Llojet e kredive
Në varësi të shumës dhe qëllimit të kredisë janë disa tipe kredish që një person mund të marrë në një bankë. Ato mundet të ndahen në dy grupe kryesore, ku në grupin e parë janë 3 tipe kredish që nuk kanë nevojë për kolateral: njëra është kredia personale, e dyta është overdrafti dhe karta e kreditit. Më pas, në grupin e dytë ku nevojitet një kolateral janë edhe kreditë që jepen në shuma të mëdha, siç janë kredia personale me hipotekë, kredia për blerje shtëpie dhe kredia me kesh kolateral. (Kolaterali konsiston në një shumë parash apo një objekt me një vlerë të caktuar që ti e lë peng në bankë në mënyrë që të mundësohet shlyerja e kredisë). Grupi i parë quhet kredi konsumatore dhe i dyti kredi hipotekare.
Procedurat për të marrë një kredi
Në grupin e parë të kredive (kredia personale) nevojitet vetëm paga e personit. Në bazë të pagës bëhet edhe vlerësimi nëse personi në fjalë mund ta marrë apo jo kredinë. Në këto kredi dokumentacioni që nevojitet, është një vërtetim page me një afat minimumi 6 muaj, një mjet identifikues dhe një certifikatë familjare.
Për grupin e dytë, marrja e kredisë është pak më i komplikuar. Për të nevojiten disa gjëra specifike, që varen nga tipi i kredisë. Për kredinë për blerjen e shtëpisë nevojiten dokumente identifikuese, dokumente që vërtetojnë të ardhurat që ka e gjithë familja, si dhe dokumentet që lidhen me pronën: të tilla si kontratë shitblerje, certifikatë pronësie etj.
Në kredinë personale me hipotekë nevojiten të njëjtat dokumente. Në këtë rast personi që merr shumën e dëshiruar, nuk ka nevojë të përcaktojë arsyen se përse e merr këtë kredi.
Dhe në fund, kredia me kesh kolateral, kërkohet dhe jepet atëherë kur një person ka një depozitë bankare dhe për mos ta prekur atë, merr një kredi dhe si kolateral vendos depozitën.
Afati i aprovimit
Afatet që nevojiten për t’u aprovuar një kredi nuk janë fikse, kjo për shkak se në disa kredi nevojiten vlerësime të caktuara. Në grupin e parë të kredive, koha që nevojitet që një kredi të aprovohet, është maksimumi 10 ditë, gjë që përkon me kartën e kreditit. Por ka edhe raste ku një kredi aprovohet brenda 24 orëve siç ndodh me kreditë personale dhe overdraftet. Një kohë e shkurtër nevojitet edhe për kreditë me kesh kolateral, të cilat mund të aprovohen për 2-3 ditë pune. Ndërkohë për kreditë që kanë si garanci hipotekore, nevojitet një afat më i zgjatur dhe konkretisht afro 2-3 javë për aprovimin. Kjo pasi dokumentacioni që dorëzohet, duhet të analizohet dhe vlerësohet. Vlerësimi, për shembull, përkon në vlerësimin e shtëpisë që lihet si garanci dhe ky vlerësim bëhet nga disa pjesëtarë të caktuar të bankës dhe më pas në bazë të vlerësimit përcaktohet edhe shuma që do të jepet, e cila përgjithësisht është e njëjtë me atë që kërkohet nga personi.
Sa para merren dhe sa paguhen
Një person mundet të marrë normalisht shumën që i nevojitet. Shumat janë të ndryshme. Për shembull, në grupin e parë maksimumi është shuma 1 milion lekë, ndërsa në grupin e dytë shumat variojnë në bazë të nevojës dhe ato shkojnë deri në 18 milionë lekë. Financimi në këto raste kap vlerat nga 60% deri në 75% të vlerës totale të banesës që lë si garanci në bankë.
Për sa i përket mënyrës së matjes se sa duhet të paguajë një person në fund, ajo llogaritet në bazë të këstit të caktuar, më konkretisht duke shumëzuar këstin me muajt. Mënyra e nxjerrjes së këstit përcaktohet nga një llogaritje që nëpër banka është e gatshme. Ajo llogaritet në bazë të kohëzgjatjes së kredisë dhe shumës.
Kohëzgjatja e një kredie
Kohëzgjatja e kredisë nuk shkon më shumë se 25 vjet dhe minimumi 6 muaj. Kjo kohëzgjatje përcaktohet nga banka edhe në bazë të shumës, pasi për shumat e mëdha përcaktohet një afat i gjatë, siç ndodh në rastet e kredive me garanci hipotekore. Ndërsa për kreditë e tjera që kanë shuma të vogla shlyerja e kredisë bëhet në afate më të vogla.
Çfarë duhet pasur parasysh
Së pari, edhe nëse një person bën shlyerjen e kredisë para afatit të caktuar, ai duhet të paguajë një komision të caktuar. Por kjo shlyerje nuk duhet të vijë në 6 muajt e parë të marrjes së kredisë në rastet e shumave të mëdha. Komisioni për të paguar do të përcaktohet në bazë të afatit të mbetur dhe shumës.
Ndërkohë, në rastet kur kredia nuk shlyhet për një afat të caktuar, personi kur të rinisë pagimin e kësteve, do të paguajë një komision të caktuar , e cila përkon si një gjobë për ato ditë të cilat nuk ka paguar. Në rastet e garancive hipotekore, nëse shlyerja e kredisë ndërpritet, banka bllokon garancinë hipotekore dhe e nxjerr në shitje me anë të ankandeve të ndryshme të gjithë garancinë apo shtëpinë dhe automatikisht pronësia kalon nga personi tek banka.
Nga vlerësimet më të fundit që bankat në Shqipëri kanë bërë, është parë se ka një rritje të kredive të këqija, çka nënkupton që ka shumë kredi që nuk po shlyhen. Ndoshta, një nga arsyet e një gjendjeje të tillë, veç rënies ekonomike, është edhe mungesa e informacionit për këstet që i paguhen bankës në rastet e marrjes së një kredie. Siç dihet, “borxhi merret me dorë dhe jepet me këmbë”, prandaj, para se të merret një kredi, nuk është turp që nga personi që shërben në bankë, të merret informacion i detajuar për çdo rast.