonë ka shumë demokraci.
Alesandro, është më mirë roli i futbollistit apo ai i opinionistit televiziv?
Si futbollist, për cilësitë që kisha, isha shumë i zoti. Në moshën 22- vjeçare isha titullar në ekipin më të fortë të planetit.
Pa dashur t'ju ulim vlerat, Milani në kohën tuaj kishte shumë kampionë në organikë dhe për ju ishte gjithçka ishte më e thjeshtë apo jo?
Është shumë e vërtetë. Marrim rastin e Romanjolit. Nëse ai do të kishte si partner në mbrojtje Barezin, Maldinin, ose dhe mua, sot Alesio do të ishte një nga mbrojtësit më të fortë të gjeneratës së tij. Mirëpo te Milani për momentin nuk ka kush ta ndihmojë që të bëhet më i miri.
Rrugëtimi i kujt prej ish-shokëve të ekipit ju ka surprizuar në fushë pas largimit nga futbolli?
Jam i surprizuar për çfarë nuk u bënë Van Basten dhe Maldini. Mendoja se Marko do të bënte karrierë si trajner, pasi ishte shumë taktik. Për mua është zhgënjyese që ai sot punon si asistent. Ndërsa Paolo duhet të bëhet me patjetër drejtues, ai nuk mund të qëndrojë jashtë futbollit. Është skandaloze që askush nuk mendon për të, veçanërisht te Milani.
Pse mendoni se Milani nuk e ka afruar Maldinin?
Njerëzit ia faturojnë këtë situatë Adriano Galianit, mirëpo pyetja lind natyrshëm: Po Berluskoni pse nuk e afron? Çfarë ndieni teksa e shikoni Milanin të katandisur në këtë mënyrë? Mbi të gjitha më surprizojnë disa zgjedhje që kanë bërë në vitet e fundit drejtuesit e klubit. Milani gjithmonë ka afruar në gjirin e tij të rinj të talentuar, por që dinin se si të silleshin me edukatë dhe të respektonin normat. Mirëpo, në vitet e fundit ky trend ka ndryshuar, teksa lojtarë si Kasano, Menez, Rami, por edhe Baka, duke konsideruar si u soll kundër Karpit, u janë bashkuar klubit, teksa sjellja e tyre nuk ka qenë kurrë e përshtatshme me historinë dhe traditën e këtij klubi.
Po për Balotelin çfarë mendoni?
Me shumë gjasa, Milani do ta humbasë bastin për Balotelin, gjithsesi bëri mirë që i besoi, pasi Mario është ende i ri dhe nuk e ka fshehur kurrë simpatinë e tij për kuqezinjtë. Të ishte pjesë e grupit tonë, para 10 vitesh, mund të ishte paraqitur më mirë.
Kjo edhe pse Gatuzo do ta kishte marrë me "shqelma" nëse nuk sillej siç duhet apo jo?
Me thënë të vërtetën, Gatuzon e merrnim ne me shqelma, unë i pari.
Si e përkufizoni Milanin e sotëm me një fjalë?
Melankolik.
Cili është problemi më i madh i Milanit në vitin 2016?
Loja. Shikoj ekipe që kanë lojtarë më pak të talentuar në organikë, por prodhojnë një futboll më të bukur se Milani. Mihajloviç ishte një trajner i zoti, por jo i përshtatshëm për të drejtuar Milanin. Loja e tij e kishte të pamundur të joshte tifozët. Sinishën e shikoj më mirë tek Interi. Ne, kuqezinjtë jemi mësuar me një tjetër mënyrë loje.
Sa lojtarë që luajnë sot te Milani do ishin pjesë e formacionit të Ançelotit ose Kapelos?
Asnjë. Sa do ishin në stol? Bonaventura, Romanjoli dhe ndoshta Baka. Ne në stol kishim figura si Filipo Gali, Masimo Ambrozini, Zhan-Pier Papin dhe Xhilardino. Nëse rreshtojmë këtë mbrojtje: Tasoti, Kostakurta, Barezi dhe Maldini dhe e vendosim përballë Abates, Aleksit, Romanjolit dhe Antonelit, ju vjen më shumë të qani apo të qeshni? As të qaj dhe as të qesh. Nuk ekziston fare si krahasim.
Përgatiti: LEAR MAÇI