Mbrojtësi i krahut të majtë te Teuta, Blerim Kotobelli, për "Panorama Sport" tregon rreth gjendjes së ekipit si dhe për dy ndeshjet e mbetura të kampionatit, atë kundër Laçit dhe Partizanit. Gjatë fjalës së tij, futbollisti flet edhe për takimin e fundit me korçarët, ku durrsakët duhet të kishin marrë më shumë. "Në ndeshjen me Skënderbeun, ekipi nuk mundi të merrte tri pikë dhe nuk na pëlqeu aspak. Megjithatë, kjo s'do të thotë që ekipi po kalon situatë jo të mirë, përkundrazi është në formë shumë të mirë dhe po vijojmë përgatitjet rregullisht. Morali është i lartë dhe shpresat për vendin e tretë nuk kanë humbur, pasi ne nuk dorëzohemi pa mbaruar edhe ndeshja e fundit. Do të luftojmë fort në këto dy sfida që të marrim pikë të plota dhe të shpresojmë në ndonjë gabim të Kukësit.
Dy ndeshjet e radhës i kemi vlerësuar në maksimum, por më parë duhet të kalojmë me sukses Laçin në Durrës. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi ekipi i Laçit u ka hapur punë të gjitha skuadrave dhe luajnë njësoj me të gjithë. Për më tepër, janë në një pozicion ku luajnë pa frikë. Ne duhet të bëjmë kujdes në mënyrë që të krijojmë dhe të shfrytëzojmë mundësitë tona. Fitorja me Laçin na jep një shpresë më shumë për vendin e tretë", është shprehur mbrojtësi.
Vendi i tretë
Teuta ka ende shpresë për një vend në Europë, jo vetëm nga llogaritë për vendin e katërt, por edhe për t'i rrëmbyer të tretin Kukësit.
"Nuk dorëzohemi për atë pozicion, pasi kemi ende 180 minuta për të luajtur, në të cilat do të kërkojmë të marrim gjashtë pikë dhe në fund të shikojmë se kush do të jetë i treti, ne apo Kukësi. Sido që të shkojnë gjërat, ne kemi zhvilluar një sezon fantastik duke i dhënë bukuri kampionatit. Uroj që dhe ekipi i Kukësit të bëjë një hap fals dhe të përfitojmë, në të kundërt duhet të 'kryqëzojmë gishtat' për finalen e Kupës", ka përfunduar Kotobelli.
Përgatiti: Jeton Rexhmati